FIDANISHTJA

Hajrush Fazliu, mjeshtër i koloritit dhe filozofisë vizuale, një jetë e shndërruar në art

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Hajrush Fazliu është një nga emrat më përfaqësues të artit pamor shqiptar, një magjistër i pikturës që për dekada ka ndërtuar një univers artistik të veçantë, ku ngjyra, forma dhe ideja bashkohen në një gjuhë të thellë shpirtërore dhe filozofike. Pedagog, krijues, eseist dhe publicist, Fazliu ka lënë gjurmë të pashlyeshme si në arsim ashtu edhe në krijimtarinë figurative.

Në pikturën e Hajrush Fazliut ngjyra nuk është vetëm pigment, por mendim; forma nuk është vetëm figurë, por gjurmë kohe; ndërsa kanavaca shndërrohet në hapësirë ku bashkëjetojnë kujtesa, ankthi, bukuria dhe shpresa. Ai është artisti që nuk pikturon për ta zbukuruar botën, por për ta kuptuar atë.

Me një krijimtari disa-dekadëshe, Hajrush Fazliu ka ndërtuar një univers të veçantë estetik, ku realja dhe imagjinarja ndërthuren në një gjuhë të fuqishme vizuale, duke e bërë atë një nga emrat më përfaqësues të artit bashkëkohor shqiptar.

I lindur në Gjilan, ai këtu e nisi rrugëtimin e tij jetësor dhe artistik, duke u formuar gradualisht në një personalitet të kompletuar të artit bashkëkohor shqiptar.

Formimi akademik dhe rrugëtimi pedagogjik

Shkollën fillore dhe Shkollën Normale i kreu në Gjilan (1967/68), ndërsa Akademinë Pedagogjike, Arti Figurativ e përfundoi në Shkup më 1971. Studimet universitare i mbaroi në Fakultetin e Arteve në Prishtinë më 1979, ndërsa studimet pasuniversitare po aty, më 1996.

Që në fillimet e tij, Hajrush Fazliu u shqua si pedagog i përkushtuar dhe krijues i palodhur. Ai ligjëroi në shumë institucione arsimore: në Shkollën Fillore “Thimi Mitko” në Gjilan (1968), “Skënderbeu” në Përlepnicë (1972), Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan (1974/75), Gjimnazin “9 Maji” në Kamenicë (1975–1978), si dhe në ish-Shkollën Normale “Skënderbeu” në Gjilan. Për dekada, ai mbeti i lidhur ngushtë me ditarin, me nxënësin dhe me artin, duke edukuar breza të tërë krijuesish.

Ekspozitat dhe shtrirja ndërkombëtare

Si piktor i afirmuar, Hajrush Fazliu ka realizuar ekspozita personale dhe kolektive në Kosovë dhe jashtë saj. Veprat e tij janë prezantuar në Shkup, Prishtinë, Tiranë, Gjilan, Tetovë, Gostivar, Strugë, Strumicë, Shtip, Sofje, Belgjikë (Salloni Internacional “Grand Prix”), Turqi, Gjermani, Mal të Zi dhe në shumë qendra të tjera kulturore evropiane.

Ai ishte pjesë e ngjarjeve të rëndësishme kulturore si “Flaka e Janarit”, ekspozita “Me art kundër dhunës”, si dhe manifestime ndërkombëtare në përvjetorë historikë, përfshirë edhe ekspozitat kushtuar Skënderbeut.

Vlerësime, çmime dhe mirënjohje

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm si pedagog dhe krijues, Hajrush Fazliu është nderuar me dhjetëra diploma, medalje dhe mirënjohje, ndër to:

Mirënjohje për kontribut në zhvillimin e artit figurativ (1982),

Diplomë nga Komiteti i XIII-të në Zagreb (1985),

Mirënjohje nga Kuvendi i Bashkësisë Arsimore për arsimin shqip (1992),

Mirënjohje nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” (1993),

Çmimi i parë në pikturë (2000),

Medalje për kontribut të veçantë nga Gjenerali Reinhardt (2005),

Medalje e argjendtë në Belgjikë – “Salloni 35 Internacional Grand Prix” (2006).

Ai ka qenë gjithashtu anëtar i komisioneve profesionale për planifikim dhe programim të lëndës së Artit Figurativ në Ministrinë e Arsimit të Kosovës, si dhe autor dispencash, tezash seminarike dhe teksteve metodike.

Arti i tij në syrin e kritikës

Kritiku i artit Dr. Sc. Hivzi Muharremi e cilëson Hajrush Fazliun si “piktor të figuracionit dhe sublitetit koloristik”, ku ngjyra transparente dhe imagjinata ireale ndërtojnë një botë misterioze dhe simbolike.

Ndërsa Dr. Mojkom Zeqo nga Tirana vëren se arti i Fazliut “është një urë mes historikes dhe universales, ku forma, ovalja dhe ngjyra harmonizohen në një lirizëm epik e metafizik”.

Edhe kritikë të tjerë si Ylli Deishti, Kujtim Buza, Rexhep Ferri dhe Jalldëz Asani e shohin Fazliun si një krijues të rrallë, i cili ndërton një gjuhë personale artistike, ku realiteti, imagjinata, dramatizimi dhe plasticiteti bashkëjetojnë në mënyrë organike.

Piktor i kujtesës, ngjyrës dhe idesë

Ciklet e tij të njohura si “Imazhi i vezës”, “Mbijetesa”, “Nudot”, “Peshqit”, “Kullat” e të tjera, dëshmojnë një pikturë që nuk është vetëm vizuale, por edhe meditative, filozofike dhe thellësisht njerëzore.

Arti i Hajrush Fazliut është një dialog i vazhdueshëm mes shpirtit dhe formës, mes së dukshmes dhe së fshehtës, mes kujtesës historike dhe universales bashkëkohore.

Analiza kritike e Jalldëz Asanit mbi universin piktural të Hajrush Fazliut

Jalldëz Asani, në shkrimin e saj “Freskia në lirinë e një shprehjeje artistike”, thekson se sensi i lartë estetik dhe invencioni kreativ që posedon Hajrush Fazliu i mundësojnë atij të transponojë bukurinë esenciale dhe vrazhdësinë relative të natyrës në bukuri artistike autentike. Me një fantazi të rrallë dhe të kultivuar, Fazliu ka arritur që, përmes një krijimtarie disa dekadëshe, të formësojë një shprehje individuale dhe të dallueshme në pikturë.

Sipas Asanit, piktura e tij është e dinamizuar me shpirt, e përmasuar përmes torzos trupore, ndërsa akcidenca vizuale realizohet përmes përdorimit mjeshtëror të ngjyrave, brenda përkufizimeve perceptive të kategorive të ndryshme kohore, herë vertikale, transcedentale, e herë horizontale, imanente historike. Ai arrin që tërë korpusin e energjisë mentale dhe vizuele, agjensin themelor perceptiv dhe gjithë përvojën e tij profesionale ta bartë në pëlhurë, duke krijuar kështu një pikturë ku bashkohen realiteti dhe imagjinata, vizatimi i theksuar, dramatizimi dhe plasticiteti.

Filozofia piktoreske e Hajrush Fazliut, sipas Asanit, paraqet një orkestrim të rafinuar të elementeve të artit figurativ: nga njëra anë tërheqëse dhe estetike, nga ana tjetër të ngarkuara me një reciprocitet sugjestiv të koloritit. Ankthi që ndjehet në pëlhurat e tij është reflektim i makrouniversit të përkthyer në mikrokozmosin personal të artistit, i shprehur përmes ngjyrave të ndezura e të ngrohta që shpërthejnë në tone të pastra dhe të kontrolluara.

Prandaj, Asani e cilëson Fazliun si piktor të ngjyrës dhe idesë, i cili arrin me mjeshtëri lojën e formave dhe intensitetin koloristik. Në disa momente, ai pikturon në mënyrë ekspresive në formate të mëdha, duke i vendosur figurat në prapavija të pasura koloristike, ku paleta e gjerë e ngjyrave përdoret me ritëm të qëllimshëm për të arritur dramatizimin e temës. Në raste të tjera, figurat paraqiten me ngjyra transparente ose të plota, ku vihet re qartë kontura e realizuar përmes një vije elegante dhe delikate.

Si rrjedhojë, piktura e Hajrush Fazliut nuk vepron vetëm si kategori shpirtërore, por edhe si materie fizike e mëvetësuar, e cila për njohësit e artit përfaqëson freskinë e lirisë absolute fiziko-metafizike të artistit. Arti i tij është një lirizëm i harmonizuar koloristik, ku universalja na udhëheq drejt kujtesës historike përmes koloritit metafizik dhe referencave të antikitetit, në përpjekje për të ringjallur atë që me kohë kishte rënë në harresë.

Idetë e Fazliut, thekson Asani, nuk përcillen si substanca të thata konceptuale, por si pjesë të gjalla që burojnë nga thellësitë e pasura shpirtërore të artistit dhe pikërisht këtu qëndron forca e tij kryesore: aftësia për të fascinuar dhe përfshirë tërë publikun përmes një arti të sinqertë, të menduar dhe thellësisht njerëzor.

Trashëgimi që vazhdon

Hajrush Fazliu mbetet një figurë emblematike e artit pamor shqiptar, piktor i ngjyrës dhe idesë universale, pedagog i përkushtuar dhe krijues që ka ditur ta shndërrojë jetën në art dhe artin në përjetësi.

Biografia profesionale e kompletuar e Hajrush Fazliut

Piktor dhe pedagog universitar

Data dhe vendlindja: I lindur më 8 dhjetor 1949, në Karaqevë të Poshtme, Komuna e Kamenicës, Kosovë.

Arsimi: Shkolla Normale, Gjilan

Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Shkup

– Shkolla e Lartë Pedagogjike (SHLP), dega Art Figurativ (1970–1972)

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

– Fakulteti i Artit Figurativ, dega Skulpturë, klasa e Akademik Agim Çavdarbasha

FIDANISHTJA

Studime pasuniversitare

– Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti i Arteve

– Dega Pikturë, klasa e Akademik Rexhep Ferri

Titulli akademik: Profesor i Asociuar

Përvoja profesionale dhe pedagogjike

Hajrush Fazliu ka një përvojë shumëvjeçare në arsimin fillor, të mesëm dhe universitar, duke ligjëruar dhe kontribuar në formimin artistik të brezave të rinj.

Institucione arsimore:

Shkolla Fillore “Vuk Karaxhiq” / “Thimi Mitko”

Shkolla Fillore “Skënderbeu”, Përlepnicë

Shkolla Fillore “Selami Hallaqi”, Gjilan

Gjimnazi “Zenel Hajdini”, Gjilan

Gjimnazi “9 Maji”, Kamenicë

Shkolla Normale “Skënderbeu”, Gjilan

QAMO, Gjilan

Arsim i lartë:

Universiteti i Prishtinës – SHLP (Gjilan dhe Prishtinë)

Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Mësuesisë

Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Edukimit

Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Arteve

Universiteti Shtetëror i Tetovës – Fakulteti i Arteve dhe Fakulteti Pedagogjik

Kolegji AAB, Prishtinë

Udhëheqje dhe angazhim institucional

Trajner i KV “Taftison/Drita”, Gjilan

Zëvendësdrejtor i Shkollës Fillore “Selami Hallaqi”, Gjilan (1982–1995)

Kryetar i Shoqatës së Artistëve Vizualë të Kosovës (1997–2001)

Përzgjedhës i Reprezentacionit të Kosovës në volejboll (femrat)

Prodekan i Fakultetit të Arteve, Universiteti i Prishtinës (2010–2015)

Ekspozita personale (përzgjedhje)

(1997–2025)

Prishtinë, Tiranë, Shkup, Gostivar, Gjilan, Tetovë, Strumicë, Shtip, Strugë, Fort Worth (SHBA), Suharekë, Fier, Koçani, Bukuresht, Pejë, Romë, Kamenicë, Rahovec etj.

Gjithsej: 25 ekspozita personale kombëtare dhe ndërkombëtare

Ekspozita kolektive

Pjesëmarrës në mbi 200 ekspozita kolektive në:

Ballkan, Evropë, Afrikë, Azi dhe Amerikë

Udhëtime studimore

Itali, Austri, Holandë, Belgjikë, Francë, Suedi, Greqi, Egjipt, Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çmime, dekorata dhe tituj nderi

I dekoruar me lavdërime, medalje dhe mirënjohje për kontribut në arsim, kulturë dhe sport

Sportist i Vitit – 1976

Trajner i Vitit – 1988

Medalja e Argjendtë për Paqe dhe Siguri, dhënë nga Gjenerali Klaus Reinhardt – 1999

Ambasador i Paqes, Romë, Itali – 2021

Doktor Honoris Causa, Akademia Evropiane e Arteve, Paris – 2023./rajonipress/