Çka porositi trajneri boshnjak Amir Alagic ?
Gjilan – Trajneri i ri i Dritës boshnjaku Amir Alagic, pas kontaktit që kishte me futbollistët e Dritës në stërvitjen e djeshme me zyrtarët e klubit dhe tifozët “Intelektualët”, kishte arritur të shoh nga afër se ku do ta vazhdonte karrierën si trajner.
Alagic karrierën futbollistike e kishte filluar në Jedinstvo të Bihaqit në ish ligën e dytë të ish Jugosllavisë për ta vazhduar në Borac Banja Luka në Ligën e parë të ish Jugosllavisë, karrierën e kishte vazhduar në Gjermani në Ligën e 4-të duke vazhduar
në kontinentin e Australisë duke luajtur së bashku me ish futbollistin e gjeneratës së artë të Prishtinës, Fadil Muriqin.
Trajneri Alagic njihet si trajner me temperament të lartë si në stërvitje një ashtu edhe gjatë lojës është një punëtorë shumë i madh me një disiplinë jashtëzakonisht të madhe duke ju përmbajtur të gjitha rregullave të futbollit Evropian.
Dashuria e madhe ndaj futbollit dhe respektin që ka për popullin e Kosovës, Alagic ka vendosur që bardh e kaltërtit e Dritës t`i udhëheqë deri në fund të vitit 2017.
“Kam shumë respekt për popullin e Kosovës të gjitha peripecitë e këtij populli i di, dua që dijen time t’ju shpalos futbollistëve të Kosovës tani për tani primare e kam KF Drita, ai që ma ka shtyer të vi në klubin e Dritës është shoku im Nexhmedin Bunjaku ish futbollist i këtij klubi”, shprehet Alagic.
Pas stërvitjes së parë Alagic ka mbetur i befasuar me qëndrueshmërinë e futbollistëve.
“Këta futbollist nuk mund të luajnë as 60 minuta, nuk kanë kurrfarë koncepti të lojës me atë se çka munda të vërej pa e lënduar askënd mund të them se ndoshta janë 3-4 futbollist që mund të mbështetem tek ata ndërsa të tjerët janë shumë larg futbollit dhe janë të papërgatitur totalisht, ndërsa paramendoni skuadra duhet t`i ketë së paku 11 futbollist të përgatitur maksimalisht, për atë arsye Drita është këtu ku gjendet tani këto janë pasoja të disa viteve të më hershme”, bënë të ditur boshnjaku, Alagic.
I vetëdijshëm Alagic me sfidat që do ti ketë me këta futbollist ai shprehet mjaft optimist.
“Do t`i përvishemi punës që nga fillimi, do të punojmë dalëngadalë për të ndërtuar klubin e Dritës duhet punuar shumë në mënyrë profesionale duhet ditur se po fillojmë nën minimum për të ndërtuar duhet së bashku të marrim pjesë”, thotë trajneri, Alagic.
Trajneri Alagic është mjaft mirë i informuar së gjerë më tani Drita ka vetëm tri pikë dhe ka një orar tejet të vështirë në Vala Superligën e Kosovës në futboll.
“Unë nuk jam magjistar unë jam trajner i futbollit, me atë çka pash nuk kemi kualitet të futbollistëve duhet ndërtuar skuadrën gjerë në pushimin dimëror duhet luftuar për çdo minutë në fushë pastaj mund të komponohemi të sjellim disa futbollist cilësor dhe të jem në mesin e tabelës duhet të jemi real e jo euforik, duhet kuptuar edhe tifozët “Intelektualët” dhe të gjithë dashamirë e Dritës se a mund të bën gara vetura Fiqa me një Chevrolet, kështu janë raportet në klubin e Dritës por së bashku për stinorin e ardhshëm do të jemi krejtësisht tjetër skuadër”, shprehet Alagic.
Në fund Alagic është shprehur falënderues nga i gjithë stafi i Dritës dhe tifozëve të saj për mikpritjen që i është bërë./rajonipress/


