Veriorët zvarrisin nxjerrjen e administratave nga ilegaliteti
Shuarja e administratave ilegale, që për 15 vjet kanë operuar sipas ligjeve të Serbisë në komunat e populluara me shumicë serbe, ka mbetur peng i themelimit të Asociacionit, shkruan sot Koha Ditore.
Me gjithë mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe konstituimin e kuvendeve komunale, para një viti e gjysmë, gjendja në terren mbetet e njëjtë.
Nëpunësit civilë serbë, që shërbejnë në administratën ilegale të Leposaviqit, Zubin-Potokut e Zveçanit, po vazhdojnë të marrin paga nga buxheti i Kosovës që nuk është burimi i vetëm i të ardhurave që serbët i marrin.
Të njëjtët paguhen edhe nga shteti i Serbisë. Kryetarët veriorë e kanë ndërlidhur shuarjen e veprimtarisë së administratave ilegale me Asociacionin, pasi synojnë që teprica e stafit nga shëndetësia dhe arsimi, që vazhdon të financohet nga Serbia, të sistemohet në kuadër të këtij mekanizmi.
Përfaqësues të shqiptarëve nga Komuna e Zubin-Potokut dhe nga ajo e Zveçanit kanë treguar se procesi po ecën ngadalë.
http://koha.net/?id=27&l=66871


