Çka është prekariati në Kosovë?
Nga Raif Ramabaja – Çka është prekariati? A është ai prezent edhe në Kosovë?. Janë këto dy pyetje shumë interesante për publikun,institucionet shtetërore dhe bizneset e ndryshme. Këtu është fjala për “njerëz të cilët jetojnë e që e kanë ekzistencën e pasigurt”.
Shumica e këtyre njerëzve nuk kanë lidhje për këtë term, e që realisht janë pjesa më e madhe e shoqërisë.
Fjala “prekariat” është një kombinim i formuar nga fjala latine “precarius” (jo i përhershëm, sipas dëshirës së dikujt) dhe vazhdimit të huazuar nga fjala proleta-riat.
Klasa e re e Evropës : Njerëzit e privuar nga siguria e punës. Prekarijati është si pasojë e ndryshimeve të thella në tregun e punës, në kushte të globalizimit total.
Kjo armatë e tërë është e gatshme të punojë gjithçka për paga të ulëta, të punojë pas orarit të punës dhe pa pagesë, vetëm për ta siguruar ekzistencën,pa sigurim social dhe shëndetësor, që punon sot për nesër, pa kërkuar bonuse, pa luftuar për të drejtat e veta, nuk organizohet dhe nuk e organizon askush, është pasive për shkak të kërcënimeve për humbjen e punës, por, më së tepërmi për shkak të ndjenjës së pafuqisë.
Nuk ka dyshim se kapitali ka dizajnuar modelet e shfrytëzimit të të gjitha formave të punës dhe ka arritur që t’i institucionalizojë ato. Dhe kështu, ndryshimi i këtyre raporteve, pothuajse është i pamundur. Nuk mjafton siç po duket kundërshtimi individual,shoqërisë civile apo dhe i aktivistëve.
Sot, edhe në Kosovë është në të madhe prezent prekariati. Nepër të gjitha firmat private të punësuarit pa kontratë dhe me kontratë pune, nuk e kanë të sigurt punën, punojnë në të “zezë”. Kjo çështje është e rrezikshme sepse po bëhet “normalitet i ri“.
Po ashtu,me zhvillimin e sektorit të ndërtimit në Kosovë është rritur edhe numri i punëtorëve prekarial, e më së shumti në periudhën e punëve sezonale. Marrëdhënia e punës dhe kohëzgjatja, varët nga mëshira e punëdhënësve të pashpirt.
Këtu pra bëjnë pjesë edhe ata që :grumbullojnë shishe dhe kanaqe, punëtorët e krahut, hamallet,punëtorët e shpallur si tepricë teknologjike, ata që kanë mbetur pa punë me procesin e egër të privatizimit, ata të cilët kanë kaluar në “servis ekonomi” dhe njerëzit e ri të arsimuar, të cilët janë të frustruar me gjendjen aktuale dhe me statusin e tyre shoqëror.
E kjo gjendje është edhe si pasojë e mosfunksionimit të organeve shtetërore dhe agjencive të ndryshme që financohen nga shteti, që kanë për detyrë zbatimin e Ligjit të Punës.
Kjo klasë e re e quajtur prekariat, ka lindur nga martesa e egër e neoliberalizmit dhe globalizimit. Ky fenomen është “derdhur” nga Evropa, dhe ka gjetur aplikim bukur të madhe edhe në Kosovë.
Sot, kritizeri më i madh i neoliberalizmit dhe i pabarazisë ekonomike është nobelisti i ekonomisë, Prof. Xhozef Stiglic ( Jozeph Stiglitz) ish këshilltar i ish Presidentit Amerikan Bill Kllinton, i cili potencon se pushtetit duhet t’i behët me dije se megjithatë “tregu nuk rregullon gjithmonë” dhe se ( siç vlerëson ai ) neoliberalizmit ngadalë po i vjen fundi
Siç po shihet, çmimin më të lartë të këtyre proceseve edhe në Kosovë është duke e paguar shtresa e mesme e cila është edhe numerikisht më e madhe.
Në qoftë se është për ngushëllim, kjo nuk është vetëm si rezultat i rrugëtimit tonë të pakryer nga socializmi në kapitalizëm, por një proces global i cili e ka fituar emrin e vetë, i cili rrallë përmendet por shumë vërehet.
Tranzicioni ka qitur në shesh një parim të ri “nuk ka pagë të vogël, për të cilën unë nuk do të punojë”në vend të atij parimi ”nuk mundësh të më paguash aq pak, sa pak unë mund të punojë”.
“Prekariati “ pra, përfshinë të gjitha llojet e punësimeve të përkohshme dhe të pasigurta.
Kjo kategori e njerëzve është klasa që ekziston si klasë, por pa ideologji klasore, pa ndjenja kolektive, pa strukturë klasore, pa solidaritet të brendshëm, pa organizim politik dhe sindikal. Pafuqia e prekariatit del pikërisht nga ajo se ai nuk është shëndrruar në klasë
E ndryshimet mund të ndodhin kur të kalojë në klasë për veti. Mu për këtë është vështirë të mobilizohet e tërë kjo klasë në realizimin e drejtave të tyre.
Sipas definicionit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës ”puna prekariale” është “mardhënia e punës në të cilën nuk ka siguri të punësimit, e cila konsiderohet si element kryesor i kontratës së punës”.
Në këtë kontekst, puna e humbë karakterin e vetë social dhe punëtori bëhet mall i cili shitet dhe blihet në treg me çmim sa më të lirë, sikurse edhe mallrat tjera, e kjo do të thotë se atij në çdo moment mund edhe t’i shkëputet marrëdhënia e punës.
Padyshim se këtu kemi të bëjmë me një eksploatim fleksibil të prekariatit.
Profesori i shquar Britanik nga Universiteti Bath, Gaj Standing ( Guy Standing),ideologu i “prekariatit”, konsideron se po lind një “klasë e re e rrezikshme” e cila do ta ndryshojë botën. Prof. Standing thekson se prekariati nuk është vetëm viktima, por klasa radikale e mllefosur punëtore, e cila nuk ka çka të humbas dhe në të ardhmen do të jetë bartësi kryesor i ndryshimeve sociale.
Studimi “Punësimi Prekarial në Evropë” i punuar nga Instituti Rener – Austri /2014 , tregon se prekariati është rezultat i “komodifikimit të punës”, shëndrrimit të sajë në “faktor të prodhimit” siç është lënda e parë apo komponentët tjera. Kemi të bëjmë me “tregun fleksibil të punës”, me “servis ekonominë” , e para syve tone kjo do të thotë : rritje sistematike të pasigurisë së vendit të punës si çmim cilin duhet paguar për tërheqjen e
investimeve.
Kategoritë e prekariatit
Gjithnjë, sipas Gaj Standing, kemi katër kategori të prekariatit.
Njerëzit e paarsimuar. Nuk e kanë arsimin e lartë, vijnë nga klasa punëtore,shpesh të papunësuar,punojnë në kohë të caktuar, nuk kanë kurvarë privilegje, janë pa perspektive dhe janë të degraduar në shoqëri.
Të arsimuarit. Kanë mbaruar fakultetin, janë të mençur dhe kanë ide përparimtare, por janë të frustruar, sepse po jetojnë me një shoqëri e cila nuk i ofron kurrfarë perspektive, karrierë apo siguri shoqërore. Ata e shohin vetën si të lënë pas dore nga shoqëria dhe nuk kanë kurrfarë shprese nga pushteti.
Klasa e dikurshme punëtore. Pjesëtarët e dikurshëm të klasës punëtore të cilët me deindustrializimin dhe procesin e “privatizimit” ( lirisht thuaj shkatërrimit-plaçkitjes) të ish NSH, kanë mbetur pa punë ( e në Kosovë kjo kategori e punëtorëve ka qenë më e pranishmja dhe numerikisht më e madhja).
Gjeneracioni Y. Gjeneracioni i të rinjve të lindur nga viti 1980 – 2000, po ashtu mund të klasifikohen në kategorinë – klasën e prekariatit, të cilët presin të punësohen e nuk kanë ku.
Por, kjo gjendje në Evropë por edhe në Kosovë ashtu siç është, me këto ligje sistemore, është e vështirë të ndryshohet. Për diçka të tillë është më së e nevojshme një qasje alternative, një lloj radikal i reformës sociale, e cila do të sigurojë sigurinë financiare si të drejtë universale qytetare.
Pikërisht nga kjo, në vendet Evropiane ka lindur edhe ideja e pagës së garantuar për çdo qytetarë. Diçka e tillë është duke u aplikuar në disa shtete Skandinave. A mund kjo të jetë – utopi apo realitet ?. Edhe Kosova pa tjetër gradualisht duhet të ju përshtatet këtyre rregullave, më herët apo më vonë.
Por, tani për tani as kush se qanë kokën për këtë çështje./rajonipress/

