Rahimaj pret Drejtorin e AKK-së, diskutohet rindërtimi i kadastrit në pesë zona të Kamenicës
Kamenicë – Kryetari i Komunës së Kamenicë, Kadri Rahimaj, së bashku me nënkryetaren Arta Bajralija dhe drejtoreshën për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Diana Kryeziu, kanë pritur në takim drejtorin e Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK), Avni Ahmeti.
Takimi u fokusua në informimin e detajuar lidhur me projektin për Rindërtimin e Kadastrit në Kamenicë, i cili përfshin pesë zona kadastrale: Hogosht, Karaçevë e Epërme, Karaçevë e Poshtme, Petroc dhe Moqare. Projekti synon trajtimin e konteksteve komplekse pronësore-juridike dhe harmonizimin e gjendjes faktike në terren me të dhënat e Regjistrit të të Drejtave mbi Pronat e Paluajtshme.
Sipas zyrtarëve, projekti parasheh rindërtimin e informacioneve kadastrale mbi bazën e të dhënave tekstuale dhe grafike, duke përfshirë fazën e informimit publik, matjet në terren, përpunimin e të dhënave dhe formimin e një komisioni me përfaqësues nga niveli qendror dhe AKK.
Për Komunën e Kamenicës tashmë është shpallur operatori ekonomik dhe, pas përmbylljes së përgatitjeve teknike, pritet të nisë zbatimi sipas fazave të planifikuara.
Gjatë takimit u diskutua edhe për Projektin REGIP (Real Estate Cadastre & Geospatial Infrastructure Project), i cili ka për qëllim përditësimin dhe harmonizimin e të dhënave kadastrale me arkivat ekzistuese, si dhe avancimin e infrastrukturës gjeohapësinore.
Drejtori Ahmeti theksoi se nismat për digjitalizimin e shërbimeve, të cilat deri më tani janë ofruar në formë fizike, po rrisin efikasitetin institucional dhe po lehtësojnë qasjen e qytetarëve në shërbime. Ndërkaq, kryetari Rahimaj vlerësoi lart punën e AKK-së, duke veçuar rëndësinë e gjeoportalit, ndërsa u bë e ditur se të dhënat e publikuara aty pritet të inkorporohen së shpejti edhe në platforma ndërkombëtare si Google.
Të dy palët u dakorduan që bashkëpunimi ndërinstitucional të vazhdojë në realizimin e këtij dhe projekteve të tjera në të ardhmen./rajonipress/


