Blerta Zuka, nga Smira në terrenin e gazetarisë: UBT-ja si pikënisje e një karriere me guxim, profesionalizëm dhe përkushtim
Gjilan – Nga Smira e Vitisë në qendër të zhvillimeve politike dhe shoqërore në Kosovë, gazetarja Blerta Zuka e ka ndërtuar profilin e saj profesional përmes punës në terren, raportimit të drejtpërdrejtë dhe përballjes së përditshme me dinamikën e lajmit.
Blerta Zuka nga fshati Smirë i Vitisë është një nga gazetaret që aktivitetin profesional e ka lidhur ngushtë me terrenin dhe raportimin nga ngjarjet më të rëndësishme në vend. Aktualisht e angazhuar në RTV Dukagjini dhe T7, ajo është pjesë e hapësirës mediatike ku lajmi kërkon jo vetëm shpejtësi, por edhe përgatitje, saktësi dhe aftësi për të reaguar në kohë reale.
Blerta Zuka, zëri i terrenit që nuk tërhiqet përballë sfidave
Në një gazetari ku shpejtësia shpesh vihet përballë saktësisë, Blerta Zuka ka ndërtuar profilin e një gazetareje që e vendos të vërtetën në qendër të misionit profesional. E guximshme, e shkathët dhe e përgatitur për dinamikën e terrenit, Zuka është bërë një emër i njohur i raportimit nga vendi i ngjarjes, aty ku lajmi nuk pret dhe ku gazetari përballet drejtpërdrejt me situata të paparashikueshme.
Nga zhvillimet politike e institucionale deri te protestat, incidentet dhe ngjarjet që kërkojnë reagim të menjëhershëm, ajo është e pranishme në terren me qëndrueshmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi ndaj publikut. Përballja me rrezikun gjatë punës nuk e ka larguar nga terreni; përkundrazi, ka dëshmuar rëndësinë e përgatitjes, vendosmërisë dhe etikës profesionale në një profesion ku çdo raportim mbart përgjegjësi publike.
Autoriteti i saj profesional nuk ndërtohet vetëm përmes pranisë para kamerës, por mbi kredibilitetin e informacionit, verifikimin e fakteve dhe aftësinë për ta përcjellë lajmin qartë, saktë dhe pa deformime. Blerta Zuka i përket brezit të gazetarëve që e kuptojnë se gazetaria e mirë nuk matet vetëm me atë se kush e jep lajmin i pari, por me atë se sa i besueshëm, i saktë dhe i përgjegjshëm është lajmi që i servohet publikut.
Formimi i saj akademik në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit në UBT i ka paraprirë një karriere të ndërtuar gradualisht në gazetari. Hapat e parë profesionalë i nisi në T7, ndërsa më pas puna e saj në terren e ka vendosur përballë zhvillimeve të shumta politike, institucionale dhe shoqërore.
Në kuadër të angazhimit si gazetare, Zuka raporton rregullisht drejtpërdrejt nga Kuvendi i Kosovës, aktivitetet e subjekteve politike, protestat, tubimet dhe zhvillimet e ndryshme publike në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës. Raportimi nga terreni kërkon praninë aty ku ndodh ngjarja, aftësinë për ta kuptuar shpejt situatën dhe për ta përcjellë atë te publiku në mënyrë të qartë dhe profesionale.
Por rruga e gazetarisë nuk është gjithmonë pa sfida. Gjatë ushtrimit të profesionit, Blerta Zuka dhe kameramani me të cilin punonte u sulmuan dhe u penguan fizikisht nga një punonjës i një kompanie private, teksa po realizonin një kronikë lidhur me punimet në sheshin e qytetit të Gjilanit. Rasti u bë publik dhe u dënua edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e sigurisë së gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës.
Për Zukën, përgatitja profesionale nuk është ndërtuar vetëm në auditorët universitarë. Ajo vlerëson veçanërisht ndërthurjen e teorisë me praktikën gjatë studimeve në UBT, përmes mundësive të ofruara nga UBT TV, UBTNEWS dhe Radio Campus, si dhe kontaktit me profesionistë të fushës së medias.
“Studimet në UBT kanë qenë shumë të arrira, si në aspektin e teorive gjithashtu edhe në pjesën praktike, ku përpos që kemi pasur mundësinë të këshillohemi dhe marrim njohuri të reja nga profesorë që kanë përvojë të gjatë në gazetari, kemi mundur edhe të marrim pjesë në vizita të ndryshme nëpër media të Kosovës dhe jashtë saj, për të parë nga afër se si realizohet puna në to”, ka theksuar Zuka.
Rasti i saj pasqyron një rrugëtim profesional ku formimi akademik, përvoja praktike dhe puna e përditshme në terren ndërthuren në ndërtimin e identitetit të një gazetareje të re. Nga Smira e Vitisë deri te ngjarjet politike e institucionale në Prishtinë, Blerta Zuka ka zgjedhur një profesion që kërkon prezencë, përkushtim dhe gatishmëri për të qenë aty ku zhvillohet lajmi./rajonipress/



