Historianët kërkojnë nga Lutfi Haziri ngritjen e një shtatoreje për Ramiz Cërrnicën
Gjilan – Në një kërkesë që i ka dërguar Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – Prishtinë, Dega në Gjilan, kreut të Gjilanit Lutfi Haziri, jepet arsyetimi i plotë që t`i ngrihet një shtatore në qendër të qytetit të Gjilanit, Ramiz Cërrnicës. “Prandaj, kërkojmë nga ju zoti Haziri që të ndërmerrni të gjitha veprimet e duhura që kërkesa jonë profesionale dhe kombëtare të realizohet praktikisht, për ç’gjë jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në çdo kohë” thuhet në letrën e Blerim Hazirit kryetar i Lidhjes së Historianëve dega në Gjilan.
Arsyetimi i Lidhjes së Historianëve të Gjilanit për Ramiz Cërrnicën
Ramiz Cernica u lind në vitin 1903 në familjen Hoxha në fshatin Cernicë, familje me vlera kombëtare. Asokohe shkollimi u selektivizua, kurse ai nuk pati mundësi shkollimi. Megjithëkëtë, si autodidakt mësoi shkrim leximin, që e avancoi edhe më shumë gjatë shërbimit ushtarak prej tetëmbëdhjetëmuajve në qytetin e Vukovarit, ku falë avancimit shkollor, por edhe njohurive ushtarake, që posedonte gjatë shërbimit, i besohej detyra e komandantit të togut. Në këtë drejtim angazhohej edhe gjatë shërbimit në xhandarmëri në Kumanovë, ku qëndroi 8 muaj, kurse në vitin 1933 kreu një kurs për drejtimin e makinës shirëse.
Ramiz Cernica inkuadrohej në Lëvizjen Kombëtare në vitet e njëzeta të shekullit XX. Ndërkaq, në vitet e tridhjeta zgjidhej kryetar i Komunës së Parteshit. Sa qëndroi në këtë post vazhdimisht kundërshtonte padrejtësitë, shtypjen e popullit shqiptar, duke luftuar për të drejtat kombëtare. Me ngulm kundërshtonte kolonizimin e Kosovës si dhe shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve për në Turqi. Për shkak të qëndrimeve të tij kombëtare burgosej nga pushteti serb. Gjatë viteve 1941-43, kur rajoni i Gjilanit ishte në autoritetin Italian, ushtroi detyrën e kryetarit të Parteshit. Në prill të vitit 1943 shpëtoi Aradhën Partizane Shqiptare në krye me Fadil Hoxhën, e cila u rrethua nga italianët në malet e fshatit Livoç i Epërm.
Në vjeshtën e vitit 1943, pas kapitullimit të Italisë shkoi si delegat në formimin e Asamblesë së Qeverisë së Shtetit Shqiptar në Tiranë, që ishte një besim i madh ndaj tij. Udhëheqja e LNÇ-së Ramiz Cernicës i afroi të marrë pjesë në Konferencën e Bujanit, por ky nuk e pranoi ofertën .
Pas hyrjes së brigadave partizane më 16 nëntor 1944 në Gjilan, Ramizi burgosej, dy herë, por shpejt lirohej. Në korrik të vitit 1945, Ramizi si delegat i rrethit të Gjilanit mori pjesë në Konferencë të Prizrenit, ku edhe formalisht po zyrtarizohej aneksimi i Kosovës nga ana e Serbisë. Në këtë konferencë kërkoi dhe e mori fjalën edhe Ramiz Cernica. Me këtë rast guxoi që haptas të deklarojë se është kundër aneksimit të Kosovës nga ana e Serbisë, duke shprehur njëkohësisht vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë. Kjo paraqitje e Ramizit në këtë konferencë shkaktoi një tollovi dhe një tërbim të egër të udhëheqësve të “Kosmetit”, sidomos të Ali Shukriut, kështu që Ramizit ia ndërprenë fjalën dhe kryesia e punës dha një pushim, sepse u pa se pas Ramizit, të inkurajuar nga fjala e tij, i ngrenë duart për të marrë fjalën edhe ca delegatë të tjerë. Ky deklarim i hapur e i guximshëm i kushtoi shumë shtrenjtë Ramizit. Pas pak ditësh pushteti antishqiptar në Gjilan e dënoi me 20 vjet burg të rëndë.
Ramiz Cernica frymëzuesi i mijëra shqiptarëve, që ishin bërë barrikada të gjalla para pushtuesve serbë, ishte fanari ndriçues i rrugës së lavdishme për çlirim e pavarësi. Ishte udhërrëfyes për gjithë atdhetarët deri me vdekjen e tij. Qëndrimi i tij historik ishte “Nuk dua që brezat e rinj të më mallkojnë përjetë, prandaj po them, me Serbinë –JO!, me Shqipërinë PO. “
I nderuar Lutfi Haziri, Kryetar i Komunës së Gjilanit
Vlerësojmë se Ramiz Cernica meriton t’i ngrihet një shtatore në Qendër të qytetit së Gjilanit. Prandaj, kërkojmë nga ju të ndërmerrni të gjitha veprimet e duhura që kërkesa jonë profesionale dhe kombëtare të realizohet praktikisht, për ç’gjë jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në çdo kohë thuhet në letrën e nënshkruar nga Blerim Haziri./rajonipress/


