Referendumi në Britani të Madhe si sinjal politik
Nga Sadri Ramabaja – Më 23 qershor do të mbahet referendumi në Britaninë e Madhe, me ç’rast britanikët do të votojnë për mbetjen e Britanisë së Madhe në BE ose për daljen nga kjo bashkësi. Pas kësaj date elitat politike do ta kenë më të qartë se bartja e debatit nga terreni ku përplasen idetë për “më pak apo më shumë Evropë”, tek debati “çfarë Evrope do të donim”, është i pashmangshëm.
Evropa është kontinent historik. Civilizimi ynë dhe shkalla e zhvillimit të tij nuk mund të merret me mend pa kontributin e Evropës. Shteti modern (1648) zë fill pikërisht këtu, në Evropë.
Ndërkaq projekti më i madh që rezulton si produkt i Evropës moderne mbetet Bashkimi Evropian. Ky projekt në themel të tij, krahas mendimit politik francez – komponentin filozofik dhe ideologjik që i parapriu revolucioneve të mëdha shoqërore me ndikim në gjithë Kontinentin, ka edhe mendimin racional gjerman dhe atë politik anglez, që bazohej para së gjithash në interesat nacionale gjeostrategjike.
Në Evropë zuri fill edhe diplomacia, respektivisht arti i aplikimit të “inteligjencës dhe taktit në zhvillimin e marrëdhënieve zyrtare ndërmjet qeverive të shteteve të pavarura”, siç do të thoshte diplomati britanik Ernest Mason Satow.
Këto elemente, marrë tok, e kanë shndërruar Evropën në një tip kozmosi kulturor vazhdimisht në lëvizje, në ecje progresive dhe me ndikim gjithandej, por që mund të reflektojnë si fuqi politike vetëm nëse projekti përmbyllet i plotë. Projekti gjithsesi nuk është i përkryer. Fakti që rreth 40 % e britanikëve duan që Britania e Madhe të shkëputet nga BE-ja dhe 20 % janë ende të papërcaktuar, madje mu në prag të referendumit historik të 23 qershorit (2016), dëshmon se projekti duhet rishikuar. Deficiti demokratik pas dështimit të projektkushtetutës (2005), pavarësisht përpjekjeve për korrektura serioze nëpërmjet Traktatit të Lisbonës, vazhdon të mbetet evident. Projekti politik nuk është arritur dot ende të shndërrohet në promotor që lëvizë shoqërinë nga poshtë, lart. Bartës të tij tutje mbeten elitat, jo popujt.
Pa një strukturim të ri politik, duket se krejt kjo që është arritur deri tashti, nuk ka mundësi të mbijetojë. Teoritë e dezintegrimit na mësojnë se, dezintegrimi si proces ka tempon e vet. Si i tillë ai i ngjet llavës: kur vije – merr me vete çdo gjë që i del përpara. Këtë rrezik BE do ta përballonte vetëm nëse ndërkohë do ta kishte të ndërtuar pullazin politik, si mbulesën më të mirë të shtëpisë së përbashkët. “Në një treg të brendshëm të përbashkët nuk mund të dashurohesh”, shprehej dikur Jacques Delors.
Kapitalizmi, nuk do të duhej të harronim, shprehet politologu dhe shkrimtari i njohur Prof. Dr. Johano Strasseri, mbetet tutje kapitalizëm. Kushdo që mendon se ndikimi i tregut zvogëlon nevojat e rënda të karakterit ekonomik e politik, ato sociale e mjedisore; kushdo që beson se si një komb i vetëm, mund të marshojë triumfalisht dhe të përballet me kapitalizmin financiar botëror, ai është subjekt i një gabimi mizor.
Vendimet historike të qershorit
Qershori po vlerësohet nga njohësit e sistemit politik të BE-së, si muaji i kthesave historike të pritshme, respektivisht si muaji që do të përcaktojë fatin e BE-së. Gjatë qershorit priten dy vendime me peshë historike për të ardhmen e BE-së:
1. Më 23 qershor do të mbahet referendumi në Britaninë e Madhe, me ç’rast britanikët do të votojnë për mbetjen e Britanisë së Madhe në BE ose për daljen nga kjo bashkësi.
2. Ndërkaq vetëm dy ditë më herët – më 21 qershor, do të merret vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese Gjermane që ka të bëjë me Programin OMT (=Outright Monetary Transactions) të aprovuar nga Banka Qendrore Evropiane dhe mund da vë në pikëpyetje Eurosistemin (jo vetëm si sistem monetar).
Këto dy ngjarje tregojnë një fakt tragjik: Evropës po i përgatitet një e ardhme me shumë ndeshtrasha. Si ngjarja e parë edhe e dyta, na bëjnë me dije se Evropa ka kohë që kemi filluar ta humbasim, ndërkaq tek tashti e vëmë re këtë fakt tragjik!
A ka kohë t’i shmangemi llavës dhe të rifillohet ndërtimi i shtëpisë së re?
Pse gjasat për dalje të Britanisë nga BE janë megjithatë të vogla?
Të dhënat statistikore të Bankës Gjermane Bundesbank dëshmojnë se, përmasa e shkëmbimeve bilaterale të mallrave dhe shërbimeve mes Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe ka shënuar rritje të konsiderueshme, qoftë edhe nëse krahasohen vetëm shifrat e vitit 2014 me ato të vitit 2015. Në vitin 2015 shkëmbimi bilateral kap shifrën prej 183 miliardë eurosh, që d. t. th, se kemi të bëjmë me një ngjitje prej 7 % krahasuar me vitin 2014. Nëse i hedhim një sy eksportit, atëherë rezulton se për ekonominë gjermane, Britania e Madhe realisht është një treg i rëndësisë së veçantë. Jo më pak edhe Gjermania është treg i rëndësisë së veçantë për Britaninë e Madhe. Gjatë vitit 2015 Gjermania ka eksportuar në Britani të Madhe mallra me vlerë prej 95 miliardë eurosh dhe shërbime me vlerë prej 23 milionë eurosh. Po brenda kësaj periudhe Britania e Madhe ka eksportuar në Gjermani mallra në vlerë prej 41 miliardë eurosh dhe shërbime në vlerë prej 23 miliardë eurosh.
Për qytetarin britanik është e qartë se, janë interesat ekonomike ato që e mbajnë Britaninë e Madhe të ndërvarur nga Bashkimi Evropian.
Neni 50 i Traktatit të Lisbonës parasheh periudhën kalimtare prej dy viteve brenda së cilës do të trajtohet dalja në këtë rast e Britanisë së Madhe dhe reflektimi i këtij akti në marrëdhëniet bilaterale. Sigurisht që pala më e dëmtuar do të ngelet ajo britanike, sepse një veprim i kësaj natyre “do të kishte një ndikim të rëndësishëm në lëmin e investimeve dhe atë të besimit ekonomik, por edhe në ecurinë ekonomike gjithsesi të reduktuar”, qe shprehur shefja e FMN-së, Christine Lagarde, gjatë një vizite së fundit në Londër.
Dalja nga rrethi vicioz – integrimi i thellë
Në botën aktuale të përfshirë nga një valë e gjerë konfliktesh dhe kundërthëniesh të natyrës gjeopolitike, të sigurisë etj., një strukturë lehtësisht e copëtuar, siç po reflekton të jetë ndërkohë Evropa, do të mund të mbijetonte, vetëm nëse i nënshtrohet proceseve të thella integruese të natyrës politike, duke u shndërruar me vullnet në subjekt politik të fuqishëm. Ky akt historik – pavarësisht diferencave aktuale – nëse referendumi britanik përfundon si do të duhej, duke fituar mendimi pozitiv për mbetjen e britanikëve si pjesë e BE-së, çka unë pres të ndodhë, parimisht BE do të mund të shpëtoj nga skema që do ta shpinte atë drejt shndërrimit në një strukturë amorfe dhe, me hove cilësore, të shndërrohej shpejt në Një Bashkësi të mirëfilltë politike e aftë për veprim si subjekt i fuqishëm politik. Kriza aktuale në lëmin e integrimit evropian, por edhe ajo financiare dhe së fundmi edhe kjo me refugjatët nga Lindja, koncipohet jo pa të drejtë, si produkt i boshtit Berlin-Paris.
Jugu i eurozonës e sheh veten si viktimë e diktatit të Berlinit dhe Parisit në dobi të bankierëve privatë gjerman dhe francez; evropianolindorët i shohin si viktima të radhës vlerat perëndimore dhe akuzojnë Berlinin dhe Parisin për agresion, respektivisht ushtrim të një lloj imperializmi kulturor, ndërkaq Perëndimi e shikon veten si viktimë e të ashtuquajturit dëm kolateral nga dyndja e paralajmëruar tashmë e popujve të Lindjes drejt Evropës Perëndimore, e që si e tillë, siç u dëshmua në verën e kaluar, ia arriti që në një mënyrë a tjetër ta përmbysë konceptin aktual mbi kufijtë.
Debati real: Çfarë Evrope duam?
Për aq kohë sa Bashkimi Evropian ishte shndërruar në një simbol i mirëqenies, ekzistenca, nevoja e të qenit të BE-së, nuk vihej në pikëpyetje nga qytetarët. Por ç’ndodhi në periferinë e Evropës lidhur me krizën financiare dhe pasojat e saj; si po reflekton në polarizimin e shoqërive të jugorëve evropian shtimi enorm i armatës të të papunëve; si po reflekton në qarqet e së djathtës ekstreme kriza me refugjatët e Lindjes… dhe një varg pyetjesh të këtij karakteri, që po e trandin tashmë Evropën ende nuk kanë përgjigjen meritore.
Nëse “Evropa” do të duhej të shndërrohej gradualisht nga një projekt elitar, siç ishte, në një projekt që i afrohet qytetarëve dhe shndërrohet gradualisht nga një projekt poshtë-lart siç ishte, atëherë temat e theksuara prekin gjithë shoqërinë: nga të majtët deri tek të djathtët; ato kërkojnë përgjigje reale, ndërkaq aktualisht përgjigjet reale të kësaj natyre qytetarëve ua jep vetëm shteti-komb.
Janë vetëm 37 % e qytetarëve evropianë, që asocion BE-ja me rritën e mirëqenies, ndërkaq 57 % mendojnë krejt të kundërtën. Ky është rezultati i një ankete të publikuar së fundmi nga Fondacioni Fridrih Ebert (Friedrich-Ebert-Stiftung). Prandaj, de fakto, referendumi britanik është një dëshmi shtesë se ka ardhur koha që politika duhet t’ i servirë qytetarëve evropian Planin B.
Prandaj kriza aktuale ashtu si edhe referendumi britanik faktikisht na rezulton si një mundësi e re për BE-në. Shih për këtë, referendumi në Britaninë e Madhe i ka gjasat të shndërrohet në një ngjarje politike që do të shënojë një prerje në historinë politike moderne të Evropës. Pas kësaj date elitat politike do ta kenë më të qartë se, bartja e debatit nga terreni ku përplasen idetë për “më pak apo më shumë Evropë”, tek debati “Çfarë Evrope do të donim?”, është i pashmangshëm.


