Reciprocitet Serbisë
Ibish Mazreku, njohës i mirë i sistemit të sigurimeve në vend, thotë se shoferët kosovarë që udhëtojnë me automjetet e tyre drejt vendeve të ndryshme, detyrohen të paguajnë sigurim kufitar të shtrenjtë.
Zëri: Si e vlerësoni marrëveshjen për polica kufitare mes Kosovës dhe Serbisë?
Mazreku: Marrëveshjen në mes të dy shteteve e shoh si shumë pozitive për disa arsye. E para mundëson dhe lehtëson lëvizjen e lirë të motoristeve kosovarë në këtë shtet me mbulesë siguruese tonën, si dhe së dyti është një hap shumë i rëndësishëm për momentin kur Kosova do të aplikojë për anëtarësimin e saj në Këshillin e Byrove (Council of Bureaux) me seli në Bruksel.
Në bazë të informacioneve që kam marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke të sigurimit valid ka disa specifika të cilat janë: motoristët tanë kur hyjnë në territorin e Serbisë duhet të posedojnë policën TPL Kosova Plus, ku vlera e saj është 30 % e vlerës dhe kohës së mbetur të policës bazike.
Nëse qytetari nuk e posedon ketë policë dhe planifikon të udhëtojë për Maqedoni apo Serbi do të jetë i obliguar të blejë policë kufitare të vendit, e cila është shumë më e shtrenjtë se sa posedimi i policës së sigurimit TPL Kosova Plus. P.sh. Hyrja në Maqedoni pa këtë policë për qëndrim njëditor, motoristi është i obliguar të paguajë sigurim kufitar, ku minimumi i kohës së mbulesës është dy javë dhe kushton 50 euro.
E njëjta gjë vlen edhe për lëvizje drejt Serbisë pa ketë sigurim. Qytetari duhet të pajiset vetëm me një sigurim i cili është valid për të dyja shtetet dhe çdo shtet tjetër në të ardhmen nëse Kosova nënshkruan marrëveshje mirëkuptimi apo marrëveshje të njohjes reciproke./zeri/

