Në komunën e Vitisë Kompania gjermane “Wegener” hap mbi 500 vende pune
Viti – Në prani të kryetarit të Komunës Sokol Haliti, sot përfaqësuesit e Kompanisë Wegener industrie Consulting GMBH dhe ata të kompanisë Natyra, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për hapjen e fabrikës së përpunimit të tekstilit.
Kryetari Haliti me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ka thënë se hapja e kësaj fabrike paraqet një bum të madh për punësimin e punëtorëve në komunën e Vitisë. “Hapja e kësaj fabrike, tregon për përkushtimin e madh të Institucioneve komunale për tërheqjen e investimeve nga jashtë, si dhe investimet nga diaspora që po rezultojnë me gjenerimin e vendeve të reja të punës”, ka thënë Haliti.
Ai ka shtuar më tej se hapja e fabrikës së tekstilit në komunën e Vitisë vije mu në sferën ku kjo komunë ka një traditë pasi edhe më parë Industria e tekstilit ka qenë mjaftë e përhapur në komunën e Vitisë.
Haliti ka falënderuar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe atë për Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbështetjen që i kanë dhënë realizimit të këtij projekti, që mundëson inkuadrimin në punë të 500 – 1000 punëtorëve.
Ndërsa drejtori menaxhues i kompanisë “Vegener industrie Consulting GMBH” Horst Wegener, ka theksuar se ndihet shumë i kënaqur për investimin që kjo kompani është duke e bërë në komunën e Vitisë, pasi sipas tij, drejtuesit e Institucioneve komunale, si dhe ata të kompanisë kanë qenë shumë bashkëpunues në realizimin e këtij projekti i cili parasheh prodhimin e veshjeve të ndryshme nga tekstili, përfshirë këtu edhe për market më të njohura siç është “Adidas”.
“Komuna e Vitisë është numri një për kushtet që na ka ofruar në investime”, ka thënë Wegener. Kurse Rrahim Behrami , menaxher i përgjithshëm i kompanisë, ka theksuar se kjo kompani e cila në fazën fillestare ka planifikuar inkuadrimin e mbi 500 punëtorëve, në të ardhmen parasheh të zgjeroj kapacitetet e veta edhe për punësimin deri në mbi 1 mijë punëtorë.
Kjo marrëveshje e bashkëpunimit e dy kompanive gjermano kosovare, ka ardhur si rezultat i të arriturave të komunës së Vitisë, në krijimin e një ambienti për zhvillim të biznesit, për çka sipas kompanisë Ubo Consulting dhe USAID-it, Vitia zë vendin e parë./rajonipress/


