Vetëm 60 naftëtarë të fiskalizuar
Pas kundërshtimeve të vazhdueshme të naftëtarëve për t’u pajisur me arka fiskale, tashmë shitësit e “arit të zi” kanë pranuar të fiskalizohen. Përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve kanë thënë se pas uljes së çmimit të arkave fiskale është larguar monopoli në treg.
Ndërsa, zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës kanë thënë se pas vizitave dhe aktiviteteve të shtuara të inspektorëve tatimorë në terren vërehet interesim i të gjitha bizneseve, sidomos i atyre që si aktivitet kryesor kanë shitjen me pakicë të derivateve që t’i instalojnë sistemet fiskale.
Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në ATK, ka thënë për “Zërin” se numri i bizneseve të fiskalizuara me sisteme fiskale – derivate ka arritur mbi 60 biznese, ku nëpër njësitë apo pikat e tyre janë të instaluara rreth 240 sisteme fiskale.
“Procesi i fiskalizimit është proces permanent, i cili ndërlidhet me paraqitjen e bizneseve të reja në treg (regjistrimin e tyre), hapjen e njësive të reja, si dhe daljen nga tregu të atyre ekzistueseve (ndërprerjen e veprimtarisë apo heqjen dorë nga mënyra e shitjes me para të gatshme). Numri i bizneseve të fiskalizuara me sisteme fiskale – derivate ka arritur mbi 60 biznese, ku nëpër njësitë apo pikat e tyre janë të instaluara rreth 240 sisteme fiskale”, ka thënë ajo./zeri/


