Thaçi për WSJ: Nuk kam asgjë për të fshehur
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i jashtëm, Hashim Thaçi, ka deklaruar se ai do të bashkëpunojë ngushtë me Gjykatën Speciale dhe se nuk ka asgjë për të fshehur.
Në një intervistë për “The Wall Street Journal” (WSJ), Thaçi ka thënë se gjykata speciale do të themelohet në vjeshtë.
“Njeriu që e transformoi forcën paraushtarake luftarake të Kosovës në një parti politike, po mbështet themelimin e një gjykate të veçantë për t’i hetuar krimet e dyshuara të luftës nga ish ndihmësit e tij”, nis artikullin e tij WSJ.
Akuzat pretendohen mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – një forcë paraushtarake që kishte një krah politik të udhëhequr nga z. Thaçi. Një “Task Force” e Bashkimit Evropian, vitin e kaluar tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht me akuza anëtarët e lartë të UÇK-së, vazhdon WSJ, duke përfshirë vrasjet e paligjshme, rrëmbimet, kampet e paligjshme të paraburgimit, dhunën seksuale dhe përdhosjen e kishave.
Për WSJ, Thaçi tha se nuk ka gjë për të fshehur dhe se do të bashkëpunojnë në çdo rrethanë dhe në çdo formë të nevojshme me gjykatën.
Ai ka mohuar çdo përfshirje ose njohuri për krime të luftës.
“Unë shpresoj shumë se askush nuk do të përpiqet të rishkruajë historinë në përpjekje për të tërhequr paralele apo për ta barazuar gjenocidin e ushtruar nga Serbia me aktet individuale të disa qytetarëve të dëshpëruar”, tha Thaçi për WSJ.
Krijimi i gjykatës së krimeve të luftës do ta përmbushë një kërkesë nga BE-ja për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë, që shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, porse nuk është njohur nga të gjithë si shtet, shkruan WSJ.
Kjo është menduar po ashtu se do t’i ndihmojë procesit të gjerë të pajtimit në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për t’i sjellë të dy vendet pranë anëtarësimit në BE. Përpjekjet e mëparshme për t’i çuar ish anëtarët e UÇK-së në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, me bazë në Hagë, kanë përfunduar me lirimin e tyre, shkruan WSJ, pasi që prokuroria u ankua për frikësimin e dëshmitarëve, si dhe zhdukjen e tyre dhe vetëvrasje të dyshimta.
Kosova paraqet probleme të veçanta për dëshmitarët, sepse “të gjithë e njohin njëri-tjetrin”, citohet të ketë thënë një zyrtar i BE-së i njohur për hetimin e udhëhequr nga BE-ja.
Ndërsa, Thaçi citohet të ketë thënë se mbrojtja e dëshmitarëve “do të jetë një çështje që do ta zgjidhë gjykata”.
Ai ka premtuar se qeveria do të bëjë gjithçka “për të ndihmuar në besueshmërinë e këtij procesi”.


