ARKATANA

Profil/Një emër model në dritën e arsimit

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nexhat Buzuku – Jo vetëm një mësimdhënës i një lënde, jo vetëm një interpretues i dijeve, por një njeri me një horizont të gjerë mendor e kulturor, që mbjell te brezat e rinj dashurinë për mësimin, mendimin e pavarur dhe kuptimin e jetës. Mbi të gjitha, ai është një profesor me energji pozitive, i gatshëm të japë maksimumin dhe i qëndrueshëm në parime e etikë profesionale. Një personalitet unik, i cili me praninë e tij rrit standardin e arsimit.

Ai është një arsimues i ditur, i kompletuar dhe me kulturë shembullore pedagogjike. Me nivel të lartë profesional, me qasje bashkëkohore në mësimdhënie dhe me njohuri të gjera përtej fushës së tij, ai është bërë një emër model në arsim, një njeri që e kupton thelbin e edukimit: formimin e njeriut.

Ai nuk kufizohet vetëm në interpretimin e njohurive apo në përcjelljen e tyre. Profesori shkon më tutje – edukon, drejton, frymëzon dhe i aftëson nxënësit se si të mësojnë, si të mendojnë dhe si të zhvillohen në jetë. Mësimi i tij nuk është vetëm proces shkollor, por udhërrëfyes për të ardhmen, që nesër secili nxënës të ecë i pavarur, i përgatitur dhe i vetëdijshëm.

Prej vitesh punon në ShFMU “Rexhep Elmazi” në Gjilan. Edhe sot, ku është dalluar si metodist i shkëlqyer në pedagogji dhe didaktikë.

Përvojën e tij e ka zbatuar jo vetëm në klasë, por edhe në trajnime profesionale për mësimdhënësit, duke kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve të stafit arsimor në metodologjinë kurrikulare bashkëkohore.

Ai është mësimdhënës i licencuar dhe i vlerësuar lart nga kolegët si njeri me inteligjencë profesionale, komunikim të artikuluar, mendje të hapur dhe aftësi të shkëlqyera për menaxhimin e situatave në shkollë.

Karakterizohet nga puna në ekip, bashkëpunimi, sinqeriteti dhe qëndrueshmëria etike.

Posedon një patos intelektual që e bën figurë me peshë në mjedisin edukativ.

FIDANISHTJA

Deri sot është treguar shembull i pastër profesional në çdo detyrë që ka marrë. I pranuar nga nxënësit, i respektuar nga prindërit, i vlerësuar nga kolegët dhe i njohur në komunitet si njeri i kulturës dhe maturisë, ai ka ndërtuar një reputacion që flet vetë.

Në çdo orë mësimi dhe çdo ditë pune, profesori ka manifestuar kulturë mësimore, mençuri, zgjuarsi, bashkëpunim dhe mirëkuptim – gjithmonë në funksion të arsimimit të drejtë, cilësor dhe modern.

Ai është njeriu që në heshtje, me disiplinë e përkushtim, ka kontribuar në përhapjen e dritës së dijes dhe në kultivimin e vlerave shoqërore: mirësi, respekt, humanizëm, dashuri për mësimin dhe për jetën.

Prandaj, një emër që bart kaq shumë pasuri profesionale e njerëzore, natyrshëm meriton ta zgjerojë sferën e ndikimit të tij edhe përtej një shkolle.

Shoqëria përparon atëherë kur në pozitat kyçe vendosen njerëzit e duhur – njerëz me integritet, vizion dhe kompetencë.

Dhe kur shërbejnë të duhurit, rezultatet i prek gjithë komuniteti.

Ky emër është Murat Mustafa, profesor i gjeografisë, arsimues e edukator model.

Do të ishte kandidat dinjitoz për drejtimin e arsimit komunal.