Kush jemi ne që t’i përzihemi Shpend Ahmetit?
Nga Berat Buzhala – Vetëvrasjet politike nuk janë vepra penale. Ato nuk janë të dënueshme. Shpend Ahmeti është i lumtur, ndërsa unë për të ndiej vetëm nënçmim dhe përbuzje. Shpendi, Kryetari i Prishtinës, është djalë i rritur. Për më tepër, i edukuar në shkolla elitare botërore, siç është, bie fjala, ajo në Harvard. Ne qytetarët e thjeshtë të Kosovës, ka kohë që po përpiqemi t’ia përcaktojmë atij të ardhmen, duke provuar ta orientojmë drejt një projekti tjetër politik. Drejt një fryme të re, që do të ishte krejt ndryshe prej partive të zakonshme politike. Por, tek e fundit, kush jemi ne që ta bindim Shpendin?
Vetëvrasja, e sidomos ajo politike, nuk është kurrfarë vepre kriminale. Secili ka të drejtë ta kryejë atë, në formën që ai ose ajo e përzgjedh. Madje, edhe mazohizmi nuk është i ndaluar. Njerëzit në forma të ndryshme ndihen mirë. Dikush ndien kënaqësi – shih çudinë! – edhe kur të tjerët e ofendojnë, i shkaktojnë dhimbje, e përbuzin etj.
Ndoshta edhe Shpendi ynë, ka afinitete të tilla. E pashë një fotografi të tij në FB, ku dukej shumë i lumtur në shoqërinë e kreut politik dhe ushtarak të Vetëvendosjes. Dukej i lumtur dhe i hareshëm. Nuk është që nuk u thellova pak më shumë duke e parë atë pamje. E shihja një pamje bizare. Dukej që tre zyrtarët më të lartë të LVV, Albin Kurti, Visar Ymeri dhe Dardan Molliqaj, e kishin nderuar Shpendin me prezencën e tyre. Kishin dalë t’i japin atij siguri, që statusi i para do ditëve i deputetes Albulena Haxhiu, kundër tij, kishte qenë vetëm një shprehje e lirë e mendimit të saj, ndaj të cilit Shpendi nuk ka pse të frikësohet. Ose, nuk ka pse të frikësohet shumë. Në fakt ai duhet të frikësohet, nëse e përsërit edhe në të ardhmen ndonjë foto të dyshimtë.
E kam thënë edhe një natë në një debat në Zona B, në Klan Kosova, se Shpendi, duke vazhduar të qëndrojë i frikësuar, si një zog i vogël, në LVV, nuk do ta dëmtojë frymën e re politike, me shumë sesa do të dëmtojë veten. Diskreditimi i tij, prej vetë LVV, do të marrë përmasa komike. Secili komisar në komunë, e të tillë që punojnë me kontrata mbi vepër do të ketë shumë, do të ketë ndikim më shumë se sa Shpendi në parti, në struktura të partisë.
Me një fjalë, më shumë sesa dëshpërim nga Shpendi, ndjeva neveri për të. Ndjeva nënçmim dhe përbuzje. Në faza të ndryshme zhvillimore, të gjithë ne kemi gabuar, duke u bërë pjesë e lëvizjeve të ndryshme politike – e edhe autori i këtij shkrimi. Por, Shpendi duket të jetë i kënaqur me përkohshmërinë e tij. Ndoshta ai është prej stofi të tillë, për të konsideruar sukses të vetin 50 autobusë urbanë. Dhe ndonjë metër trotuar, dikah nëpër qendër.
Pse duhet ne të llogaritim më shumë në të, se sa ai në vete? Pse duhet ta çmojmë ne më shumë Shpendin, se sa Shpendi veten?
Përndryshe, kur e pashë foton e Shpendit në shoqëri të kreut të LVV, nuk pata nevojë që ta përcillja fare debatin e tij të mbrëmshëm në Klan Kosova. Mjaft fliste ajo foto. Aty e shihja Shpendin që po shkrihej nga lezeti, pse Dardan Molliqaj e kishte begenisur ta hante një darkë me të.
Shpend, a je i sigurt që Albulena ta ka falur gabimin e madh që e ke bërë, duke dalë në foto me një tradhtar, si Hashim Thaçi? Të jesh i bindur Shpend, se një ditë do të rikthehen prapë tek ajo foto. Do të përgjigjesh për të. Atëherë do të jetë vonë.
Por, tek e fundit: kush jemi ne që t’i përzihemi Shpendit?


