Uji Dea

Pasqyrë e kohës

/ 2 minuta lexim
ARKATANA
  1. Po të kishte barazi e drejtësi, s’do të ekzistonte lufta për liri.
  2. Po të mos ishin të buta fotelet, Kuvendi do të mbetej bosh.
  3. Vetëm ata që janë faqezinj e shfrytëzojnë imunitetin për hajni.
  4. Mali ia jep bishtin sëpatës; i dehuri i vë flakën shtëpisë.
  5. Zagari shkërmoqet duke vrapuar, gjahun e merr tjetërkush.
  6. S’kemi ende ushtri, se të gjithë jemi bërë gjeneralë e komandantë.
  7. Avokati të shumtën e herëve mbron të keqin.
  8. Opozita i bie daulles, e lojën e luan pozita.
  9. Ata që i vjedhin votat, i vjedhin edhe milionat.
  10. Rrahagjoksi thotë se bën mur, por s’di ç ‘është as llaçi as gdhendja e gurit.
  11. Më mirë pa shkollë se me mësues dhaskal.
  12. Të gjithë përpiqen të gjallërojnë ditën; vetëm hajdutët dhe huti natën.
  13. Lepujve edhe zogjtë në fluturim ua prishin zemrën.
  14. Bleta pickon, por edhe shëron; gjarpri vetëm helmon.
  15. Druri i lindur për sëpatë, bari për kosë.
  16. Kushtoni kujdes zemrës, jo flokut.
  17. Mulliri me ujë është i Zotit, ai me rrymë i njeriut.
  18. Edhe kur Zoti u fal pasuri të vegjëlve, ua rrëmbejnë të mëdhenjtë.
  19. Dielli largon errësirën, libri analfabetizmin.
  20. Shiu i qetë ushqen bimët, njeriu i urtë e i dashur zemrat.
  21. Fillimisht mat forcën, pastaj dikto lojën.
  22. Dashuria dhe fqinjësia e mirë kërkojnë reciprocitet.
  23. Letrën dhe pjatën mos i mbushni me gjëra të pavlera, se ua prishin disponimin dhe stomakun.
  24. Njeriun e bën luftëtar robëria; kafshën agresive mungesa e ushqimit.
  25. Politika në skenë sjell edhe ata që nuk u besohet as një tufë delesh.
  26. Njeriun e bën atdhetar guximi dhe dashuria për vendin; tradhtari lind me instinktin e nënshtrimit dhe pabesisë.
  27. Ende bëhet garë për themelimin e UÇK-së, edhe pse dihet se ajo u themelua nga ata që vdiqën me armë në duar.
  28. Idealistët burgjet dhe dajakun; horrat pozitat dhe privilegjet.
  29. Të bësh biznes dhe dallavere me serbët e maqedonasit do të thotë të pajtohesh me turpin.
  30. Vota në Kosovë është në pikë të hallit, brenda jepet për një darkë a drekë, në mërgim për pension moshe dhe shtesa fëmijërore.
    ARIF EJUPI
    Gjenevë, 22 janar 2026