Baronesha Anelay: Kosova ta themelojë Specialen!
Ministrja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Baronesha Joyce Anelay, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta mbështesin themelimin e Gjykatës Speciale. Në takime të ndara që ka zhvilluar të martën me krerët institucionalë, Baronesha Anelay ka thënë se Kosova duhet ta mbajë fjalën që ia ka dhënë bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e kësaj Gjykate, në mënyrë që ta vazhdojë procesin e integrimeve në organizata ndërkombëtare.
“Mesazhi im është shumë i qartë, Kosova ka dhënë një mesazh të qartë, e ka shfaqur veten si shtet, i cili dëshiron të jetë aktiv në arenën ndërkombëtare dhe komuniteti ndërkombëtar po pret ta shohë se Kosova është duke e mbajtur fjalën. E për ta mbajtur fjalën duhet ta themelojë Gjykatën dhe t’i tregojë botës që Kosova dëshiron të pranohet në organizata ndërkombëtare si shtet i plotfuqishëm me të drejtat e veta”, ka deklaruar Anelay, pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Edhe e para e vendit, Atifete Jahjaga, ka thënë se nuk duhet të shtyhet më tutje procesi i përmbushjes së këtij obligimi ndërkombëtar. Sipas saj, vonesat në themelimin e Gjykatës Speciale nuk janë në të mirë të vendit./zeri/


