UBT

Cikël poezish nga Sabit Rrustemi

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Ti e vonuara ime (Poezi të shkëputura nga dorëshkrimi poetik: Pa një vdekje mbes)

PUTHJET VETËTOJNË KUJTESAVE

Më vjen anës së majtë e ma dridhë pakëz
orën e fshehur nën brijë

Sakaq shoh vetën pip në këmbë
lis i rilindur stinësh
nën plisin blu

Zgjas duart sytë
i tëri kthehem kah ti
nën liqejt e blertë të fytyrës sate
vallëzojnë ëndrrat e mia të djegura
Më del përballë e më rrëmben si kjo stinë
më përtrinë rrënjësh deri në majë
pa një fjalë të ëmbël
përveç buzëve
që digjen etjesh brigjeve të mia prej gjaku

Nuk shohim asgjë pos asaj që fshehim

Publiku rreth e rrotull endet
as qan kokën për temperaturat që ngriten e bien
për qiellin që ngryset e kthjellet
për neve që rrezitemi nën diejt e syve tanë
e i ndrydhim dëshirash ndjenjat kryeneçe

Një hap s’e bëjmë andej kah duam
andej kah lahen dhe qiejt prej zjarresh që s’shuhen
për një ego provinciale vetëflijohemi pambarim

A puthjet vetëtojnë kujtesave
( 19 prill 2016 )

PLEME E MADHE KJO RRASHTË

Sa e Vogël kjo Amerikë
për Kuvendin e Madh të Kosovës

Humb si gjilpëra n’ kashtë

Çdo fije e ngrehur
shumëzohet për gjashtë

Pleme e madhe kjo Rrashtë

Dhe peri i gjilpërës u dogj
e kush nuk tha: ndjesë pastë

Syve ende na vërtitet Bashka e Artë

Të shpërthekuar përmidis Sheshit
fituesit e humbur brohorasin

Kristofor Kolombon nxirreni jashtë

Hajt merr e ik çka po pret
ty Kosovë të pijshmi për sh’net

( 27 Qershor 2015 )

ISEJADA

E shkurtër Udha për në Itakë

Vetëm Nëntë vite të duhen
për t’u kthyer i gjallë

A deri në Boletin
edhe si i vdekur nuk arrin
pa Nëntëdhjetenëntë vjet udhë

Isejadë se jo mahi
kjo prehje për në përjetësi

(10 qershor 2015)

N’KUMNOVË NUK SHKOHET MË N’KËMBË

N’ Kumnovë
ka kohë që nuk shkohet n’ këmbë

Gryka kot i ka çarë në dysh vargmalet

Një xhuxh guri
pak më i madh se uri
nën Ujtë e Kuq ka ngulfatë udhën

N’ Kumanvë nuk shkohet më as me at
madje as aga Dullë me kuaj sremi prej andej s’vjen

E pa nishane t’reja ka mbetur para dyerve
e egra dardhë

U zdorgjën majat në rrafsh ranë
rrotull kodrave dramat na përlanë
pasha t’ritë

Kush s’e pret më hënën me ecë për dritë
me mëngjes aty me zbritë

Veç përmes eterit
në pikë të natës e të ditës
e rroçkojmë dhe midisin e pites

Përmidis Kumnovës
majc

Dita e Muharremit t’ Azemit perëndoi

Askush ma nuk e heq shokën
me britmë s’e çartë Çarshinë
në një cep t’shervetes s’e fsheh dashninë

Mesele me zhele Kumnova
Ç’ju përdrodh qafa
në gjuhë Kosova

( 15 maj 2015 )

UDHA E MUHAXHERVE

Ti ishe një udhë fatprerë
me një lum që të këputë n’midis
mbetur sot e atë ditë pa urë

Përrockat e historisë
vërshuan mbi ty
me dhembje plagë e lot

Gjaku ynë i dëbuar
përmes teje gjeti si strehë
një lendinë të vetmuar skaj mali

Kulm mbi kokë ngriti
djalë pas djali
përtriu votrën e sofrën

Dhe një emër që zgjon dhimbë
sa herë t’përmendim
në ty e la

E sa shiu e breshëri e bora
ra e ra e ra
e do bjerë nëpër stinë

Gjurmët e plagëve nëpër Trupin Tënd
ende s’u fshinë
__________
një toponim mbi 150 vjeçar !
Në krye të fshatit Zhegër, rrëzë Blinajës ( Grebenit )
( 15 mars 2015 )

THIRR EDHE NJËHERË QERIM UJKANI

Brenda saj ishe i tëri prej kur mbahet mend
sa të dukej punë e vogël për t’ ju rrëfyer
atyre që të gjetën e të lanë prapë këtu

Ti mbete me Kosovën edhe kur tjerët
e braktisën a e harruan
i thirre në emër me sa zë pate
për ta zgjuar dhe atë kupë të fjetur qielli

Ajo të mbante në prehër
e Ti në zemër
deri sa u bëre vetë shpirti i saj

Kur i ngrinin këmbët
ia ngrohje me hukamë
kur i mpiheshin duart
ia shpije me duart tua

Dhe balli kur i djersinte nga temperaturat
ti ishe aty

Me lekurën e tharë të trupit ia fshije

Brenda saj mbete u harrove
duke ia numëruar lulet zogjtë yjet

Me dashuri Kosove
së tepërmi u dehe
rrugëve shesheve metropoleve

Sa herë e përqafe e puthe e s’u turpërove

Fundamenti

Ta kishe thirrur edhe njëherë
sall edhe njëherë
siç e thirre dikur

Kur të tjerët s’ guxuan

Thirre, Qerim Ujkani
e shih pastaj si pëlcet vdekja
Himnin e mëngjesit e vallëzon sall jeta

( 13 mars 2015 )

ZEMRA N’VEND S’NA BIE

Qysh me ia mësy Shkupit
n’këmbë

Udha e Vjetër e Mretit është lidhur nyje
te Ujtë e Kuq
një KobërKohe ende te ai Kep Shqipeje
roje bën

Malit janë mbyllur shtigjet

Vetëm rrotull
rrotull kah ai Gur i Shpumë
ku kullojnë Plagtë Njëqindesavjeçe të një Beteje

Baca Idriz e ti Babë Hajdin
përcillmni vetëm me sy
si atë ditë
prej Gurit të Zi
se unë po nisem edhe njëherë

Pa e çlirue qysh duhet Shkupin
zemra n’ vend s’ na bie

( 5 Dhjetor 2014 )

NË AKADEMI

Fjala më e madhe e dijës
është akademia

Emri i saj nuk shpërdoret
ruhet për Ngjarje të mëdha

Në lartësinë e emërtimit
përgatitet Skena
kërkohet Folësi

Me klok zgjedhet Ligjëruesi
publiku

Në akademi nuk shkohet pa Ftesa
as dilet në Foltore me duar në xhepa

Fjalët nuk nxirren pa vegëza
maten e ç’maten
dhe shkruhen në letra

Në akademi flet Truri

Mblidh veten
ku e ka vendin lëre Llullën
mbyll celularin

Në akademi
çdo gjë është serioze
pos zhurmës
ulëset e rezervuara
veshja muzika
paraqitja
duartroktijet

Vetëm artistët pranohen ashtu si janë
të shkujdesur

Përmes rolesh figurash
me shallat rreth qafe mbështjellur
zhvendosin skenën
vëmendjen e tjerëve
edhe kur ulen kah Fundi

Akademinë
përherë e rritë Përmbajtja
dhe e zvogëlon Forma

( 13 janar 2014 )

KUR SHKUNDEN BLIJTË MIDIS PRISHTINËS

E kuqja harxhon sekondat e fundit
e verdha rri anash
ndezet e gjelbërta

Hapat nxitojnë drejt pjesës më të bukur të ëndrrës
nën ombrellat bleroshe të blijve
aty midis Prishtinës

Vjeshta e shirave ndalet përpak
një puhi a simfoni
nëpër faqe gjethesh vallëzon si imja dashuri
vetëm po ecë andej ku më prisje dikur
aromë lulemaji

Kur shkunden blijtë midis Prishtinës
si kujtesë e rilindur
m’i mbyll sytë prej pas shpinës

Je ti e vonuara ime
nuk të kam harruar

Rigon mbi mua përmes blijve
e fluturon hapësirës shlirë si këto gjethe

Lermë të kthehem kah ti
të të pres në duar porsi këto gjethe

Shkunden sërish blijtë për midis Prishtinës
për t’ ma kthyer dhe pjesën tjetër të ëndrrës

( 1 tetor 2013)

PËR MUNGESË TË NJË URIMI SA ISHE GJALLË
(Ali Podrimjes, në Mungesën e parë të Ditëlindjes)

Nuk e besuam se kaq shumë do na përvëlonte ai Det Përmallimi
nga Kalimi Yt i Papritur në Pjesën e Pasosur të Jetës

U penduam deri në Lot
për krejt ato që i folëm pas shpine
për të gjallë Tëndin

Tash zor të rritemi brenda Mungesës që gërryen
duke u thirrur në Ty

Hajde kthehu edhe i’her’ n’ kofsh Burrë
trande për së dyti
këtë Botë

Sa njeriu të kishte dashur
pa e ditur Ti

me lot fjalësh
krijuan një oqean të ri

E përçudtshme kjo Kohë do thuash
sa e pështirë
fund e krye duhesh dëlirë

Mos vdeksh kurrë, o Bacë
se së dashuri
dhe Shpirtin e Fshehur thellë në Pyll
do të ta gjejmë për ta ngrënë
( 28 gusht 2013 )

LIVADHI I ANEJSHËM

Emrin lehtë ia gjetëm
asaj ledine pas shpine
që n’ mal rrëshqiste

Vetëm dielli i paraditës e ndriste
pasdita kurrë s’e ngrohte

Mos të zëntë nata atypari
e mira thoshte

Rrallë ia morëm barin

Andej s’e lidhëm asnjëherë atin
vetëm pelat hergele e kullotnin
dhe delet e bardha kalimthi lugajës
Ujku aty kish jatakun
dhelpëra shpellën
korbi strofullën

Dhe gjarpri me flokë birën
tek shemat me dredhëza plot

Livadhi i Anejshëm
përditë e më shumë
i përtejshëm u bë

Vite e vite
aty s’ ka shkelur ime këmba
shtegu i dikurshëm s’ ka mbetur
as sa pëllëmba

Bari i keq ka zënë hapësirën
therrat mal
ngulfatur kanë lulemirën

As kosa më nuk çelë udhë
çufrrajat me rrënjë pa i shkulë
po ku me gjetë një zemër të plotë
s’ ka mbetur as sa një llullë

Me shlye prej hartës e kujtesës
nuk po më le inati
me i ra atypari më plas i thati

Së gjeri e së gjati
më doli doresh i ngrati
( 19 prill 2013 )