Sinan Sadiku, poeti i thellësive dhe kritiku i rendit të vlerave letrare
Gjilan/Kamenicë – Poetët janë çudia e bukur e botës. Ata nuk e shohin realitetin vetëm me sy, por me brendinë e shpirtit; nuk e përshkruajnë jetën thjesht si rrëfim, por si përjetim. Në këtë univers të ndjeshmërisë së thellë dhe të kërkimit të pandalur estetik, prej dekadash ecën edhe Sinan Sadiku, një zë i veçantë i poezisë dhe kritikës letrare nga Dardana (Kamenica).
I njohur për lexuesit e artit si krijues i heshtur, por këmbëngulës, Sinan Sadiku është një figurë që bashkon dy dimensione: poetin e ndjeshëm dhe studiuesin analitik të vargut shqip. Ai nuk është vetëm autor i poezive me ngarkesë meditative e lirike, por edhe vlerësues i përkushtuar i zhvillimeve të poezisë bashkëkohore shqiptare.
Nga Gjyrisheci drejt botës së vargut
I lindur më 1961 në fshatin Gjyrishec të Dardanës, shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Dardanë, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Edhe pse me profesion jurist, arti i fjalës mbeti pasioni i tij i përhershëm.
Në një shoqëri ku profesionet shpesh e largojnë njeriun nga prirjet e brendshme, Sadiku dëshmoi të kundërtën: ai ndërtoi një profil krijues paralel me angazhimin institucional, duke investuar dije teorike dhe përkushtim në ndërtimin e vargut poetik.
Që nga bankat e shkollës së mesme, ai nisi të merret me krijimtari letrare, ndërsa në vitin 1996, së bashku me krijues të tjerë, themeloi klubin letrar “Nositi”, të cilin e drejtoi nga viti 2001 deri më 2005.
Vepra poetike dhe kërkimi estetik
Opusi i tij përfshin disa përmbledhje poetike që dëshmojnë evoluimin e një zëri të matur e reflektues:
Veprat e botuara: “Rrobat e engjëllit”, (poezi), klubi letrar “Nositi”, Dardanë, 2000;
“Shigjetat e lakmisë”, (poezi), “Brezi`81”,Prishtinë 2009; “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”(kritikë letrare), SHB “Beqir Musliu”Gjilan 2013;
“Etje e pashuar”, (poezi të zgjedhura nga krijuesit e Dardanës), bashkautorë (me Hysen Këqikun dhe Nexhat Rexhën), klubi letrar “Nositi”, Dardanë 2010.
Në këto vëllime, poezia e Sadikut shfaqet si metaforë e jetës, si përballje me mjerimin shoqëror, vetminë dhe zhgënjimin, por edhe si përpjekje për ta kapërcyer atë përmes artit. Vargjet e tij shpesh bartin një frymë meditative, me nuanca që herë të kujtojnë ndjeshmërinë migjeniane, herë finesën lirike lasgushiane.
Studiues të ndryshëm kanë vënë në pah figuracionin e pasur, përdorimin e tropeve dhe figurave të mendimit, si dhe kujdesin për strukturën e strofës dhe ritmin e brendshëm poetik. Poezia e tij nuk synon vetëm të thotë diçka, por të gjejë mënyrën më të denjë për ta thënë atë.
Kritiku i “rendit të vlerave”
Një dimension tjetër i rëndësishëm i veprimtarisë së tij është kritika letrare. Me veprën “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe” (2013), Sadiku hyn në një terren më analitik, duke ofruar një qasje të strukturuar dhe me referenca shkencore mbi zhvillimet e poezisë shqipe të dekadave të fundit.
Libri përfshin trajtime për vlerësimet estetike të studiuesve shqiptarë, analiza krahasimore dhe sprova kritike që e vendosin autorin në rolin e një studiuesi serioz të artit të fjalës. Vepra është vlerësuar për qasjen metodologjike, përdorimin e fusnotave dhe referencave, si dhe për kontributin që ofron në fushën e teorisë dhe historisë së letërsisë.
Çmime dhe vlerësime
Në manifestimin kulturor “Lulëkuqet e prillit”, Sadiku është shpërblyer tri herë me çmimin e parë për poezitë “Metamorfoza” (2007), “Shkoi për të ardhur” (2009) dhe “Antologji lirie” (2016), duke dëshmuar vazhdimësinë e vlerësimit për krijimtarinë e tij.
Nga administrata publike në pension të parakohshëm, një kapitull i mbyllur, gjurmë që mbeten
Më 31 tetor 2025, në ditën kur u përurua panorama poetike “Det ëndrrash”, e hartuar prej tij, Sinan Sadiku përmbylli edhe një kapitull të gjatë institucional: pas gati 26 vjetësh në krye të Zyrës së Punësimit në Kamenicë, ai doli në pension të parakohshëm për arsye shëndetësore.
Ai e mori detyrën në korrik të vitit 1999, në një periudhë kur gjithçka duhej ndërtuar nga e para. Institucioni funksiononte pa dokumentacion, në kushte të vështira pasluftës, por falë angazhimit të përbashkët me stafin dhe bashkëpunimit me nivelin qendror e rajonal, Zyra e Punësimit u funksionalizua dhe u bë adresë shërbimi për punëkërkuesit dhe punëdhënësit e komunës.
Gjatë këtyre viteve, ai kontribuoi në zbatimin e Masave Aktive të Tregut të Punës, në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe lokale, duke ruajtur profesionalizmin dhe korrektësinë në raport me qytetarët.
Një trashëgimi që vazhdon
Figura e Sinan Sadikut mbetet e dyfishtë dhe e plotë: zyrtari i përkushtuar dhe poeti i ndjeshëm. Ai është dëshmi se arti dhe shërbimi publik nuk përjashtojnë njëri-tjetrin; përkundrazi, mund të ndërtojnë një profil të rrallë të intelektualit që i shërben komunitetit me mendje dhe me shpirt.
Dalja e tij në pension shënon fundin e një etape administrative, por jo të krijimtarisë. Sepse për poetin, pensioni nuk është heshtje, është kohë për t’u kthyer më thellë në botën e vargut, aty ku fjala mbetet e pavdekshme dhe gjurmët e saj jetojnë më gjatë se çdo funksion./rajonipress/


