UBT

Një qiri për vëllain tim, Rifatin (3 vjet nga ikja në amshim)

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nexhat Buzuku – Sot janë bërë tri vjet që ai u nda nga jeta, por për mua nuk është larguar kurrë. Shpesh më duket se po troket në derë… hija e tij më shfaqet para syve, sikur po më thotë diçka në atë qetësinë e butë që e kishte gjithmonë.

Rifati jetoi mbi pesë dhjetëvjetsha. Vdekja e tij ndodhi më 6 dhjetor 2022, por dhimbja dhe kujtimi rrinë ende të pashlyer. Atë vit, në gusht, ishte në pushim në Gjilan. Ditën e fundit, para se të kthehej në Vjenë, ndejtëm bashkë në banesën e tij. Biseduam si zakonisht, qetë e me mall vëllazëror. Pastaj u nis për në Prishtinë, e prej andej me autobus për në Vjenë – pa e ditur askush prej nesh se ky do të ishte takimi i fundit, përqafimi i fundit.

Të nesërmen më lajmëroi nga Vjena. Më tregoi se gjatë udhëtimit kishte qëlluar pranë tij një person me Covid-19. E kishte vërejtur, e kishte pyetur, dhe ai ia kishte konfirmuar. “Duhesha me u paraqit në punë, prandaj udhëtova”, i kishte thënë ai njeri.

Biseduam të dielën. Rifati më tha se të hënën do t’i bënte analizat. Të martën më njoftoi se kishte dalë pozitiv. Ditët që pasuan u rënduan: lodhje, vështirësi në frymëmarrje, posaçërisht kur ngjitej shkallëve deri në katin e tretë ku banonte në Vjenë.

Në natën e 6 dhjetorit zemra e tij u ndal përgjithmonë.

Lajmin për ndarjen nga jeta na e njoftoi djali i tij.

U varros në Vjenë, larg vendlindjes, por jo larg zemrës sime.

Kemi shumë mall për te.

Ai ishte njeri i jashtëzakonshëm – i urtë, humanist dhe njeri i dashur.

Mobi Casa

Për mua ishte më shumë se vëlla: ishte shok, ishte dritë e jetës sime dhe e familjes sonë.

Rrezatonte mirësi dhe butësi, ishte i mençur dhe i zgjuar, shquhej për humor të lehtë dhe të ëmbël.

Ai kishte një rreth të gjerë miqsh nga Kosova që i ndihmoi kur shkonin në Vjenë.

Kemi kaluar fëmijërinë bashkë në fshat, pastaj rininë në Gjilan. Kam shumë kujtime me të.

Më mungon çdo ditë.

Sot do të ndez një qiri në shtëpi – për emrin e tij, për shembëlltyrën e tij, për shpirtin e tij të butë që rron në kujtesën time.

Le të jetë ky qiri një dritë e vogël për një jetë të madhe.

I paharruar qoftë vëllai im, Rifati.