Arrestohen gjashtë kosovarë dhe dy serbe për trafikim me qenie njerëzore, edhe në Gjilan të arrestuar
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në bashkëveprim të ngushtë me policitë e disa shteteve evropiane (Hungari, Kroaci, Slloveni dhe Itali) dhe në përkrahje të EUROPOL-it, pas hetimeve intensive të kryera për disa muaj, lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi mirë të organizuar, i shtrirë në shtetet e lartcekura, që në vazhdimësi kryente veprat penale të krimit të organizuar, kontrabandim të migrantëve, ka arrestuar tetë persona, nën dyshimin e bazuar për ‘krim të organizuar-kontrabandim me migrantë’.
“Ky grup kriminal kontrabandonte migrantë kosovarë të moshës së mitur, destinacion i të cilëve ishte më së tepërmi Italia. Janë evidentuar 35 persona të cilët ishin viktima të këtij grupi. Për një person të kontrabanduar fitonin nga 3000-3500 euro. Për të kryer këtë veprimtari të dyshuarit nga qytetet e Kosovës përmes Serbisë, Hungarisë, Sllovenisë deri në Itali, zakonisht shfrytëzoheshin veturat e tyre ose edhe lidhje tjera si taxi dhe autobus” thuhet në komunikatë.
Policia njofton se Bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, me datën 27.10.2016 në rajonet: Pejë, Gjakovë dhe Gjilan, (në tetë lokacione), është realizuar operacioni policor, i koduar me emrin “KAPO”, i cili ka rezultuar me sukses.
Gjatë këtij operacioni vlen të theksohet se fillimisht janë arrestuar gjashtë (6) persona të dyshuarit, ndërsa dy (2) të tjerë janë arrestuar pas operacionit policor e që numri i tyre arrin në tetë (8) persona të dyshuar të cilët janë si në vijim: L. H.lindur me 1966 m/sh/k; R. H. lindur me 1970 m/sh/k; F. H. lindur me 1974 m/sh/k; L. H. lindur me 1999 m/sh/k; S. K. lindur me 1969 m/sh/k; A. P. lindur me 1957 m/sh/k; V. R. lindur me 1975 m/s/Serbisë; E. A. lindur me 1961 m/s/Serbisë
Ndërsa janë sekuestruar si prova materiale:
· 4 (katër) vetura
· 12 (dymbëdhjetë) telefona celularë
· 6600 (gjashtëmijë e gjashtëqind) euro para kesh,
· 1 (një) revole,
· 2 (dy) granata dore
· 82 (tetëdhjetë e dy) fishekë
· 1703 (njëmijë e shtatëqind e tre) gramë marihuanë
· Dokumente të ndryshme relevante që vlejnë si prova për procedurë.
Personat e dyshuar janë dërguar në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë.


