Matoshi: Albin Kurti nuk mund të nxisë konflikt mes Kosovës dhe Malit të Zi
Deklarimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se demarkacioni siç shprehet ai i Murat Mehës bën konfliktin, luftën dhe gjakderdhjet e reja me Malin e Zi, po komentohet me tonë të ndryshme nga ana e njohësve të rrethanave politike në vend.
Analisti, Halil Matoshi këtë deklaratë e vlerëson boshe dhe të papërgjegjshme. Në një prononcim për Indeksonline, Matoshi është shprehur se ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ende ushqehet me fantazmat e shekullit XIX dhe VV, dhe ato sipas Matoshit, ai i përdor si retorika politike për dominim të shoqërise.
Megjithatë ai thotë se më këtë retorike ai nuk e bind askënd.
“Kjo është thjesht deklaratë politike boshe por edhe si e tillë e papërgjegjshme. Republika e Malit të Zi e ka njohur Kosovën shtet në kufijtë e vitit 1974 dhe vazhdon marrëdhëniet solide me shtetin e ri. Pra, as Kurti dhe askush tjetër nuk mund të ndërhyjë mes dyja shteteve për të nxitur konflikt.
Kurti ende ushqehet me fantazmat e shekullit XIX dhe XX dhe i përdor ato si retorika politike për dominim të shoqërisë, mirëpo nuk e bind askënd me to”, ka thënë Matoshi për Indeksonline.
Në një intervistë për një medium në Kosovë, Kuri ka deklaruar se demarkacioni i Murat Mehës bën konfliktin, luftën dhe gjakderdhjet e reja me Malin e Zi.
“Mos harroni se në vitin 1998 në Kosovë ka pasur luftë, por në Prishtinë ka mundur të mos ketë. E mbaj mend shumë mirë se në Prishtinë ka pasur paqe, por në Drenicë, Dukagjin e Llap ka pasur luftë. Kur po them luftë, nuk po them se lufta vjen në Prishtinë, por ajo ndodh atje ku është kontesti kufitar e territorial”, ka thënë ndër të tjera Kurti./Indeksonline/


