Hidromorava

Gabove, e nderuara Presidente !

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Shefik Sadiku – (letër publike Presidentes, të cilën ajo kurrë nuk do ta lexojë).

Në asnjë rrethanë nuk do të doja të të drejtohem për këtë temë, por ja që shpesh na ndodh që edhe përkundër disponimit tonë, del diçka dhe na ndryshon qëndrimin, prandaj e kam të pamundur të mos shpreh opinionin tim vetëm për një temë të vetme, duke mos prekur disa tema të tjera për të cilat jo pak u fol dhe u shkrua kundër dhe pro qëndrimit tënd këtyre ditëve, e nderuara Presidente!

Gabove, Presidente, gabove kur publikisht deklarove se vajzat tua i nxore nga shkolla publike dhe të njëjtat i rehatove në një shkollë private. Asgjë të keqe nuk ka pse i dërgove në institucion privat, sepse aspak nuk është kundërligjore.

Në sistemin në të cilin po jetojmë është i lejuar edhe arsimi privat, kuptohet pasi i nënshtrohet procedurave dhe kushteve që kërkohen. T`i e nderuara Presidente e ke mundësinë materiale t’i përballosh detyrimet financiare që kërkon institucioni privat për shërbimet që ofron.

Shyqyr Zotit që ke mundësi që pas 26 vitesh punë, siç thua ti, t’u sigurosh fëmijëve tu arsim cilësor, përkundër që në Shtetin, në krye të të cilit je ti, ka mijëra raste që prind e gjyshër edhe pas punës 30, 35 apo edhe 40 vjeçare me vetëm 120 eurot që marrin, nuk mund as t’i imagjinojnë fëmijët apo nipat dhe mbesat e tyre në ato institucione.

Nuk ka asgjë të keqe antiligjore nga t`i këtu. Fatet dhe mundësitë e njerëzve as nuk kanë qenë dhe as nuk do të jenë të njëjtë. Por, gabove Znj. Presidente, gabove, madje gabove rëndë kur publikisht deklarove se i nxore fëmijët tu nga ajo shkollë, sepse aty nuk pati kushte( perifrazim) shkolla me shumë nxënës, klasa me shumë fëmijë, klasa afër tualeteve, kanalizimet e tualetet jo funksionale !

Ti, e nderuara Presidente nuk je fajtore e drejtpërdrejtë , por tërthorazi shumë madje, sepse je e para e këtij vendi!

Dua të jem edhe më korrekt dhe dua të të amnistoj nga kjo” fajësi”, por sa do që unë të amnistoj, mjafton vetëm një qytetar i Shtetit që ti udhëheq të të drejtohet: Mirë Znj. Presidente, po ç’ bëre ti, si reagove t`i, pse s’reagove ti kur kuptove kushtet e tmerrshme të asaj shkolle ?!

ARKATANA

Edhe ky mosreagim, ndoshta ke reaguar por nuk tregove a pati dhe sa pati efekt reagimi yt institucional, ndoshta mund të “tolerohet” siç po tolerojmë shumë të patolerueshme!

Ndoshta edhe ke reaguar nga pozicioni që ke, por me faktin që kur ti po deklarohesh publikisht për kushtet në atë shkollë, është e kuptueshme se ajo gjendje vazhdon të mbetet e tillë, në të kundërtën do t’i referoheshe si gjendje e kaluar.

Ama e kam vështirë, e kam shumë vështirë, si qytetar i këtij vendi, t’ia “fali” indiferencën humaniste e morale të parit të Shtetit tim, që nuk pati ndjesinë e mëshirës për 2998, nxënësit e asaj shkolle dhe të 38 fëmijët e asaj klase që mbetën aty, me një reagim, të paktën moral për gjendjen e mjerueshme, nga e cila i “shpëtove “fëmijët tu!

A nuk ndjeve pak mëshirë, a nuk ndjeve dhimbje, a nuk ndjeve pak obligim, a nuk ndjeve detyrim institucional, a nuk ndjeve ndjesi dhembjeje për fëmijët tjerë që mbeten në ato “ kushte” mizere?!

Si munde të mos e ndjeshë dhimbjen, që e ndjejnë vetëm nënat e askush tjetër për fëmijët, që mbetën në ato kushte . Ndoshta reagimi yt do t’u mundësonte nxënësve bashkëmoshatarë të vajzave tua të përfitonin, në pamundësi edhe për shkollat tjera, të paktën për shkollën në fjalë ?

Edhe kjo të falet Znj. Presidente, sepse asgjë të kundërligjshme nuk ka këtu.

Moralisht nuk të falet e nderuara, Presidente kur të gjitha këto pate kurajon t’i shqiptosh publikisht para mediave për ta arsyetuar ndërrimin e shkollës për vajzat duke fajësuar kushtet e pa treguar se çka bëre ti për t’i ndryshuar ato kushte.

Sidoqoftë detyrimet institucionale të secilit nga ne i nënshtrohen normave të shoqërisë, duke u bërë detyrime që në gjuhën e zakonshme quhen detyrime ligjore, kurse ana jonë morale dhe etike është vullnet, konstrukt, zgjedhje dhe parim vetëm i yni./rajonipress/