Fundamenti

Të rinjtë për liberalizimin: Viti 2016, me apo pa viza?

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Mungesa e liberalizimit të vizave po cenon një ndër të drejtat elementare të njeriut, siç është lëvizja e lirë, janë shprehur të rinjtë e Kosovës për rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë.

Disa nga ta shprehen optimistë që viti 2016 do ta gjejë Kosovën me liberalizim vizash, derisa të tjerë janë më pesimistë, nisur nga, siç thonë ata, gjendja ekonomiko-sociale dhe korrupsionin në vend.

Kosova është vendi i vetëm i izoluar në Ballkan, ku për të hyrë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian nevojiten vizat.

Mentor Muharremi, që studion për dizajn, shprehet optimist se 2016-a do të jetë një “shpërblim” për sjelljet e mira të qytetarëve të Kosovës, duke i liberalizuar vizat.

Ai shton se edhe pse ka shumë për t’u bërë deri në përmbushjen e standardeve, megjithatë kjo nuk do të duhej ta pengonte liberalizimin.

“Arsyet ekonomike dhe moszhvillimi në fusha të ndryshme në vendin tonë, nuk duhet të jenë arsye të ndërprerjes së kësaj të drejte”.

Ndryshe, ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka deklaruar ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se pritjet e institucioneve dhe qytetarëve të vendit janë që në vitin 2016 do të udhëtojmë pa viza në shtetet e zonës Shengen.

Ai ka thënë se kjo nuk ka të bëjë me optimizëm apo pritje të pabazuar, por ka të bëjë me bindjen pasi është arritur të përmbushen kushtet e kërkuara dhe se do të vlerësohet pozitivisht puna serioze, nga ana e institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së.

Por, disa nga të anketuarit mendojnë se as në vitin 2016, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian.

Hidromorava

Miranda Kastrati, studente në Fakultetin Juridik, konsideron se Kosova nuk i plotëson kriteret për as më 2016.

“Na duhet shumë kohë për të punuar e për ta fituar (liberalizimin), e jo ta marrim dhuratë liberalizimin e vizave”, konsideron ajo.

Edhe Flora Jahaj shprehet pesimiste.

“Nuk mendoj që liberalizimi i vizave do të ndodhë në vitin 2016. Ndoshta është premtuar, por duke e marrë parasysh gjendjen në Kosovë, nuk mendoj se do të liberalizohemi. Korrupsioni kudo e gjendja e rëndë ekonomike janë fushat ku duhet punuar shumë”.

Besa Beqiri, e cila ka përfunduar studimet për ekonomi, në prononcimin thotë se qytetarëve të Kosovës po u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë në Evropë.

“Ndihem plotësisht e izoluar”, thotë ajo.

Edhe një tjetër qytetare, Drita Sadiku, që studion në Fakultetin Juridik, tregon për përvojat jo të mira për t’u pajisur me vizë. Ajo thotë se asnjëherë nuk ka vizituar vendet e Bashkimit Evropian, pasi që disa herë është refuzuar nga ambasadat ku ka aplikuar.

Ministria për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës, ka përmbyllur tashmë raportin e dytë ku përfshihet përmbushja e kritereve evropiane të përcaktuara nga misioni vlerësues i Bashkimit Evropian. Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se presin rekomandime pozitive nga Komisioni Evropian në lidhje me kriteret e përcaktuara për liberalizimin e vizave Shengen për qytetarët e Kosovës.