Eko Higjiena

Ardianë Pajaziti sjell “Rebelim dhe kujtesë”, një mozaik rrëfimesh që i japin zë historisë së grave

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Në mesin e botimeve më të spikatura të këtij viti në Panairin e Librit “Prishtina 2026”, vjen edhe vepra më e re e gazetares dhe drejtoreshës së platformës kulturore KultPlus, Ardianë Pajaziti. Libri “Rebelim dhe kujtesë” prezantohet si një udhëtim i thellë në botën e nëntë grave, historitë e të cilave shpalosin guximin, qëndresën dhe fuqinë për të sfiduar kufijtë e kohës dhe paragjykimeve.

Në një kohë kur gazetaria kërkon jo vetëm profesionalizëm, por edhe guxim për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për t’u dhënë zë atyre që shpesh mbeten në hije, Ardianë Pajaziti është shndërruar në një nga emrat më të spikatur të gazetarisë kulturore në Kosovë. Me dekada angazhimi në promovimin e artit, kulturës dhe vlerave shoqërore, ajo ka ndërtuar një profil të veçantë si gazetare, kronikane e kohës dhe mbështetëse e fuqishme e grave në rrugëtimin e tyre drejt emancipimit dhe suksesit.

Përmes punës së saj të palodhshme, Pajaziti nuk ka dokumentuar vetëm ngjarje e personalitete, por ka krijuar hapësira të rëndësishme për rrëfimet e grave që kanë sfiduar paragjykimet, padrejtësitë dhe barrierat shoqërore. Me ndjeshmëri profesionale dhe përkushtim qytetar, ajo ka kontribuar në avancimin e gazetarisë kulturore, duke e kthyer atë në një urë komunikimi mes historisë, kujtesës dhe brezave të rinj.

Ky mision i saj pasqyrohet edhe në librin më të ri, “Rebelim dhe kujtesë”, një vepër që sjell para lexuesit histori të grave të jashtëzakonshme, të cilat me jetën dhe veprën e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shoqëri.

Përmes një qasjeje dokumentuese dhe rrëfimtare, autorja sjell në fokus nëntë protagoniste me përvoja jetësore të veçanta, të cilat, secila në mënyrën e saj, kanë sfiduar norma shoqërore, kanë përballuar sisteme represive apo kanë dëshmuar forcë të jashtëzakonshme në përballje me jetën.

“Rebelim dhe kujtesë” tejkalon kufijtë e një libri intervistash. Ai ndërtohet si një arkiv emocional dhe historik, ku kujtesa individuale ndërthuret me atë kolektive, duke krijuar një dëshmi të çmuar për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

Mobi Casa

Në faqet e veprës shpalosen histori rezistence, sakrifice, dashurie, identiteti dhe triumfi njerëzor. Çdo rrëfim mbart peshën e kohës së vet, por njëkohësisht flet me një gjuhë universale për dinjitetin, lirinë dhe të drejtën për t’u dëgjuar.

Shkrimtari dhe publicisti Ag Apolloni e cilëson librin si një vepër me potencial të jashtëzakonshëm narrativ, duke theksuar se rrëfimet e përfshira në të përmbajnë material të mjaftueshëm për t’u shndërruar në vepra filmike.

“Ky nuk është vetëm një libër me nëntë biseda; është një galeri e gjallë historish që mund të jetojnë edhe përtej faqes së shkruar”, vlerëson ai.

Botuar nga Bard Books dhe i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, libri vjen edhe me një dimension artistik të veçantë përmes ballinës së realizuar mbi një vepër të skulptorit të njohur Luan Mulliqi.

Pjesëmarrja e “Rebelim dhe kujtesë” në edicionin e 26-të të Panairit të Librit “Prishtina 2026” e pozicionon këtë vepër si një nga botimet që synojnë jo vetëm të dokumentojnë kujtesën, por edhe të nxisin reflektim mbi rolin e gruas në shoqëri, historinë që ajo mbart dhe trashëgiminë që lë pas./rajonipress/