Sinan Sadiku del në pension të parakohshëm, gjurmët pozitive mbesin kujtime për shumë gjenerata
Kamenicë – Sinan Sadiku një krijues i palodhur dhe shumë i zgjuar dhe një zyrtar punësimi shumë i respektuar në Kamenicë, ka dalur në pension të parakohshëm. Puna e tij e çmuar dhe bashkëpunimi e gatishmëria e tij për të quar e avancuar përpara institucionet e Kamenicës dhe kërkesat reale të qytetarëve, mbesin një nga punët më të mira që ka bërë Sinan Sadiku.
Postimi i plotë i shkruar nga Sinan Sadiku:
Pikërisht sot, më 31.10.2025, kur u përurua panorama poetike “Det ëndrrash” e hartuar nga unë, ishte dita e fundit e imja në detyrën e Udhëheqësit të Zyrës së Punësimit në Kamenicë. Prej 01.11.2025, për shkak të problemeve shëndetësore, do të jem pensionist i parakohshëm. Detyrën e Udhëheqësit të ZP-së në Kamenicë e kam kryer prej fillimit të korrikut të vitit 1999, ose gati 26 vjet e 4 muaj.
Në vitin 1999 kemi filluar prej zeros, sepse në objektin ku ka vepruar Enti i Punësimit dhe në objektin e komunës qe vendosur KFOR-i rus i cili nuk na pati lejuar ta merrnim asnjë dokument.
Falë angazhimit të përbashkët me personelin e ZP-së dhe bashkëpunimit me nivelin qendror e rajonal shpejt e patëm funksionalizuar institucionin.
Kemi qenë në shërbim të njerëzve që kanë kërkuar punë dhe të punëdhënësve që kanë kërkuar punëtorë. Me personelin e ZP-së në Kamenicë kemi punuar dhe bashkëpunuar me profesionalizëm, korrektësi e mirëkuptim të plotë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme i kemi kryer detyrat tona, duke u dalë në ndihme të papunësuarve që kanë kërkuar punë dhe duke i realizuar Masat Aktive të Tregut të Punës (MATP) të dizajnuara nga niveli qendror në interes të punëkërkuesve dhe të punëdhënësve.
E di që nevojat dhe kërkesat kanë qenë më të mëdha, por buxheti i ndarë për këtë fushë nuk ka qenë i mjaftueshëm, po ka pas edhe kufizime të shumta të parapara me ligje dhe me akte nënligjore.
Gjatë punës në pozitën e Udhëheqësit të ZP-së në Kamenicë kemi punuar dhe bashkëpunuar si është më së miri me personelin e ZP-së në Kamenicë, me drejtorin e Qendrës Rajonale për Punësim në Gjilan dhe personelin e asaj qendre.
Deri në vitin 2017, kur është themeluar Agjencia për Punësim e Republikës së Kosovës (APRK), ka funksionuar niveli rajonal dhe drejtori i asaj qendre ka qenë edhe drejtor i imi. Thuajse gjatë tërë kohës drejtor ka qenë z. Xhevat Aliu, një punëtor i madh, i përpiktë dhe principiel me të cilin ka qenë kënaqësi të punosh. Prej vitit 2017 nuk ka nivel rajonal dhe Udhëheqësit e Zyrave të Punësimit i raportojnë drejtpërsëdrejti Drejtorit të Përgjithshëm të APRK-së.
Po ashtu kemi bashkëpunuar shumë mirë me Udhëheqësin e ZP-së në Viti z. Isuf Behluli dhe Udhëheqësit e Zyrave të tjera dhe kuptohet me nivelin qendror, me Drejtoreshën e APRK-së, znj. Jehona Namani Rexha dhe me personelin e të gjitha shërbimeve profesionale.
Kemi bashkëpunuar shumë mirë me Qendrën për Punë Sociale në Kamenicë dhe me drejtorin e saj z. Rifat Hajdari, me kryetarin e komunës z. Kadri Rahimaj dhe thuajse me të gjitha drejtoritë komunale.
Andaj, të gjitha këto institucione dhe njerëzit që i udhëheqin ose punojnë në to i falënderoj për bashkëpunim korrekt, duke ju dëshiruar shumë suksese në punën e tyre./rajonipress/


