Fundamenti

Kosova në një udhëkryq sërish. Tetë parimet që duhet t’i përfaqësojë Presidenti i ardhshëm i Kosovës

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Rifat Latifi – (Profesor i Kirurgjisë, ish-Ministër i Shëndetësisë i Kosovës (Dakar, Senegal dhe Luanda, Angola, 5-10 maj 2026).“Nuk na duhet një ‘parashutist politik’ për president, dikush që kalon nga një parti politike në tjetrën, varësisht nga moti politik dhe drejtimi i erës. Republika jonë meriton një president, bindjet e të cilit nuk janë në shitje, besnikëria e të cilit nuk mund të blihet dhe busulla e të cilit drejtohet vetëm kah populli dhe e ardhmja e këtij vendi.”

Situata politike në Kosovë vazhdon të mbetet komplekse dhe, në këtë moment, jo fort inkurajuese. Saga e fundit, pamundësia e Kuvendit për ta zgjedhur Presidentin, ashtu siç përcaktohet me Kushtetutë, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të treta brenda një kohe shumë të shkurtër, është vërtet shqetësuese. Shumëkush pyet nëse Presidenti duhet të vazhdojë të zgjidhet nga aparati politik, siç ndodh tani, apo duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Si pjesëtar i diasporës, kirurg dhe ish-Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, por njëkohësisht si dikush që vazhdon të punojë për Kosovën dhe ta dojë atë pafundësisht, jam thellësisht i vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet vendi ynë. Pikërisht kjo vetëdije më shtyn të kontribuoj në debatin për të ardhmen e Kosovës.

Në vend se të debatojmë për emra konkretë apo kandidatë të partive të ndryshme politike, mendoj se fillimisht duhet të përcaktojmë se çfarë Presidenti i duhet Kosovës: cilat cilësi duhet t’i ketë dhe çfarë lloj udhëheqjeje meriton vendi ynë në këtë moment kritik të rrëmujës gjeopolitike globale.

Roli i Presidentit, ndonëse i ndryshëm nga ai i Kryeministrit që udhëheq qeverisjen e përditshme, bart një autoritet të madh moral dhe potencial real për të ndikuar në mënyrën se si Kosova përfaqësohet në botë, si frymëzohen qytetarët dhe si ndërtohet rruga e së ardhmes së saj.

Presidenca nuk duhet të jetë një çmim politik që fitohet, por një mandat që fitohet çdo ditë përmes shërbimit të ndershëm, guximtar dhe të përkushtuar ndaj vullnetit të qytetarëve. Presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë vërtet mbi partitë politike, i pavarur nga çdo fraksion apo interes i ngushtë politik. Duhet të jetë dikush që nuk frikësohet të marrë vendime të vështira, të thotë të vërteta të pakëndshme dhe, mbi të gjitha, të mos ketë frikë të humbasë vota duke bërë atë që është e drejtë.

Cilat janë cilësitë e tjera që duhet t’i ketë Presidenti i ardhshëm i Kosovës? Besoj se përgjigjja gjendet në tetë parime thelbësore:

  1. Një histori e dëshmuar shërbimi publik

Presidenti i ardhshëm duhet ta ketë dëshmuar tashmë, në mënyrë konkrete dhe të matshme, përkushtimin ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, jo përmes fjalimeve politike, por përmes veprave. Kosovës i duhet një lider që di çfarë do të thotë të japësh rezultate nën presion dhe me resurse të kufizuara.

  1. Kredibilitet global dhe rrjete ndërkombëtare

Presidenti i Kosovës duhet të jetë një figurë që bota e njeh ose mund ta njohë shpejt dhe ta respektojë. Rruga e Kosovës kalon përmes Brukselit, Uashingtonit dhe më gjerë, por nuk duhet të harrojmë as Afrikën, Azinë dhe Amerikën Jugore. Presidenti duhet të ketë aftësinë t’i hapë këto dyer me autoritet dhe besueshmëri.

Teksa udhëtoj në vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe në ato që ende nuk e kanë bërë këtë, shpesh mbetem i habitur dhe i shqetësuar nga mundësitë që po humbasim në arenën ndërkombëtare. Mënyra se si trajtohen dhe mbështeten ambasadorët tanë nuk është e mjaftueshme. Një president që e kupton botën duhet ta ndryshojë këtë qasje.

ARKATANA
  1. Diplomacinë ta trajtojë si aset kombëtar

Në një botë të dominuar nga krizat humanitare dhe sfidat globale shëndetësore, diplomacia mjekësore është një nga instrumentet më të nënvlerësuara të politikës sonë të jashtme. Presidenti i ardhshëm duhet ta kuptojë fuqinë e ndërtimit të urave përmes diplomacisë politike dhe mjekësore dhe ta kthejë atë në prioritet strategjik kombëtar.

  1. Pavarësi nga makineria politike

Qytetarët e Kosovës janë gjithnjë e më të zhgënjyer nga politika partiake dhe politikanët karrieristë. Presidenti i ardhshëm duhet të jetë realisht i pavarur, besnik ndaj qytetarëve dhe Kushtetutës, jo ndaj partive apo sponsorëve politikë. Pavarësia nuk është dobësi; ajo është themeli i lidershipit të vërtetë.

  1. Zë për të rinjtë dhe diasporën

Kosova është një shtet i ri me një popullsi të re, plot energji dhe talent, por fatkeqësisht shumë të rinj largohen dhe pak kthehen. Në të njëjtën kohë, Kosova ka ndërtuar një diasporë të jashtëzakonshme në Evropë, Amerikë e më gjerë.

Presidenti i ardhshëm duhet t’i kuptojë të dyja botët: ëndrrat e të rinjve në Kosovë dhe sakrificat e diasporës. Diaspora nuk duhet parë vetëm si burim remitancash, por si partner në ndërtimin e shtetit, investimeve dhe inovacionit.

  1. Autoritet moral në një realitet të përçarë

Në një ambient ku besimi publik është i brishtë, autoriteti moral është kapitali më i madh që mund të ketë një lider. Presidenti duhet të jetë dikush, jeta dhe puna e të cilit flasin vetë, një person që ka shërbyer, edukuar breza dhe përfaqësuar Kosovën me dinjitet në botë.

  1. Të zgjojë “gjigantin e fjetur”: diasporën shqiptare në Amerikë

Diaspora shqiptare në SHBA është një nga asetet më të mëdha dhe më të pashfrytëzuara të Kosovës. Ajo përbëhet nga profesionistë të suksesshëm, mjekë, inxhinierë, profesorë, sipërmarrës e liderë komunitarë, që kanë arritur sukses në nivelet më të larta të shoqërisë amerikane.

Presidenti i ardhshëm duhet ta kuptojë këtë potencial dhe të ndërtojë një strategji serioze për përfshirjen e diasporës në zhvillimin e Kosovës. Diaspora shqiptare në Amerikë është urë me shtetin më të fuqishëm në botë dhe ky potencial nuk guxon të mbetet i fjetur.

  1. Një lider që shërben, jo një politikan që sundon

Mbi të gjitha, Kosovës nuk i duhet edhe një politikan. I duhet një burrështetas apo burrneshë shteti. Një president që pushtetin nuk e sheh si privilegj personal, por si përgjegjësi për t’i shërbyer qytetarëve dhe të ardhmes së vendit.

Dhe një gjë është e sigurt: Kosovës nuk i duhet një “parashutist politik”, dikush që kalon nga një parti në tjetrën sipas interesit dhe erës politike. Republika jonë meriton një president, bindjet e të cilit nuk janë në shitje dhe busulla e të cilit drejtohet vetëm kah populli dhe e ardhmja e Kosovës.

Ky është presidenti që meriton Kosova. Nëse ai apo ajo do të vijë nga politika aktuale, diaspora apo nga radhët e atyre që jetën ia kanë kushtuar shërbimit ndaj Kosovës në forma të tjera, këtë nuk mund ta them. Por një gjë është e qartë: Kosova ndodhet në një udhëkryq. Koha nuk pret. Dhe qytetarët e saj meritojnë më të mirën.