Kur konkurset shndërrohen në tallje: Reagim lidhur me procedurën punësimit në DKA (Drejtorinë Komunale të Arsimit) Gjilan!
Gjilan – Arsimi është segmenti më i shenjtë i shoqërisë sonë, aty ku formohet e ardhmja e fëmijëve tanë. Por ajo që po ndodh me punësimet në këtë sektor është e papranueshme dhe po shndërrohet në një plagë të rëndë për qytetin tonë ka shkruar Xhevat Bekteshi.
Postimi i plotë:
Nëse vitin e kaluar opinioni publik u trondit nga punësimet skandaloze, ku u punësuan madje edhe kunatat e njëri-tjetrit nga kryetari dhe udhëheqësit e komunës, sivjet situata është edhe më e rëndë.
Kandidatë të diplomuar me studime të plota universitare, që në testin me shkrim dolën ndër më të mirët (madje në top 10), u rrëzuan deri në pozitat e 30-ta e më poshtë, vetëm pas një interviste gojore disa minutëshe nga një komision pesë anëtarësh.
Ky proces i padrejtë e fshiu meritën dhe e shndërroi konkursin në tallje me dijen dhe punën e shumë viteve.
Përtej anës morale, ky konkurs është i kontestueshëm edhe juridikisht:
Pika 6 e rregullores përcakton se i njëjti anëtar duhet të ketë së paku kualifikimin e barasvlefshëm me kandidatët që aplikojnë.
Pika 8 e rregullores kërkon që njëri nga anëtarët e komisionit të jetë përfaqësues i Këshillit të Prindërve në nivel komunal me nivel të barazvlershëm me kandidatët për punësim.
Këto shkelje tregojnë se procesi jo vetëm që është i padrejtë, por edhe i paligjshëm.
Prandaj bëjmë thirrje të qartë:
Intelektualë të qytetit, mësimdhënës, prindër e qytetarë të ndërgjegjshëm ngritni zërin! Mos lejoni që arsimi ynë të shndërrohet në pronë të pushtetit dhe në lojë të interesave të ngushta.
Sepse heshtja sot është pranim i padrejtësisë, ndërsa fjala dhe qëndrimi ynë janë arma më e fortë për ta mbrojtur arsimin dhe të ardhmen e brezave.


