Kërkohet përgjegjësi për vdekjen e Astrit Deharit
“DrejtësiPërAstritin”, kjo është motoja e protestës së sotme që është organizuar nga përfaqësues të shoqërisë civile, artistë, gazetarë e publicistë, rreth vdekjes së dyshimtë të 26 vjeçarit, Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Pjesëmarrësit e kësaj protestë kërkojnë nga institucionet e drejtësisë të punojnë paanshëm në zbardhjen e vdekjes së Astritit. Protestës i është bashkuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka bërë thirrje që kërkesa për drejtësi të vazhdojë deri në zbardhjen e rastit.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti ka deklaruar për Gazetën “Zëri”, se Vetëvendosje do t’i bashkëngjitet kësaj proteste të thirrur për drejtësi. “Ne i bashkangjitemi kësaj proteste. Dhe përpjekja jonë për të kërkuar drejtësi për këtë rast jashtëzakonisht të rëndë nuk do të ndalet deri në zbardhjen e tij”, ka thënë Hoti. Në anën tjetër njëri ndër pjesëmarrësit e protestës, publicisti Agon Maliqi vlerëson se institucionet duhet të japin përgjegjësi për vdekjen e Deharit.
“Dikush duhet të përgjigjet për ketë sepse ai ishte në duart e sistemit i cili duhet të kujdesej për të, përfshi edhe nga mundësia e vetëvrasjes (në rast se ky del të jetë shkaku i vdekjes)”, ka deklaruar Maliqi./zeri/


