UBT

Rritja e investimeve të huaja kërkon siguri politike dhe shtet ligjor

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Investitorët e huaj për të investuar kërkojnë siguri politike dhe shtet ligjor u konstatua sot në prezantimin “After Care” të përgatitur nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe KIESA dhe përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.

Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu me këtë rast theksoi se duke iu falënderuar përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Oda dhe KIESA kanë organizuar një hulumtim në të cilin janë përfshirë 250 kompani të cilat kanë investuar në Kosovë dhe se rezultatet e hulumtimit paraqesin gjendjen reale dhe nevojën e krijimit të kushteve sa më të mira te të bërit biznes.

Ai me këtë rast theksoi se përkundër disa të arriturave të rëndësishme, në mes tyre edhe fillimit të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe anëtarësimit në institucionet vendore dhe ndërkombëtare nuk ka vend për eufori dhe se duhet edhe praktikisht të realizohet orientimi se prioritet i prioriteteve për Kosovën është zhvillimi ekonomik.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami tha se ne një vit e gjysmë Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur rezultate të rëndësishme në krijimin e klimës sa më të mirë te të bërit biznes dhe se rezultatet e ndryshimeve të rëndësishme ligjore do ti gëzojnë si investitorët aktual ashtu edhe ata që në të ardhmen do të investojnë në Kosovë.

Bajrami tha se të gjeturat e hulumtimit janë shumë interesante dhe në të konfirmohet përmirësimi i kushteve për të bërë biznes.

Si diçka të rëndësisë së veçantë ajo theksoi ngjalljen e dialogut publiko privat, organizimin e konferencave tematike lidhur me kërkesat dhe obligime të dalin nga implementimi i MSA-së dhe se Kosova është me hapa të sigurt duke shkuar në drejtim të përmirësimit të ambientit te të bërit biznes.

Duke shprehur përkrahjen e vendit të vet për Kosovën dhe proceseve ne vendin tone, ambasadori Ruairi O Conell tha se Kosova duhet të ketë përgjigje të saktë se çka janë duke bërë institucionet e vendit dhe Kosova në tërësi për investitorët e huaj.

Ai u angazhua për krijimin e kushteve edhe më të mira për zgjerimin e investimeve aktuale dhe krijimin e kushteve sa më të volitshme për thithjen e investimeve të reja direkte. Kjo sipas tij do të ndikoj në ardhjen e investitorëve të ri.

Ambasadori O Conell u angazhua për forcimin e shtetit ligjor, luftën e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si parakushte për investime të reja.

Duke prezantuar të gjeturat e hulumtimit këshilltari strategjik i OEK-ut, Berat Rukiqi theksoi se stabiliteti makroekonomik i Kosovës, përkundër cikleve jo të favorshme të biznesit në ekonomin botërore si dhe krizat e vazhdueshme në eurozonë ka rezultuar me rritje të qëndrueshme ekonomike , gjë e cila është konfirmuar edhe në raportet e institucioneve financiare si Banka Botërore.

Ai theksoi se duhet pas parasysh që ekonomia jo formale llogaritet të jetë 35 % të BPV, ndërsa papunësia rreth 31 %.

Hidromorava

Rukiqi theksoi se implementimi i MSA-së besohet se do të siguroj bazën për një agjendën gjithëpërfshirëse të reformave ekonomike dhe zhvillimore në Kosovë.

Duke prezantuar të gjeturat lidhur me faktorët kryesor për te marr vendimin për të investuar në Kosovë 61 kompani përmendin kornizën ligjore, 60 disponueshmëria i faktorit të kualifikuar njerëzor, 27 koston e ultë të punës, 25 stabiliteti ekonomik.

Ndërsa për kushtet që mund të ndikojnë në largimin e investitorëve të huaj 107 kompani konsiderojnë mungesën e marrëveshjes për eliminimin e tatimeve të dyfishta, 109 kompani problem është stabiliteti politik etj.

Hulumtimi tregon se vitet 2008, 2012 dhe 2015 janë vitet kur janë investuar më së shumti në Kosovë dhe kur ka pas numër më të madhe të kompanive të reja të themeluara.

Në pyetjen se a ka performuar investimi i juaj në Kosovë në tri vitet e fundit sipas pritjeve, 129 kompani janë përgjigjur me po, 33 vlerësojnë se kanë punuar mirë dhe 15 kompani më mirë se që kanë pritur.

75 kompani deklarojnë se kanë performuar dobët dhe 7 kompani më dobët se që kanë pritur.

Kontaktet personale me investitorët dhe kompanitë në Kosovë ishin determinuese për të vendosur për të investuar në vendin tonë.

Do të inkurajojnë të tjerët që të investojnë në Kosovë kanë deklaruar 152 kompani, krahasuar me 98 të cilat nuk do ta kishin bërë një gjë të tillë.

Pengesat kryesore për të investuar sipas hulumtimit janë jo stabiliteti politik dhe ekonomik, kostoja e financimit nga bankat, konkurrenca jo lojale, energjia elektrike, korrupsioni, sistemi ligjor, nepotizmi, krimi dhe taksat doganore.

Hulumtim “ After Care” ka pasur për qëllim kryesor mbledhjen e informatave mbi eksperiencën e investitorëve të huaj në Kosovë, përkratësisht faktorëve pozitiv dhe negativ në lidhje me elementet e mjedisit biznesor që kanë pasur ndikim në vendimet e investitorëve aktual dhe që mund të kenë ndikim për investimet në të ardhmen.