Eko Higjiena

Garat e enigmatëve në Gjilan, një traditë që mban gjallë krijuesit shqiptarë

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Rexhë Hasani, redaktor i revistës “Horizonti” – Në qytetin e Gjilanit, enigmatika nuk është thjesht një lojë fjalësh, por një pasion që ushqen mendjen dhe shpirtin krijues të atyre që merren me përpilimin e enigmave. Garat enigmatike që zhvillohen këtu ndër vite dëshmojnë një traditë të rrallë, që e ka bërë këtë qytet qendër të mendimit enigmatik shqiptar.

Më 25 tetor 2025, Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda”, përveçse shënoi përvjetorin e 45-të të themelimit (1980–2025), organizoi një sërë aktivitetesh, përfshirë garat e fjalëkryqeve dhe anagramëve. Kampion në fjalëkryqe u shpall Ekrem Krasniqi nga Mitrovica, ndërsa kampion në anagram, Sadri Husmani nga Tetova.

Shoqata “Ndre Mjeda” dhe revista “Horizonti”, që afrojnë drejt përvjetorit të 45-të (15 janar 1981–2026), kanë qenë shtyllat kryesore të këtyre veprimtarive. Përmes përkushtimit të redaktorëve, autorëve dhe dashamirëve të fjalës së mençur, Gjilani ka ruajtur dhe kultivuar një frymë të veçantë, ku logjika, gjuha dhe kultura përzihen në mënyrë harmonike, duke ofruar një sfidë të bukur dhe të pasur krijuese për pjesëmarrësit.

Garat e enigmatëve nuk janë thjesht një test i njohurive apo zgjuarsisë, por një festë e mendjes. Krijuesit më të mirë të fjalëkryqeve, anagrameve, rebuseve dhe enigmave të ndryshme përballen në një arenë të bukur të dijes dhe kulturës. Çdo pjesëmarrës, pavarësisht rezultatit, largohet më i pasur shpirtërisht dhe më i lidhur me gjuhën shqipe.

Uji Dea

Këto gara kanë gjithashtu një dimension të rëndësishëm arsimor dhe kulturor. Ato zhvillojnë të menduarit logjik, nxisin dashurinë për fjalën e pastër shqipe dhe krijojnë ura bashkëpunimi midis brezave. Përmes tyre, të rinjtë njohin një botë tjetër të dijes dhe mprehtësisë, ndërsa të vjetrit gjejnë vazhdimësinë e punës së tyre tek duar të reja.

Falë përkushtimit të organizatorëve dhe mbështetjes së bashkëpunëtorëve, garat enigmatike në Gjilan kanë fituar një vend të nderuar në kulturën shqiptare. Ato dëshmojnë se pasioni për gjuhën, logjikën dhe krijimtarinë nuk shuhet; përkundrazi, ringjallet sa herë që enigmatët mblidhen për të matur forcën e mendjes dhe bukurinë e fjalës.

Në një kohë kur teknologjia shpesh zëvendëson mendimin e thellë, këto gara mbeten një kujtesë e vlefshme se inteligjenca, mprehtësia dhe kultura janë thesare që duhet ruajtur dhe përçuar. Gjilani, përmes enigmës, vazhdon të dëshmojë se fjala dhe mendja janë forca që bashkojnë njerëzit dhe pasurojnë kulturën enigmatike shqiptare./rajonipress/