“Kryetarët e vegjël” festojnë Pavarësinë në Komunën e Kamenicës
Kamenicë – Të veshur me ngjyrat e flamurit të Kosovës, e disa të tjerë me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rreshtuar njëri pas tjetrit, ia mësynë objektit të Komunës. Ato duar të vockla që në hyrje përshëndetën Kadri Rahimaj, kishin drejtuar sytë nga objekti i komunës me aq kureshtje, për të parë se çfarë kishte brenda.
Ishin fëmijët e Institucionit Parashkollor “Filizat”, të cilët së bashku me drejtoreshën Fatime Leci dhe mësueset e tyre, sot vizituan Komunën e Kamenicës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ata u pritën në sallën e Kuvendit Komunal, nga Kryetari Kadri Rahimaj, Nënkryetarja Arta Bajralija, Drejtoresha e Administratës, Arlinda Sejdiu dhe Drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi.
Fytyrat e tyre të buzëqeshura dëgjonin me vëmendje fjalimin e Rahimaj.
“Jam shumë i lumtur që në përvjetorin e pavarësisë keni ardhur në objektin e komunës sonë. Ky objekt është si shtëpia juaj, por më i madh. Ne këtu punojmë bashkë me prindërit tuaj dhe përkujdesemi për qytetin dhe fshatrat ku ju jetoni. Kur kam qenë fëmijë gjithmonë pyesja kush na ndihmon ta bëjmë jetën më të mirë. Ta dini se komuna na ndihmon për këto gjëra që qyteti të jetë më i pastër, të ketë rrugë e trotuare të rregulluara, shkolla të mira, lodra e parqe dhe sa më shumë pastërti”, tha Rahimaj.
Ndër të tjera Rahimaj u shpërndau të gjithë fëmijëve nga një certifikatë duke u thënë se me këtë rast ata janë “kryetarët e vegjël”.
“Ju jeni e ardhmja jonë, për të cilën ne punojmë shumë. Sot të gjithë jeni kryetarët e vegjël. Sot Kamenica ka shumë kryetarë, andaj urime të gjithëve”, u shpreh Rahimaj, i cili u duartrokit fort nga ato duar të vockla.
Edhe fëmijët të lumtur recituan poezi dhe kënduan këngë kushtuar Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dhe heronjve që dhanë jetën për lirinë./rajonipress/


