ARKATANA

Kamenica mban mbledhje solemne në nder të “Epopesë së UÇK-së”

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kamenicë – Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur mbledhje solemne në nder të manifestimit tradicional Epopeja e UÇK-së, duke përkujtuar sakrificën dhe kontributin e luftëtarëve të UÇK-së për lirinë e vendit.

Mbledhja u hap nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetari i komunës Kadri Rahimaj, nënkryetarja Arta Bajralija, asamblistë të kuvendit, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Kamenicë, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të Policisë së Kosovës, të Bashkësisë Islame, si dhe përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile.

Në fjalën e saj, kryesuesja Beqiraj-Fera theksoi se kjo mbledhje solemne është një moment reflektimi dhe nderimi për një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së Kosovës.

“Epopeja e UÇK-së është simbol i sakrificës, guximit dhe vendosmërisë së një populli që zgjodhi lirinë mbi nënshtrimin. Në marsin e lavdishëm të Prekaz, u dëshmua se dashuria për atdheun është më e fortë se frika dhe se liria fitohet me përkushtim dhe sakrificë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, kryetari i komunës Kadri Rahimaj tha se kjo ngjarje përkujtimore është një moment kur institucionet dhe qytetarët bashkohen për të nderuar sakrificën e luftëtarëve të lirisë.

Mobi Casa

Ai theksoi se përkujtimi i datave 5, 6 dhe 7 mars 1998 lidhet drejtpërdrejt me figurën e komandantit legjendar Adem Jashari, duke kujtuar se sakrifica e familjes Jashari në Prekaz u bë simbol i qëndresës dhe i vendosmërisë së popullit për liri.

Rahimaj shtoi se edhe Kamenica dha kontribut të rëndësishëm në luftën çlirimtare, duke përmendur luftëtarët dhe dëshmorët nga kjo zonë që u angazhuan në zona të ndryshme operative, veçanërisht në Karadak.

Në këtë mbledhje foli edhe përfaqësuesi i OVL-UÇK-së për degën në Kamenicë, Milaim Limoni, i cili theksoi se “Epopeja e UÇK-së” nuk është vetëm një datë kalendarike, por simbol i përjetshëm i sakrificës dhe qëndresës së popullit shqiptar për liri.

Ai shtoi se është obligim moral dhe kombëtar që kjo histori dhe kjo sakrificë të ruhen dhe të përcillen tek brezat e rinj, në mënyrë që të mbetet gjallë kujtesa për kontributin e luftëtarëve dhe dëshmorëve të luftës çlirimtare.

Mbledhja solemne u mbyll me një moment përkujtimi dhe nderimi për të gjithë të rënët për lirinë e vendit./rajonipress/