Në Përvjetorin e 67 të vdekjes së kolosit të Anamoravës Mulla Idris Gjilani (1901-1949)
Gjilan – ”Kemi tri fe, por kemi një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut”. “Liria e Vatanit nuk fitohet me partia e me tarafe, me të pa fe e me shkije të veshur shqiptarçe…” thenie nga Mulla Idriz Gjilani.E përkujtojmë me pietet kolosin e Anamoravës Mulla Idris Gjilanin. Mulla Idrisin në ditën (natën) e sotme para 67 viteve u mbytë në mënyrën më mizore nga regjimi monist jugosllav, komunist.
Mulla Idris Gjilani me veprën e vetë dëshmoi se ishte një, atdhetari, mualimi, mësuesi, predikuesi fetar, mjeshtër i penës e i punës, besniku i fjalës, ideologu dhe udhëheqësi shpirtëror, politik, e ushtarak si dhe trimi i pathyeshëm e legjenda e gjallë e Gjilanit dhe Kosovës.
Mulla Idriz Gjilani u lind në fshatin Velekincë të Gjilanit më 4 qershor 1901. Mulla Idrizi ishte fëmiu i parë-më i madhi nga katër fëmijët e Hajrullah Hasanit dhe Salë Smakajt nga fshati Cërrnicë e Gjilanit.
Mësimet e para fetare i mori tek dajët në Cërrnicë ku vijoi Mejtepin e atjeshëm, të cilin e kreu në vitin 1911. Që në fillim u shqua si nxënës i mirë më i dalluar ndër moshatarët e tij. Këtë e vërejti dhe me kujdes e përcolli hoxha i nderuar Mulla Halimi, i cili gëzonte autoritet të madh në Cërrnicë e më gjerë, e i cili menjëherë pasi që Mulla Idrizi e përfundoi Mejtepin e Cërrnicës, i rekomandoi babait të tij Hajrullahut që djalin e tij Indrizin ta dërgoi me i vazhduar mësimet e mëtejme në edukimin e arsimimin fetar islam në Ruzhdien e Gjilanit, e cila atë kohë njihej si një shkallë e parë e shkollës së mesme.
Më pas në vitin 1913, pas Luftës Ballkanike regjistroi Medresen “Atik” të Gjilanit te muderrizi i njohur Abdyrrahim efendi Llashtica një dijetar i njohur fetar e kombëtarë i kohës në rajonin e Gjilanit.
Mirëpo, lufta e parë botërore bëri që të ndërpres shkollimin, kur e ndërpreu punën për një kohë të shkurtër edhe vet Medresja “Atik” .Në moshën 25 vjeçare (1926), Mulla Idrizi kreu Medresenë dhe mbrojti provimin e pjekurisë për hoxhë, për imam – duke u pajisur me diplomën (Ixhazetnamen) e duke fituar titullin – Mulla. Menjëherë pas diplomimit në vitin 1927, emërohet me dekret imam i xhamisë në fshatin Pidiq të Kradakut të Gjilanit. Këtu qëndroi shtatë vite e më pas emërohet imam e njëherit kryen edhe punët e ofiqarit në fshatin Hogosht, ku qëndroi deri në vitin 1938.
Po në këtë vit nga Ulema Mexhlisi dhe Kuvendi fetaro-arsimor i Shkupit zgjedhet Bash-vaiz. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 1941 kur edhe u shpartallua ish Jugosllavia e Versajës . Menjëherë pasi që u emërua imam në fshatin Pidiq të Gjilanit ai iu rrek angazhimit të tij si në edukimin fetar islam poashtu edhe në atë atdhetarë patriotik, por gjithsesi duke patur udhërrëfim dhe duke iu përmbajtur parimeve kur’anore dhe haditheve të Pejgamberit alejhiselam. Dhe moto e tij që e përmendët gjithherë ishte: . “Pa fe s’ka atdhe,pa atdhe nuk ka fe”.
Në këtë kohë Ai hapi mejtepin e Pidiqit për mësim-besimin dhe edukimin islam, si dhe të alfabetit të gjuhës shqipe e të mësuarit të shkrim-leximin të rinisë së kësaj ane. Ai futi lëndën e mësimit të gjuhës shqipe në Medresen “Atik” në Gjilan.
Ndërkaq në vitin 1937, përkundër kushteve e vështirësive të shumta-ilegalisht themeloi në fshatin Arllat të Drenicës, Organizatën e Rinisë Përparimtare me emrin “DRITA” në nivel të Kosovës. Ai gjithherë ishte prijës në çdo punë e aktivitete që organizoheshin në atë kohë, çofshin ato fetare, shqiptare -patriotike, politike, humanitare, apo aksione punuese.
Kështu gjithherë ku ishte ai u printe aksioneve punuese në ndërtimin e urave, rrugëve, mejteve, çeshmeve, xhamive e të tjera.
Mulla Idris Gjilani-Strategu, patrioti, luftëtari, trimi e komandanti i shquar. Pas emërimit të tij në detyrën e bashvaizit, me punën e tij në këtë drejtim arriti që numri, e nxënësve në Medresen “Atik” të arrijë në 734 , nga të cilët, (për çudi të kohës), 326 ishin femra. Në këtë kohë vetëm në territorin e Gjilanit me aktivitetin dhe punën e tij të palodhshme u hapen 39 shkolla fetare ku edukohej brezi i ri dhe pajisej me edukatë si fetare poashtu dhe kombëtare.
Mulla Idrizi ishte këmbëngulës kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Ai theksonte se ne nuk guxojmë t’i lëmë trojet tona, varret e gjyshëve e stërgjyshëve tanë, nuk guxojmë ta lëmë tokën tonë të shkretë, Allahu në Kur’an na ka bërë përgjegjës për vatanin e Kombin. Në vitin 1943, ishte nevojë e domosdoshme emërimi i muftisë së Gjilanit, post ky që Mulla Idrizi u emërua më 20 dhjetor të vitit të përmendur.
Në kushte të rënda lufte myftiu dhe myftinija funksionuan me mjaftë sukses, ndërsa patriotizmi i tij bëri që ai vetë ta bëjë-përpiloj vulen e Myftiut të Gjilanit edhe atë me shqiponjën dy krenare në mes të vulës.
Pas fillimi të luftës së dytë botërore në vitin 1941 Mulla Idrizi u angazhua i tëri në veprimtari politike që kishte për qëllim bashkimin e trojeve shqiptare duke luftuar me penë e me pushkë kundër regjimit sërbosllav, bullgar, kundër komunizmit.
Në vitin 1943, Komiteti i lidhjes së dytë të Prizrenit.Mulla Idris Gjilanin e emëroi komandant të Shtabit për Mbrojtjen Kombëtare të kufirit të Shqipërisë etnike në anën lindore të Kosovës. Andaj Mulla Idrizi gjithherë ishte frymëzues për secilin, për tërësinë territoriale të Shqipërisë entike . Këtë gjithherë e thoshte me fjalë
kudo që ishte nëpër ndeja e tubime se : “Vetëm të bashkuar rreth flamurit të Shqipërisë të gjithë dhe pa tarafe e partina,mund t’u bëjmë ballë armiqve shekullor”.
Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, dekoroi Mulla IDRIS GJILANIN më 8 qershor 2012 me dekoratën URDHËRI I LIRISË për kontributin e tij të lartë për lirinë e Kosovës.
Kështu si ushtar, trim, strateg e komandant i forcave shqiptare luftoi dhe udhëhoqi betejën e famshme të Kikës, më 1944, të cilën e fituan kundër ushtrisë sërbosllave-komuniste.
Mulla Idrizi , ishte njeri me kulturë të gjerë, kishte kulturë universale. Ai zotëronte disa gjuhë si: arabishten, turqishten, persishten dhe serbokroatishten.
Mulla Idriz Gjilanin e emëruam me meritë me shumë epitete, të cilat me punën dhe veprën e tij i vërtetoi gjatë jetës së tij 48 vjeçare. E quajtëm fetar e atdhetar, patriot e mësues-predikues fetar nga se ai kishte thënë:”Kemi tri fe, por kemi një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut”.
Se Mulla Idriz Gjilani ka qenë udhëheqës shpirtëror, politikan e strateg i madh ushtarak tregon edhe motoja e tij prej luftëtari :”Liria e Vatanit nuk fitohet me partia e me tarafe me të pa fe e me shkije të veshur shqiptarçe…”
Patriotizmi dhe heroizmi i tij ishte gjithherë ushqim frymëzues i bashkatdhetarëve e bashkëluftëtarëve të tij gjatë tërë jetë e sidomos në pesë vitet e fundit të tij (1944-1949). Por, tradhtarët-shqipfolës zbuluan vendndodhjen e tij dhe Ai u zu nga pushteti i atëhershëm sërbosllavo-komunist për ta lyer(lagur) me bezinë( apo vajguri)e kallur(djegur), për së gjalli, pas dy ditëve të burgosjes së tij, në natën e 25/26 nëntorit në vitin 1949 në burgun e Gjilanit.
Tradhtia që iu bë popullit shqiptar nga regjimi komunist shqiptar e sidomos atij të Kosovës, duke e lënë atë nën Jugosllavi (Serbi) bëri që familja e Mulla Idriz Gjilanit t’i nënshtrohet persekutimeve më mizore.
Kështu çdo gjë që kishin Familja e Mulla Idrizit, regjimi ia sekuestroi, ndërsa gruaja e tij Hatixheja u burgos në Burgun e Gjilanit. Ajo iu nënshtrua torturave dhe kërkohej dhe përdorej si karrem nga regjimi jugosllav për ta kapur Mulla Idrizin.
E kërcënonin duke i thënë ose shpirtin tënd dhe të fëmijëve të tu ose trego ku është Mulla Idrizi. Por trimëresha Hatixhe kurrë nuk ua tha asnjë fjalë. Mulla Idrizi ishte strehua në familjen e Sali Sadikut në fshatin Gjyrishevc të Kamenicës. Familja Sadikaj tregoi kujdes të jashtëzakonshëm në ruajtjen e Mulla Idriz Gjilanit duke ia plotësuar çdo kërkesë të tij.
Mulla Idrizi bënte një jetë aktive, duke lexuar dhe u informonte për çdo gjë, edhe përkundër asaj që ishte i mbyllur në mes katër mureve (sarkofag). Ai i udhëzonte dhe i këshillonte shokët e tij të luftës. Pas tërë kësaj shumë bashkëluftëtarë të tij të arrestuar e dinin pak a shumë vendstrehimin e Mulla Idrizit,por asnjëri nga ta nuk kanë tregua. Mulla Idrizin e brente më tepër ndërgjegjja, kur mendonte për pasojat që do t’i pësonte familja qe kishte strehuar se sa humbja (vdekja) e tij.
Deri kah fundi i vitit 1947 regjimi sërbosllav kishte besuar se Mulla Idrizi ishte në Turqi por kah fundi i po këtij viti mësoi se Mulla Idrizi gjendet në Kosovë dhe se është i strehuar diku në fshatrat e Gollakut të Kamenicës. Përkundër asaj që disa herë ishte kontrolluar shtëpia e Sadikajëve nga forcat e UDB-së, por vendstrehimi i tij asnjëherë nuk ishte zbuluar.
Dyshimi nga UDB-ja shtohej se Mulla Idrizi gjendej në fshatin Gjyrishevc e konkretisht në Familjen e Sadikajve .Kështu më 21 nëntor të vitit 1949 pushteti sllavo-komunist i Titos vret Sali Sadikun, strehuesin e Mulla Idriz Gjilanit dhe më 22 nëntor bastisin shtëpinë e Sadikajëve në Gjyrishevc duke qenë të sigurtë se atje do e gjenin Mulla Idrizin.
Mulla Idrizi në sarkofagun e tij kishte mjaft armatim dhe municion sa për të luftuar me or të tëra, por ai assesi nuk mund ta bënte këtë duke dashur të mos e dëmtojë familjen e madhe të Sadikajve, që e kishin strehuar e mbajtur për pesë vjetë me bujari e miqësi edhe pse njeri nga bijtë e sadikajve i kishte thënë:”Pushkë e barot ke boll Mulla Idriz, mos u dorëzo i gjallë e mos të dhimbsen robët e shtëpia ime” . Por,Mulla Idrizi pasi asgjësoi dokumentet dhe çdo gjë që i komprometonte dhe rëndonte të tjerët, doli nga vendstrehimi (sarkofagu) dhe u dorëzua xhelatëve.
Lajmi për kapjen e Mulla Idrizit u kthye në zi për mbarë shqiptarët. Dhe kur presioni e torturat nuk ua dha efektin që kërkonin forcat e UDB-s me urdhër të Beogradit e dogjën të gjallë, duke justifikuar pastaj para opinionit publik se Mulla Idrizi e dogji veten në natën e 25-26 nëntorit të vitit 1949.
Vdekja e tij jo që i frikoi luftëtarët por hiri I tij u bë feniks dhe prej tij lindën me mijëra luftëtarë dhe vazhduan luftën për lirinë e Kosovës deri në ditët e sotme. Figura e Mulla Idrizit ishte dhe mbeti simbol i rezistencës kombëtare tek të gjithë luftëtarët e lirisë.
Edhe pas vdekjes së tij Mulla Idrisi mbetet idol e frymëzim i shumë gjeneratave si në anën fetare ashtu edhe atë patriotike e atdhetare. Këte shumë prej tyre e bazojnë edhe në moton tjetër të tij Ku Ai thotë:”Sa i mirë dhe i kuptueshëm është islami-kur shpjegohet në gjuhën Shqipe, të cilën Zoti e zgjodhi për Shqiptarët”.
Edhe sot e kësaj dite vepra e tij nuk është zbehur aspak,e këtë e vërteton fakti se Mulla Idris Gjilani, nga Instituti i Studimeve objektive me seli në kryeqendrën e Indisë- në Nju Delhi, u shpall njeri ndër (100) udhëheqësit më të mëdhenj (më me ndikim) Mysliman të shekullit të 20-të dhe shumë e shumë Dekorata e Mirënjohje të tjera si:
* Mulla Idriz Gjilani është nominua në mesin e 200 Intelektualëve Shqiptarë në Kosovë në Albumin e botuar në Egjipt nga Prof.Dr.Beqir Ismajli .
* Mirënjohje nga Klubi i Karatesë “Drita” Gjilan
* KËSHILLI I BETEJES SE MALËSISË E ZHEGOCIT E TË MARECIT I DHA DEKORATË DËSHMORIT TË KOMBIT
* MULLA IDRIZ GJILANI.
* Mirënjohje nga Këshilli Organizativ FLAKA E JANARIT, FLAKA E LIRISË në vitin 2000.
* POASHTU DEKORATA NË VITIN 2OOO NGA KOMANDA E ZONËS SË GJASHTË (Gjilan, Ferizaj, Kaqanik ) TË TRUPAVE MBEROJTËSE TË KOSOVËS.
* MË 28 NËNTOR 1999,QEVERIA E PËRKOHËSHME E KOSOVËS I NDAU MIRËNJOHJE MULLA IDRIZ GJILANI, PËR ROJEN E KUFIRIT TE SHQIPËRISË ETNIKE.
* ME VITIN 2OO8 KUVENDI KOMUNAL NDERON ME MIRËNJOHJE TË VEÇANTË PËR KONTRIBUT SUBLIM NË PAVARËSIMIN E VENDIT, FAMILJES SË DËSHMORIT TË KOMBIT MULLA IDRIZ GJILANIT
Poashtu në shenjë nderime dhe përkujtimi për te, për Atdhetarin e patriotin e shquar të Kombit Shqiptar të kësaj ane, MULLA IDRIZ GJILANI, shumë lagje e rrugë të qyteteve të Kosovës si në Gjilan, Prishtinë, Ferizaj, Dardanë, Mitrovicë e gjetiu, janë emërtuar dhe mbajnë emrin e këtij dëshmori, patrioti e kolosi të madh të kësaj treve të Kosovës./islam osmani/rajonipress/


