Mobi Casa

Mali i Zi

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ismail Syla – Nderimi i lartë institucional për fqinjin që njohu pavarësinë e Kosovës. Në ditën e inaugurimit të Presidentit të Kosovës më 8 prill 2016 nga Mali i Zi kishte marrë pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq. Më 21 maj 2016 në shënimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mori pjesë në takimin me presidentin Filip Vujanoviq në rezidencën shtetërore Miloçer në Budvë, ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani si dhe personalitete tjera.

Ambienti pranveror përreth rezidencës Miloçer e kishte bërë të veten. Moti me re bënte që klima të ishte edhe me e durueshme në një vizitë zyrtare. Kjo hapësirë ende mbante emrin simbolik si plazhi i mbretëreshës, ku pastërtia, drurët halorë dhe bukuria e detit flisnin vetë. Ishte një perlë e Adriatikut afër “ishullit” të Shën Stefanit.

Kosova e pavarur përfaqësohej në nivelin më të lartë shtetëror në ditën e pavarësisë së fqinjit të saj perëndimor, që disa dekada më parë as që mund të imagjinohej diçka e tillë. Muaji maj është një muaj i bekuar që solli të arritura të mëdha për Kosovën: dhënia e rekomandimit për liberalizimin e vizave, pranimi në UEFA dhe FIFA. Ndërkaq, në dhjetëvjetorin e pavarësisë, Mali i Zi po anëtarësohet në NATO.

Janë këto ndryshime evidente në rajon që nuk ke si të mos i ndiesh si zhvillim pozitiv. E, përkundër ecjes së ngadalshme të Ballkanit drejt integrimeve euroatlantike, për shkaka të ardhjes së presidentit Thaçi në Mal të Zi, presidenti i Serbisë nuk mori pjesë në këtë jubile malazias.

Kjo vizitë e tretë zyrtare në Mal të Zi, ku sërish masat e sigurisë ishin në nivel të lartë, nuk ka si të mos të kujtojë dy vizita paraprake të liderit kosovar, tash presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, dhe që përmes tij të vihen në spikamë relacionet e reja me shtetin, që disa dekada më parë, ishte një nga republikat e ish Jugosllavisë

Muzika nacionaliste serbe dhe xhamat e vilës “Gorica”

Vizita e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës Hashim Thaçi në Podgoricë (15 dhe 16 janar 2015) ishte me rëndësi të veçantë, jo vetëm në kuptimin bilateral shtetëror. Ajo tregoi se Mali i Zi di të pres kreun politik dhe liderin numër një të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin me respektin më të lartë, nga njëra anë, dhe po ashtu, , nga ana tjetër, t’i ofrojë mbrojtje dhe siguri të lartë, të shkallës së vizitës të ish presidentit amerikan Bill Klinton.

Mbi 1500 policë ishin angazhuar atëbotë për sigurinë e rrugëve dhe rrugicave, madje edhe ushtria ishte në gjendje gatishmërie për të mos lejuar pasiguri gjatë qëndrimit dy ditor. Tërë rruga prej pikës kufitare të Bozhajt ishte shndërruar në “njëkahëshe”, sepse veturat nuk qarkullonin përballë, deri në destinacion, te vila shtetërore “Gorica”. Pas një udhëtim prej 40 minutash edhe rrugët e kryeqytetit ishin të bllokuara, e aty këtu, ndonjë qytetar i nervozuar nga bllokada, i ngrinte tre gishta.

Vila “Gorica”, si godinë shtetërore, përdoret për pritje të burrështetasve, përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë dhe ka të gjitha shenjat shtetërore. Në këndin e flamujve ishte vendosur flamuri shtetëror i Kosovës, krahas atij të Malit të Zi. Aty kishte hapësirë të mjaftueshme për takime zyrtare, hapësira për konferencë shtypi, bujtje dhe kuzhinë. Për arsye sigurie dhe ndjeshmërie në këtë vilë do të zhvilloheshin takimet të nesërmen.

Pas darke, në restorantin e vilës erdhi për t’u përshëndetur me ministrin Thaçi një komandanti i lartë i policisë. Tek ai person vërehej qartë respekti dhe qëndrimi dashamirës. Në edicionin e lajmeve qendrore të televizionit shtetëror, po ky person deklaron për masat e larta të sigurisë ishin marrë, ku theksoi qartë se, të nesërmen, protesta lejohet, por kurrsesi incidentet.

Të nesërmen, më 16 janar 2015, në ambientet e vilës “Gorica” zhvillohen takimet. Zëvendëskryeministri Thaçi ministrit Llukshiq i shpreh përkrahjen për anëtarësim sa më të shpejtë të Malit të Zi në NATO. Ky anëtarësim do të jetë e arritur jo vetëm për rajonin, por edhe një formë e ngushtimit të ndikimit rus në Ballkan. Kur Thaçi thotë se në vizitën e ardhshme në Uashington do të flas për rolin pozitiv në nivel rajoni të anëtarësimit të Malit të Zi, Llukshiq mbithekson:

Fjala juaj në Uashington për Malin e Zi, ka peshë. Dhe jo vetëm Llukshq, por edhe liderët tjerë malazias, sapo u thuhej kjo fjalë, zgjoheshin, u kërcente pak trupi, ngjalleshin dhe në veshin e tyre ishte diçka që tingëllonte bukur dhe ua përvijonte një gëzim në fytyrë.

Llukshiq fliste për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, dhe për dallim nga ajo hekurudhore dhe detare, thoshte se autostradat perceptohen nga populli si infrastrukturë kryesore. Për nivelin e borxhit publik, thotë se Mali i Zi ia ka zili Kosovës. Ai shpreh idenë se Tuzi duhet të ketë qeverisjen e plotë lokale, që të zhvillojë infrastrukturën lokale, arsimin etj.

Në fund të takimit, u organizua konferencë shtypi. Një gazetar, sigurisht serb, bëri provokim të veçantë për ardhjen e Thaçit në Podgoricë. Duke mos iu përgjigjur në pikat që ai i mediatizonte, Thaçi i thotë se nuk ka nevojë të bëhet referendum për vizitën që i bëjnë njëri – tjetrit të zgjedhurit e popujve dhe përfaqësuesit e shteteve. Prandaj, ai (gazetari) nuk kishte nevojë të bëhej më katolik se papa, as më nacionalistë se përfaqësuesit e shtetit malazez, që po e prisnin momentalisht Thaçin.

Uji Dea

Takim me Kryeministrin Milo Gjukanoviç, zhvillohet në mesditë. Dialogun me Beogradin dhe arritjen e marrëveshjes së 19 prillit 2013 e vlerëson si trimëri dhe mençuri njëkohësisht. Kosovën e quan shtet mik lojal të Malit të Zi. Thekson faktin që vitet e pavarësisë shteti i tyre i ka shfrytëzuar mirë, duke bërë rritjen 300 për qind të GDP-së. “Jemi para derës së NATO-s”, thotë Gjukanoviq. Duke folur për gjendjen aktuale të zhvillimit ekonomik në Mal të Zi, sfidat drejt BE-së nga qyteti vjen zëri i këngëve nacionaliste të protestuesve serbë, të cilët kishin filluar manifestimin tyre.

Ishin këngë të incizuara dhe zëri i rritur nga altoparlantët bënte që të dëgjoheshin paksa edhe brenda. Këto këngë kishin një efekt të parëndësishëm. Thuhej se përkundër thirrjeve për protestë, kishin dalë shumë pak njerëz. Tingujt e këngëve nacionaliste ishin stërpikë që nuk arrin brenda. Kjo vizitë e plotë zyrtare, pritje në të gjitha nivelet ishte një goditje e forcave pro Beogradit.

Gjukanoviq është një politikan që shpreh mendimet me një ritëm dhe takt të shtruar, qartë, bindshëm dhe sigurt. Ai një natë më parë kishte përcjellë intervistën e Thaçit në TV shtetëror, dhe e falënderoi për mesazhet që kish dhënë.

Mobilizimi i bazuar në paragjykime (Krivokapiq)

Pas takimit me kryeministrin, po në ato ambiente u zhvillua ai me kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq. Ai i përkiste bllokut antiluftë në vitet e Milosheviqit, dhe tregon me korrektësi momentet jetësore ku kishte dalë kundër politikës nacionaliste dhe luftënxitëse. Miqësia midis popujve duhet të bazohet mbi mirëkuptim dhe jo poltronizëm, thekson ai. (Kujton vërejtjen bërë presidentit serb Tadiç se Serbia është kundër të gjithëve, dhe injorimin që ia bënte ky i fundit sa qëndroi në pushtet, brenda pesë viteve.) Krivokapiq flet për islamizmin e moderuar, qytetar, duke treguar se elita evropiane ka rezerva ndaj islamizmit. Ndërkaq një rrezik më vete është edhe “kthesa në të djathtë “ nga Rusia, si një rrezik për rajonin.

Krivokapiq flet edhe “mobilizimin e bazuar në paragjykime” që e di saktë si funksionon në Mali të Zi. Gjatë këmbimit të ideve, Krivokapiq shprehet me konsideratë të lartë për Thaçin, si lider me ndikim me ide dhe projekte në korpusin e shteteve të Ballkanit, përfshirë Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Kosovën.

Edhe takimi me presidentin, ishte i ngrohtë dhe miqësor. Për dallim nga dy të parët Vujanoviq ka një dëshirë për të folur gjatë dhe për të shtënë tema brenda temës. Por ai ka fjalor të zgjedhur kur flet kryetarin e Ulqinit Fatmir Gjeka (prefekt i mirë, njeri i mirë), ndërkaq për vetveten shprehet me krenari që u përket njerëzve që e pëlqejnë afrimin midis shqiptarëve dhe malazezve. Në kohën e eksodit të shqiptarëve, 1999 kishte qenë kryeministër i Malit të Zi.

Dy liderë shqiptarë në Ulqin dhe kryetari i Malit të Zi

Më 4 prill 2015, dy liderë politikë shqiptarë u shpallën qytetarë nderi të Ulqinit, Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Në ceremoninë e zhvilluar në shtëpinë e kulturës ishte i pranishëm edhe kryetari malazias Vujanoviq. Prania e tij këtë celebrim e bënte të një niveli të lartë, më klas. Sekretari i komunës lexoi motivacionin për Thaçin “në shenjë vlerësimi dhe nderimi për rolin historik në promovimin e paqes dhe dialogut midis popujve të Ballkanit, marrëdhënieve të ngushta fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, integrimet euro-atlantike dhe rolit shumë të rëndësishëm në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Ballkan dhe posaçërisht në Mal të Zi.”

Gjatë leximit të fjalës së rastit të H. Thaçit, presidenti Vujanoviq lëkundte kokën në shenjë miratimi sa herë dëgjonte mesazhet për fqinjësinë e mirë, idetë humane dhe vlerave qytetëruese. Binte në sy “ngjeshja” e buzëve me gishta të dorës që bënte spontanisht Vujanoviq si shenjë e adaptimit sigurisht me dhëmbët e rinj, artificialë. Pjesëmarrja e tij e vuloste edhe më shumë peshën e nderimit të dy liderëve shqiptarë.

Ky celebrim bënte të kujtoje edhe hallet e ulqinakëve, të cilët disa muaj më parë, mbrëmjen e 16 janarit 2015 i shprehnin hapur përfaqësuesit e partive politike në zyrën e kryetarit Fatmir Gjeka. Ata ankoheshin atëbotë për mungesën e përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në polici, dogana dhe institucione. E thoshin me shaka dhe për analogji se më shumë ulqinakë kishte në policinë e Njujork-ut se në Ulqin. Kërkonin që të kenë vende të rezervuara në akademinë policore. Të kenë vende për studentë në Tiranë dhe Prishtinë, megjithëse edhe ata që kanë diplomuar ishin të papunë. Po ashtu kanë vërejtje për “Abetaren”, e cila është e përkthyer, dhe insistojnë që të ndikohet që nga shtatori 2015 të kenë “Abetaren” unike, që përdoret në Shqipëri dhe në Kosovë.

Në vend të përfundimit

Më 21 maj 2016 në Budvë u takuan miqësisht dy kryetarë shtetesh shqiptare (Thaçi, Nishani) me kryetarin malazias (Vujanoviq). Kur liderët e kombeve arrijnë mirëkuptim, qytetarët e kanë të lehtë komunikimin, njohjen e njëri-tjetrit, pajtimin dhe harmoninë mes tyre. Tri qëndrime në Mal të Zi brenda dy vjetësh dhanë dimensionet e mësipërme, krijimin e urave të miqësisë, tejkalimin e urrejtjes shekullore dhe ardhjen e klimës gjithnjë e më pozitive. Filozofia e afrimit mund atë të ndarjes. ++