Mobi Casa

E vërteta pa zbukurime

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Cikël aforizmash dhe sarkazmash nga Arif Ejupi

Hidromorava
  • Interesxhinjtë vlerësojnë xhepin dhe xhupin, e jo dijen.
  • Kur përfundon interesi, zbehet miqësia.
  • Disa gra vlerësohen për pamjen, jo për dijen.
  • Nëse dritaret e shtëpisë tënde janë ngjitur me të fqinjit, sherri është i pashmangshëm.
  • Dënim më i rëndë nuk ka, se kur të udhëheq i padituri dhe injoranti.
  • Zbatimi i kanunit dhe ligjit njëkohësisht vetëm e bën punën llugë.
  • Nata vjen e qetë, por bredhacakët ia prishin qetësinë.
  • Disa shkojnë në varrim për të kryer formalitet, jo për të respektuar.
  • Më vështirë është të ruhet fama se sa të fitohet.
  • Dy kandidatët për kryetarë të Prishtinës premtojnë parajsën, pa e parë që i ka mbuluar bërlloku.
  • Shteti ndërtohet me punë, e jo me analiza boshe; ngase për konfiguracionin gjeografik kujdesen të fortit.
  • Sot, pozitë merr nëse ke muskuj dhe nëse bëhesh si mësalla me shtatë fytyra.
  • Në fushata zgjedhore, mashtruesi i bën të gjithë dajallarë, nipa e mbesa.
  • Sikur ta nderonim njëri-tjetrin si në fushatat zgjedhore, do të ishim populli më i lumtur në botë.
  • Te ne më keq të shohin po të jesh pa parti, se sa pa grua.
  • I promovojnë si heronj, e u dalin tradhtarë, domethënë kanë hyrë në pyll pa sëpatë.
  • Disa, mjerë shtëpia dhe partia që i ka.
  • Le të dihet kush është gazetar e kush prokuror, se u bëmë horë.
  • Liderët partiakë nuk thonë: “Na u largua rinia!”, por thonë: “Rroftë partia!”
  • Disa nostalgjikë ende për Titon e Enverin – të dyve Kosova ua ka parë sherrin.
  • Lepujt shtohen shpejt, sepse vdesin shpejt.
  • Ata që gjithmonë janë ushqyer me biftek, sallatë jeshile e verë, sot sillen si shpëtimtarë të kombit.
  • Historia që shkruhet nëpër kafene e oda, tretet si vesa para diellit.
  • Puna e analistëve politik – profesion apo zbavitje?
  • “Fakte” ka plot, por fakt është që po gënjehet shumë.
  • “Kojshia Show” – jo vetëm kojshia, po tanë katundi e krejt qyteti.
  • “Në pikë” – në pikë të hallit kemi rënë, se nuk po dimë kujt me i besua.
  • “Udhëve” – jemi shpërndarë si vezët e qyqes.
  • “Gjurmë drite” – pak dritë, rrena e improvizime shumë.