Eko Higjiena

Qeveria e mbyll edhe një vit pa ligj

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Analistët vlerësojnë se mungesa e një ligji të tillë, i cili i jep një privilegj të veçantë Qeverisë dhe zgjatje e kësaj amullie, zgjat mundësinë për keqmenaxhim të parasë publike dhe abuzim me pushtetin.

Edhe pse Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës figuron në planin legjislativ të ekzekutivit për këtë vit, duke paraparë 30 nëntorin, pikërisht sot, edhe ky dokument bazik nuk po procedohet nga Zyra ligjore e kryeministrit Mustafa për shqyrtim dhe miratim në Kuvend. Me këtë ligj, që nuk po bëhet, njohësit e fushës së legjislacionit mendojnë se do të duhej rregulluar dhe mirë përcaktuar organizimi dhe funksionimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, numri i dikastereve ministrore, mënyra e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri, bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe institucioneve të tjera të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktet nënligjore që nxjerr Qeveria. Sidoqoftë, tani krijohet dyshimi se edhe ky ligj pas atij Antimafia, është një nga interesat kriminale të koalicionit qeverisës, me qëllim të ruajtjes së përbërjes aktuale të kabinetit megaloman dhe klientelistë të kabinetit qeveritar që është dizajnuar vetëm për kënaqjen e interesave të klaneve politike dhe jo mbi bazën e një programi dhe strategjie racionale për nevojat e zhvillimit të vendit.

Profesori i së drejtës, Riza Smaka konsideron se edhe kjo Qeveri ka një agjendë ‘adhok’ të ligjeve, sepse po dështon në nxjerrjen e ligjit të parë bazik, e që duhet të jetë ligji për Qeverinë. ” Qeveria aktuale ka më shume ministra, zv.ministra e ndihmës ministra se Gjermania, e cila është një ndër shtetet me GDP-në më të lartë në botë. Sipas filozofisë qeveritare aktuale në Kosovë, Gjermania do të duhej të kishte jo nën 20 ministra, por së paku 300 sish! Qeveria e ngulfatur, në vend se me persona me profesionalizëm afirmativ të fushave përkatëse, kryesisht konsiston në militantë e partizanë partiakë, të devotshëm për grumbullim të votave gjatë fushatave zgjedhore në një anë dhe të prirë për harxhime të parasë publike pa mëshirë”, tha Smaka.

ARKATANA

Qeveria, e paaftë për reforma

Edhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu konsideron se derisa kjo Qeveri nuk është e gatshme për reforma substanciale, nuk ka gatishmëri as për bërjen e ligjit, i cili përkon pikërisht me këto reforma. “Kjo Qeveri nuk është e aftë për asnjë lloj reforme, e aq më tepër për riformatimin e Qeverisë. As që duhet të shpresojmë në këtë. Kufizimi i numrit të ministrive duhet të bëhet përmes reformës kushtetuese që të ketë efekt nga zgjedhjet e ardhshme e më tutje”, tha Spahiu për “Kosova Sot”.

Edhe për analistin Hidajet Ahmeti, është një ngarkesë e madhe korniza qeveritare, sipas së cilës Kosova shquhet me një numër enorm të ministrive, zv.ministrave dhe këshilltarëve politikë, të angazhuar vetëm sa për një rrogë dhe për t’i plotësuar apetitet e koalicionit qeverisës dhe për t’i rehatuar militantët partiakë, prandaj prerja reformatore me një ligj nuk i konvenon aktualisht koalicionit të bërë sa për interesa politike . “Edhe pse në planin legjislativ është i paraparë Ligji për Qeverinë, akoma nuk është proceduar në Kuvend, shkaku i interesave të koalicionit qeverisës. Nuk ka dyshim se peng i procedimit të këtij ligji janë interesat e ngushta të dy partive në koalicion. Mundohen që me çdo kusht të ketë hapësirë ligjore për ta vazhduar këtë mjegull në opinion. Nuk ka kurrfarë logjike, në një vend me papunësi enorme, varfëri të skajshme të ketë numër enorm të ministrive dhe angazhimin e një stafi megaloman. Të njëjtin fat po e përjeton edhe Ligji Antimafia, edhe pse liderët e partive në pushtet e kanë gojën plotë ani-korrupsion, luftim të krimit sa për të krijuar një perceptim në opinion se po punohet”, tha Ahmeti. “Mungesa e një ligji të tillë, i cili i jep një privilegj të veçantë Qeverisë dhe zgjatje e kësaj amullie, zgjat mundësinë për keqmenaxhim të parasë publike dhe abuzim me pushtetin. Në vend se Qeveria të jetë në shërbim të qytetarëve, ajo po zbaton agjendat politike të koalicionit qeverisës për të thelluar korrupsionin, krimin dhe trashjen e klientelës së tyre”, tha Hidajet Ahmeti./kosova sot/