UBT

Derbi i takon Dritës

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Drita ka fituar ndaj Prishtinës me rezultat 2-0 në ndeshjen derbi të javës së 26-të në BKT Superligën e Kosovës. Ekipi i Ardian Nuhiut ka arritur t’i kthehet fitores në kampionat pas katër ndeshjeve (dy humbje, dy barazime), duke e mposhtur Prishtinën në shtëpi.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi vendasve, të cilët patën shumë raste për gol, por pa arritur ta tundin rrjetën, shkaku edhe i pritjeve të Egland Haxhos.

Drita tentoi pa sukses në fillim me Ilir Blakçorin dhe Ardian Limanin e më vonë edhe me Almir Ajzerajn dhe një tollovi në minutat shtesë, ku nuk arritën të shënojnë, ndërsa Prishtina provoi pa sukses me anë të Leutrim Kryeziun.

Edhe pjesa e dytë nisi më mirë dhe përfundoi më mirë për vendasit, të cilët krijuan më shumë, rrezikuan më shumë dhe shënuan dy gola. Marko Simonovski (47’) tentoi nga distanca, goditjen e të cilit e priti Haxho, por vetëm një minutë më vonë sulmuesi maqedonas lëshoi një goditje të fortë duke shënuar gol të bukur për 1-0.

ARKATANA

Prishtina pastaj mori iniciativën duke tentuar golin e barazimit dhe rrezikuan me anë të Besnik Krasniqit (57’), por goditjen e tij e priti Faton Maloku.

Më vonë, Drita u rikthye përsëri në lojë duke qenë skuadër më e mirë duke krijuar raste dhe shënuar golin e dytë me anë të Prince Balde (81’) për 2-0, që doli të ishte edhe rezultati përfundimtar.

Pas ndeshjes trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu tha se ata bën një ndeshje të madhe në çdo aspekt. “Realisht bëmë një ndeshje të madhe. Gjatë pjesës të parë dominuam në çdo aspekt, me raste shënimi që krijuam, por mungoi vetëm konkretizimi. Ishte ndeshje e madhe si në qarkullim të shpejt të topit, si në çdo tipar tjetër. Gjithashtu, falënderoj tifozët që na ndihmuan ta korrim këtë fitore”, përfundoi ai.

Pas kësaj fitore, gjilanasit e shohin veten në pozitën e tretë me 46 pikë, ndërsa kryeqytetasit në vendin e gjashtë me 32 pikë. Në ndeshjen e ardhshme, Drita udhëton te Ulpiana, ndërsa Prishtina e pret Llapin.