Eko Higjiena

Treni qeveritar për Vërmicë!

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Nga Ibrahim Rexhepi – Sipas gjendjes aktuale, Qeveria e Kosovës ka bazë ligjore që të hyjë borxhe edhe 1.5 miliardë euro, mirëpo nuk ia vlen që të krijohet kjo barrë ër të investuar në projekte që nuk mund ta gjallërojnë ekonominë.

Qeverinë e Kosovës po e mundon brenga se si të krijohet një lidhje hekurudhore me Shqipërinë. Ndonëse ende nuk është bërë as fizibiliteti, por riparimi dhe modernizimi i linjës së hekurt nga Serbia deri në Prizren sikur ka këtë synim. Ndërkaq, si do të vazhdoj më tutje kjo linjë, askush nuk e ka të qartë, meqenëse Qeveria e Shqipërisë as që e përmend ndërtimin e linjës hekurudhore deri në Morinë dhe lidhja me Kosovën. Prandaj, nëse kabineti i Isa Mustafës mbetet pranë kësaj ideje, atëherë kosovarë do të kenë mundësinë që deri në Vërmicë, së paku për një peshk, të udhëtojnë edhe me tren.

Një linjë e hekurudhës deri në kufi nuk ka asnjë arsyeshmëri ekonomike, e as që mund të ketë farë ndikimi zhvillimor dhe përmirësimin e gjendjes sociale. Ndërkaq, në deklaratat e fundit, duket se qeveria nuk e ka ndërmend të hjekë dorë nga linja hekurudhore që lidhë Prizrenin me kufirin e Serbisë, të investoj në disa projekte të infrastrukturës, peng i të cilave ka mbetur (rruga për Pejë dhe ajo për Mitrovicë), si edhe të përmbushë premtimin elektoral që Gjilanin ta lidhë me autostradë. Dhe krejt këto t’i financoj me borxhe.

Para së të bëjmë matematikën dhe logjikën e borxhit duhet thënë se këto janë idetë kapitale të qeverisë, pjesa më e madhe e të cilave nuk janë të ngutshme, madje as që është e logjikshme që për to tërë kosovarët- tatimpagues të paguajnë me vite të tëra.. Posaçërisht kur kemi parasysh faktin se financimi përmes kredive është i njëjtë sikurse ai përmes buxhetit të shtetit, meqenëse, kthimi i kredisë bëhet me paratë e atyre që paguajnë tatim. Për më keq, kredia si borxh publik krijohet me garancion qeveritar dhe ai duhet kthyer edhe në situatat nëse buxheti nuk ka para as për rroga e pensione.

Duke ditur se prodhimi i përgjithshëm vendorë në fund të vitit 2015 ishte gati 5.8 miliardë euro, ligjërisht, Qeverisë së Kosovës ligji ia lejon që në borxh mund të hyjë deri në 40 për qind të GDP-së, apo 2.3 miliardë euro, sipas gjendjes aktuale. Prandaj, deklaratat e fundit për mundësinë e hyrjes në kredi më shumë bazohen në mundësitë ligjore, se sa që janë të bazuara në gatishmërinë e qeverisë, apo të kreditorëve për të nënshkruar letrat. Madje, në këtë matematikë duhet pasur parasysh edhe një fakt- aktualisht borxhi publik ka arritur në afër 795 milionë euro dhe për të arritur deri në vijën që shënon rrezikun borxh mund të merren vetëm edhe 1.5 miliardë euro.

UBT

Nuk është shumë lehtë që të merren këto para, meqenëse edhe kredituesit bëjnë njëfarë llogarie se ku po i investojnë paratë dhe cila është mundësia për kthimin tyre. Nëse investimet nuk sjellin zhvillim ekonomik, atëherë kthimi është i vështirë, meqenëse as buxheti nuk do të ketë sasi të mjaftueshme të parave për të mbuluar të gjitha kërkesat. Kredituesit ndoshta jën në pozitë më të rehatshme, meqenëse një nen në Ligjin për Borxhin Publik thotë : ”Pretendimet lidhur me pagesën e kryegjësë dhe interesit të borxhit shtetëror, do të përbëjnë pretendimin e parë kundër llogarisë së përgjithshme të ministrisë, që do të thotë llogarisë në BQK në të cilën depozitohen të gjitha të hyrat e Republikës, dhe nuk do të jenë, tani apo më pas të varura nga asnjë tjetër pretendim.“. Me një fjalë, borxhi kthehet pa marrë parasyshë gjendjen në buxhet- duhet harruar pagat kur vjen afati për të shlyer borxhin.

Por, nuk janë të mbyllura të gjitha rrugët. Nëse është e domosdoshme që të rritet borxhi publik, Qeveria e Kosovës ka disa alternative që janë më të pranueshme se paraja e kredituesve nga jashtë. Janë paratë nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore dhe ato të kursimeve pensionale. Ndoënse as këto nuk janë para që qeveria mund t’i marrë kur të don dhe si ta ketë dëshirën, megjithatë janë alternativë më e pranueshme.

Së pari, duhet krijuar mekanizma për të përshpejtuar procesin e likuidimit të ish-ndërmarrjeve shoqërore, pas të cilin paratë vijnë në buxhet. Ndërkaq, sa i përket kursimeve pensionale, Trusti duhet të jetë blerës i madh i letrave me vlerë që emeton Qeveria e Kosovës dhen këtë mënyrë paratë i derdh në arkën e shtetit. Ose t’i mundësohet blerja e aksioneve në ndërmarrjet publike, si edhe investimet në projekte atraktive dhe me kthim të mirë të investimeve. Në secilën variant përfiton buxheti, i cili rritë mundësinë për të financuar synimet strategjike të qeverisë. Por, gjithmonë duke pasur parasysh se këto para të shkojnë në përmbushjen e synimeve që reflektojnë me zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ndonëse edhe huazimi i parasë nga Trusti rritë borxhin publik, megjithatë, arka e kursimtarëve nuk mund të rrezikohet, e as të varfërohet, meqenëse aktualisht aty janë afër 1.3 miliardë euro, ndërsa të hyrat vjetore nga kursimet arrijnë në rreth 130 milionë euro, ndërsa pagesat – 19.3 milionë euro.

Edhe kjo alternativë bartë rreziqet. Së pari, për shkak të “zemërgjërësisë” së qeverisë është duke u rritur numri i përfituesve nga skemat e ndryshme sociale. Tash numri i tyre gati se është i barabartë me numrin e të punësuarve. E dyta, nëse qeveria vazhdon me këtë mënyrë të shpenzimit të parasë publike, atëherë shuma më e madhe e të hyrave në buxhet do të shkojnë për paga,pensione e ndarje sociale dhe kjo do të vështirësonte mundëisnë kthimit të borxhit. Ndërkaq, ajo duhet ta ketë parasysh se paratë e Trustit kanë pronësi private-individuale dhe qeveria nuk mund t’i tjetërsoj, ndërsa rrezikimi i tyre është i barabartë me rrezikimin e mirëqenies së kursimtarëve. E treta, qeveria duhet të jetë më e qartë- a i duhen para për investime pa kthim, apo para për krijimin fundeve të premtuara ? Që të dyja, në vëllimin e premtuar, vështirë se mund t’i siguroj.

Prandaj, më e mira do të ishte që ajo të heq dorë nga projektet, si është ai i trenit për Vërmicë dhe të orientohet kah financimi i reformave dhe rritjes së efikasitetit të institucioneve. Nëse duhet të investoj në infrastrukturë, të vjel fonde për hekurudhën për Mitrovicë e drejt Leshakut, meqenëse, në perspektivë, në Mitrovicë mund të mbushen vagonët me mall për tregun ndërkombëtar, e jo në Podujevë.