Heshtjen e ministrit Hyseni opozita e quan paaftësi
“Skënder Hyseni, ndoshta mund të jetë një diplomat i mirë, por kurrë nuk do të arrijë të jetë një ministër i mirë, i cili është i zoti për të përballuar sfidat e sigurisë”, ka thënë deputeti Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e punëve te brendshme, të sigurisë dhe FSK-së, shkruan sot Koha Ditore.
Ky reagim vjen një javë pas aksionit publik të Policisë së Kosovës për arrestimin e pesë personave pranë liqenit të Badovcit, nën dyshimin se kishin planifikuar akt terrorist në Kosovë dhe heshtjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.
Ky aksion policor ishte pasuar edhe me deklarata kundërthënëse nëse te të dyshuarit është gjetur edhe ndonjë substancë helmuese dhe se a ishte planifikuar helmim masiv i qytetarëve.
Madje, ndërprerja kolektive e ujit në Prishtinë, më 11 korrik, bëri që qytetarët të përfshihen nga paniku. Ndërkohë u konfirmuan edhe kërcënimet ndaj objekteve vitale të Republikës së Kosovës nga grupe të afërta me ISIS.
http://koha.net/?id=27&l=67062


