Drejtësia, për disa nënë, për të tjerët njerkë
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë ngritur shqetësimin e tyre për ndarjen në mënyrë të padrejtë të lëndëve nëpër gjykatat e vendit, ngase, sipas tyre, aty mund të ndikohet në zvarritje ose mos zvarritje varësisht nga lidhjet që mund të kenë personat e caktuar fizikë dhe juridikë me institucionet gjyqësore.
Oligarkët kontrollojnë edhe përzgjedhjen e lëndëve.
“Pra, fatkeqësisht, kjo është një praktikë e vazhdueshme në prokuroritë dhe gjykatat tona, derisa se a do të futet një lëndë urgjentisht në procedurë apo do të lihet të vjetrohet varet kryekëput se si e kërkon shefi, ‘Pronto’. Andaj, drejtësia te ne është komprometuar aq shumë saqë pakkush më i beson asaj”, tha deputeti Adem Salihaj, raporton Gazeta Kosova Sot
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë ngritur shqetësimin e tyre për ndarjen në mënyrë të padrejtë të lëndëve nëpër gjykatat e vendit, ngase, sipas tyre, aty mund të ndikohet në zvarritje ose mos zvarritje varësisht nga lidhjet që mund të kenë personat e caktuar fizikë dhe juridikë me institucionet gjyqësore. Ata po ashtu kanë thënë se marrja e një lëndë me urgjencë në procedurë apo lërja e saj që të vjetrohet varet kryekëput prej kërkesës së shefit apo klanit “Pronto”.
Ndaj është shtruar edhe pyetja se a po bëhet përzgjedhja e lëndëve në gjykatat e vendit, varësisht nga interesat e personave të caktuar nga politika dhe nga kryetarët e gjykatave përkatëse, duke i ndarë kësisoj lëndët e tilla me prioritet, ndërkaq lëndët e tjera ua caktojnë gjyqtarëve, të cilët i kanë nën kontrollin e vet të plotë me qëllim të bllokimit të lëndëve për një kohë sa më të gjatë thuajse deri në pafundësi, përmes gjyqtarëve trafikantë të drejtësisë? Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se tashmë dihet edhe publikisht se disa lëndë futen në procedurë menjëherë, pa pritur fare në rend, e disa të tjera lihen qëllimisht me vite, duke mos u futur në procedurë, me qëllim, siç tha, që të vjetrohen. “Pra, fatkeqësisht, kjo është një praktikë e vazhdueshme në prokuroritë dhe gjykatat tona, derisa se a do të futet një lëndë urgjentisht në procedurë apo do të lihet të vjetrohet varet kryekëput se si e kërkon shefi, ‘Pronto’. Andaj, drejtësia tek ne është komprometuar aq shumë saqë pakkush më i beson asaj”, tha Salihaj
Drejtësia, hallka më e dobët shtetërore
Analisti Shefqet Dibrani thotë se atë se si po ndodh seleksionimi i lëndëve nëpër gjykata mund ta dinë vetëm ata që janë pjesë e atyre klaneve që kanë ngulfatur jetën në Kosovë, e që qartë shihet se kjo ndodh në mënyrë selektive, për t’ua lehtësuar veprimin e grupeve kriminale në dëm të ardhmërisë së këtij vendi, ngase e tashmja është shantazhuar e kriminalizuar tej mase. “Ne jemi dëshmitarë të dhjetëra rasteve të iniciuara, për të cilat është bërë vetëm një spektakël mediatik, i cili pastaj është shuar si flluska e sapunit mbi ujë, pasi çdo gjë i është nënshtruar ligjit të harresës. Prandaj, nuk kemi pse të dyshojmë për drejtësi selektive në Kosovë, derisa këtë e thonë të gjitha organizatat dhe qeveritë e huaja që monitorojnë zhvillimin ekonomik dhe politik, e ku hallka më e dobët e sistemit llogaritet pikërisht drejtësia në Kosovë, e cila është treguar tejet e pafuqishme për të vepruar karshi grupeve të interesit dhe udhëheqjes oligarkike politike”, ka vijuar më tej ai.
Ndërsa, se janë mirë të organizuar grupet politike Dibrani thotë se kjo s’ka dyshim, pasi, siç shihet, ato fillimisht kanë kapur drejtësinë, e cila nëse është e pafuqishme për t’i mbuluar të gjitha veprimet kriminale, të paktën është treguar e suksesshme për t’i neglizhuar e shtyrë rastet e caktuara. “Së këndejmi, flitet se janë shumë lëndë të bllokuara, janë shumë procese që nuk janë lejuar as të iniciohen, kurse ato që janë bërë publike, siç ka qenë rasti me afera të mëdha korruptive, siç ka qenë rasti i vjedhjeve në dhomat e sigurisë brenda policisë për të cilat është folur e shkruar mjaft, por askush nuk e di përfundimin e atij procesi, ashtu siç nuk dihet se në cilën fazë janë ndërprerë ndjekjet dhe hetimet e mëtutjeshme. Prandaj, nëse edhe këto raste që dihen fort mirë janë heshtura si mund të pretë qytetari për një drejtësi profesionale. Por, ka rrezik se nëse lënda vjetrohet të mos trajtohet fare, e nëse kjo nuk mund të pezullohet ato lëndë do t’i ikin aktualitetit dhe ashtu të vjetruara do të mbetet shumë pak me interes për t’u trajtuar e gjykuar, prandaj nëse lëndët zvarriten ato kanë qëllim për t’i shpëtuar grupet e kriminalizuara, sepse edhe ashtu nuk e kanë të njëjtin efekt ndikimi, sikurse ato lëndë që trajtohen në kohën dhe momentin e duhur”, u shpreh më tutje Dibrani./kosova sot/


