Eco-Higjiena shpreh ngushëllime për vdekjen e Bajram Isufit, që udhëhoqi kompaninë në vitet 2012–2015
Gjilan – Kompania publike Eco-Higjiena ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Bajram Isufit nga Gjilani, duke e kujtuar me respekt për kontributin dhe bashkëpunimin e tij në institucionet dhe ndërmarrjet publike.
Në një telegram ngushëllimi, të nënshkruar nga Senad Ramaj, në emër të kompanisë dhe në emrin e tij personal, theksohet se largimi i Isufit nga jeta përbën një humbje për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e njohën.
Vëmendje e veçantë në këtë mesazh i kushtohet edhe periudhës kur Bajram Isufi udhëhoqi kompaninë Eco-Higjiena në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv, gjatë viteve 2012–2015.
“Bajramin do ta kujtojmë me respekt për bashkëpunimin, përkushtimin dhe kontributin e tij në shërbim të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Në emër të kompanisë, Senad Ramaj ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Isufi, të afërmit, miqtë dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit, duke uruar që familja të gjejë forcën për ta përballuar këtë humbje.
Kujtimi për Bajram Isufin do të mbetet i lidhur edhe me angazhimin e tij në drejtimin e ndërmarrjeve publike dhe kontributin e dhënë ndër vite në jetën institucionale të Gjilanit.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

