Uji Dea

Dilema hajvanësh

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Imer Mushkolaj – Ata që i vënë shqiptarët e Kosovës para dilemës “me Cecën ose me Nënë Terezën” janë veç do hajvanë të kompleksuar, që patriotizimin e kanë hobi dhe me këtë “sport” merren veç kur iu del hesapi. Kosovarët nuk duhet të ndihen keq pse e kanë shtetin e vet. Ata nuk janë pakicë kombëtare, pavarësisht se dikush do të dëshironte të ishin të tillë.

Thellë, aq thellë janë zhytur gazetarë e opinionistë në Tiranë, në përpjekje për të mohuar qenien e Kosovës shtet, sa që nuk po ngurrojnë të shpërfaqin animozitet e marrëzi nga më të ndryshmet. Njëri ndër ta, madje, shkoi aq larg sa që kosovarët i vinte para dilemës nëse janë “me cicat e Cecës” apo me Nënë Terezën. E kishte fjalën për folk këngëtaren serbe, të venë e Zeljko Raznjatovic-Arkanit, udhëheqësit paramilitar famëkeq që kreu masakra në Kosovë. I njëjti nuk nguronte t’i quajë “titistë” të gjithë ata që e duan shtetin e Kosovës, ata që duan që ky shtet të forcohet e të përparojë, ata që duan që ky shtet të prezantohet denjësisht në botë.

T’i quash të tillë ata që kërkojnë dhe i ofrojnë shtetit të vet atë që e bën secili njeri normal në botë është marrëzi, është injorancë. Siç është injorancë e dashakeqësi të provosh që dashurinë ndaj shtetit të Kosovës, të qytetarëve të vet, të përpiqesh ta krahasosh me nostalgji ndaj ish-Jugosllavisë.

Ata që i vënë shqiptarët e Kosovës para dilemës Cecën ose Nënë Terezën nuk janë gjë tjetër veç ca tipa të kompleksuar që patriotizimin e kanë hobi dhe me këtë “sport” merren veç kur iu del hesapi.

Logjika ua thotë se, në rastin më të keq, kosovarët nuk duhet të kenë shtet, kurse në rastin më të mirë kosovarët edhe mund të kenë shtet, por kurrsesi identitet shtetëror, as kombëtare futbolli, as gjë tjetër. Sepse, këtë të drejtë e paska vetëm Shqipëria.

Ata që i vënë kosovarët para dilemës Cecën ose Nënë Terezën janë soj i atyre që edhe në kohën e luftës së Kosovës nuk kanë reshtur që dëgjuari muzikën e saj, soj i atyre që nuk bëjnë dasma pa e kënduar edhe një potpuri këngësh serbisht, soj i atyre që dalldisen në salla koncertesh kur këndon Zdravko Colic, soj i atyre që iu dhurojnë çelësa qytetesh goranbregovicëve.

Ata, të cilët shqiptarët e Kosovës që nuk bëjnë ndonjë faj pse duan shtetin e tyre i konsiderojnë jugonostalgjikë, e huqin edhe historinë, nuk dinë shumë për kohën e Jugosllavisë, aq më pak për kontekstin e ngjarjeve të asaj kohe. E për të qenë budallakia më e madhe, jugonostalgjikë etiketohen edhe kosovarë që në atë kohë as kishin lindur.

* * *

Ata që minojnë shtetësinë e Kosovës e kanë zbuluar vonë Kosovën. Vetëm para disa vjetësh dinin për të mbase edhe më pak se për shtetet tjera fqinje. Ata ende ngurrojnë që fëmijët t’i sjellin për ekskursione në Kosovë, ndërkohë që mijëra nxënës nga Kosova vërshojnë Shqipërinë. Ata ende ngurrojnë që ta kalojnë një fundjavë në vende të bukura të Kosovës, ndërkohë që gati një milion kosovarë harxhojnë miliona euro çdo vit në Shqipëri. Për ta kosovarët ende janë “të trashë”, “malokë” e “provincialë”. Ata nuk ngurrojnë të pyesin: çfarë iu duhet kosovarëve shteti? “Çfarë deshët që u çuat kundër Milosevicit, kur i kishit të gjitha?”, më pyeste njëri pas luftës.

FIDANISHTJA

Të tillët e përmendin ndihmën që ua kanë dhënë kosovarëve gjatë luftës, duke i strehuar si refugjatë në Shqipëri. Faleminderit dhe nuk ua harrojmë. Por, a nuk është e pandershme që të instrumentalizohet për interesa të ulëta humanizmi që nuk diskutohet në të tilla raste?

E politikanët e Shqipërisë, kur iu bie doza e patriotizmit, Kosovën e kanë bateri rezervë. Na çajnë kokën me fjalë të mëdha. Veç kujtojeni Sali Berishën që premtonte nënshtetësi për të gjithë shqiptarët. Mos e harroni as Edi Ramën me fluskat e tij patriotike.

Deshi a nuk deshi dikush, Kosova e pavarur është rezultat i përpjekjeve shekullore të popullit të saj për ta fituar lirinë, për ta fituar shtetin. Shqipëria ka mundur ta ndihmojë, të bëjë më shumë, por nuk ka dashur. Ose nuk ka ditur.

* * *

Shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë të ndihen inferiorë ndaj Tiranës, ngase Tirana nuk është kurrfarë qendre e shqiptarizmës. Kosovarët nuk duhet të ndihen keq pse e kanë shtetin e vet. Ata nuk janë pakicë kombëtare, pavarësisht se dikush do të dëshironte të ishin të tillë.

Përkundrazi, duhet të ndihen krenarë, sepse shteti i Kosovës është fryt i përpjekjeve ndër breza, është fryt i sakrificës e vetëmohimit. Është fryt i gjakimit për liri e pavarësi. Është fryt i gjakimit për Kosovën Republikë.

Shteti i Kosovës, e jo Shqipëria është problem për Beogradin. Shteti i Kosovës, e jo Shqipëria është makth për Serbinë. Me qasjen e vet, edhe politikanë, edhe opinionistë në Shqipëri, por edhe në Kosovë, vetëm sa po i ndihmojnë Beogradit. Mbase edhe pa vetëdije, ata janë bërë aleatë të Serbisë në zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Kosova shtet është realitet dhe për këtë nuk duhet të kompleksohet askush. Sa më shpejt që çlirohen nga kompleksi i Kosovës shtet, aq më mirë. Shteti i Kosovës nuk është as i Hashim Thaçit, as i Isa Mustafës, as i Kadri Veselit, as i Ramush Haradinajt, as i Albin Kurtit. Shteti i Kosovës është i qytetarëve të tij. Është i kosovarëve.

Por, shteti i Kosovës nuk ka nevojë për armiqësi me Tiranën. Jo, ka nevojë për respekt të ndërsjellë ndërshoqëror, e bashkëpunim ndërshtetëror. Paçka se hajvanë këndej e andej kufirit do të dëshironin vasalitet, e jo partneritet. Hajvanë si tipi që ngre dilemën “ose me Cecën, ose me Nënë Terezën”.