UBT

Nëntor krenarie!

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Arif Ejupi – Kushtuar z. Xheladin Rekaliut, me rastin e 26-vjetorit të kalimit në amshim.

Më 27 Nëntor 1968, u dha fjalë e u lidh besë – i gjithë Llapi u ngrit në protestë. Të nesërmen, me të gdhirë ditë e re, u vërshua Prishtina nga djem petritë e vasha sokolesha. Fuqishëm jehoi zëri i Osman Dumoshit, Selatin Novosellës, Xheladin Rekaliut, Adil Pirevës, Skënder Kastratit, Hasan Dërmakut, Ilaz Pirevës, Afrim Loxhës e Skënder Muçollit me shokë.

Mirë se erdhët, vëllezër e motra, nga Shkupi, Kumanova, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Ohri, Prespa, Manastiri, Medvegja, Presheva, Bujanoci, Ulqini, Kraja, Plava, Gucia, Gruda, Pazari i Ri dhe mbarë Kosova!

Sot, në këtë ditë të shenjtë, jemi betuar në nderin dhe guximin e Hasan Prishtinës, në lavdinë dhe qeleshen fanar drite të Isa Boletinit.

Duam shkolla dhe universitete në gjuhën e shenjtorëve tanë – Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Budi, Naum Veqilharxhi e At’ Gjergj Fishta. Duam flamurin e Kastriotit, me shkabë që çdo shqiptar e ndien si nënë e babë.

Kujtojmë Fazli Grajçevcin e Shaban Shalën, që me tortura çnjerëzore iu mor jeta vetëm pse mbrojtën gjuhë dhe flamur. Emrat e tyre s’do të harrohen kurrë!

Kërkojmë lirimin e Adem Demaçit, udhërrëfyesit dhe motivuesit tonë. Kërkojmë ndërprerjen e dhunës ndaj Ramë Govorit, Hazir Shalës, Kadri Osmanit, Teki Dervishit dhe Metush Krasniqit.

Le të tundën Danubi, Sava e Drina! Le të ndizet flakë Prishtina! Mjaft u bëmë urë, mjaft vuajtëm porsi gjarpri nën gurë!

Na u morën tokat, na u lanë të zbrazëta sofrat, na u dogjën shtëpitë, na u shkatërruan qiparis e varre!

Siberiano-shumadianët, në tokën tonë iliro-dardane, po mundohen të na nënshtrojnë – ose të na zhdukin fare. Por ka ardhur koha t’i dalim zot vetvetes!

Uji Dea

Mjaft punuam sharrëxhi, oxhakfshirës, pastrues rrugësh e mullisë. Adem Demaçi, trim me fletë edhe pse i ndrydhur vetmie, nga burgu skëterrë i Pozharevcit dha kushtrimin:

“Le të valojë lirshëm Flamuri Kuq e Zi! Le t’i mbushin shkolla e fakultete rinia! Le të rrojë Shqipëria!”

U alarmua Beogradi, u tërbua Serbia. Sërbi, malazezi, maqedonasi – dreqi dhe i biri – shfrynë mllefin shovin mbi shqiptarë.

Në altarin e lirisë ra Murat Mehmeti, ende fëmijë, që etje të madhe ndiente për të shtrenjtën Liri.

Në gjak u la Prishtina. Por për asnjë çast nuk u zmbrapsën këta djem trima.

Nëntori i ’68-ës – formulë pagëzimi!

Nëntor Universiteti! Nëntor Flamuri, Arbënor! Nëntor Plisi, si dëbora në majat e Sharrit! Heroizëm i paparë rinie! Nëntor dinjiteti! Nëntor lavdie!

ARIF EJUPI Gjenevë, 27 Nëntor 2025

Në këtë shkrim përkujtimor, autori Arif Ejupi rikthen në kujtesën figurën e Xheladin Rekaliut, një prej bartësve të demonstratave të mëdha të nëntorit 1968,ngjarje që shënoi ringjalljen e vetëdijes kombëtare shqiptare në Kosovë. Me gjuhë poetike dhe zemër të ndezur, autori e përjetëson atë brez idealistësh që ngritën zërin për gjuhën, flamurin dhe dinjitetin kombëtar, duke u bërë themel i lirisë që do të vinte tri dekada më vonë. Ky tekst është një himn i kujtesës, lavdisë dhe krenarisë shqiptare.