Arroganca e pushtetit, shenjë e krizës në qeverisje dhe afirmim i humbjes së drejtpeshimit
Gjilan – Kjo qeverisje vazhdon edhe këtë fund të mandati qeverisës pa plan dhe pa dije dhe jo me njerëz adekuatë për të qeverisur dhe pikërisht për këtë, ky pushtet reflekton me arrogancë dhe shenja të krizës në qeverisje si dhe afirmim të humbjes së sigurtë në zgjedhjet e ardhshme, ka thënë në konferencën për shtyp shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së Sahit Abazi.
Në praktikën qeverisëse është dëshmuar se cilido pushtet që në qeverisje ka shfaqur arrogance ka qenë i destinuar për humbje të zgjedhjeve, prandaj edhe ky pushtet e ka fundin e tij.
Abazi ka shtuar se në seancën e fundit të KK-së ne ishim të detyruar të lëshojmë punimet e seancës për arsyen se u manifestua arrogancë dhe fyerje ndaj këshilltarëve komunal.
“Pushteti komunal në Gjilan na lë të kuptojmë se nuk ka idenë se si duhet t’i qaset shumë problematikave në komunë, prandaj edhe nuk ka asnjë shifër se sa është shtuar numri i të papunëve në Gjilan. Kontingjenti i të papunëve në Komunë shtohet dita ditës dha ka arritur në 19.300 të papunë dhe fatkeqësia e kësaj është se 3.000 të papunë janë me shkollim superior. Dhe ky fakt tregon se ky pushtet nuk do që të shkolluarve tu hapë perspektivë, por që ky pushtet u krijon perspektivë klanit të tij dhe familjarëve e asnjëherë njerëzve të devotshëm të komunës.”
Sahit Abazi ka thënë se në Komunën e Gjilanit nuk ka gjeneruar asnjë vend pune dhe është mëse e kuptueshme që kjo nuk mund të ndodhë me një udhëheqje të padijshme dhe të papërgjegjshme.
“Jemi dëshmitarë se edhe ato punë që bëhen vetëm një muaj brenda vitit janë pa cilësi, sidomos punimet nëpër rrugë e që qytetarët gropat e komunës po i mbjellin me lule. Shohim se qentë endacakë janë shumë pranë kryetarit të komunës. Brengë e jona nuk është kjo, por që ata qenë endacakë janë edhe pranë lagjeve e shkollave të cilët shkaktojnë ankth sidomos te nxënësit. Konsiderojmë që kjo qeverisje ka qenë qeverisje e mashtrimeve dhe dështimeve, prandaj bëjmë thirrje që ky pushtet të arsyetoj ato paga që merr dhe të punojnë me përgjegjësi dhe në dobi ty komunës. Qytetarët ndonëse kanë arsye të dëshpërimit, ne u bëjmë thirrje që besojnë në PDK-në, sepse PDK është duke u përgatitur për qeverisje të mirë për qytetarët”./rajonipress/


