Beqaj: Serbët po deklarohen për diçka që nuk ekziston në Kosovë
Ministrat serb edhe pse janë pjesë e Qeverisë së Kosovës, shpeshherë dalin me deklarata kundër, kështu duke mos pranuar vendimet që merren për Kosovën si shtet.
Rasti i fundit ishte i ministrit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, i cili e kundërshtoi pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA duke iu referuar Kosovës si “Metohi”.
Ky kundërshtim i tij, ka ngjallë reagime të shumta tek populli kosovar, por jo edhe te Qeveria e Kosovës të cilës ai i takon.
Njohësi i çështjeve politike, Belul Beqaj, ka thënë se ky është një mashtrim i dyfishtë pasi që serbët po deklarohen për diçka që nuk ekziston në Kosovë.
“Është mashtrim i dyfishtë. Serbët po deklarohen për diçka që nuk ekziston në Kosovë gjoja se Kosova është Serbi. Ndërsa qytetarët e Kosovës deklarojnë gjoja se serbët janë të integruar në shtetin e Kosovës”, ka thënë Beqaj për Indeksonline.
Sipas tij, ky është realiteti kundërthënës që po e promovon qeveria e tanishme. Kujtojmë se edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, shpesh shihet së bashku me delegacione të ndryshme nga Qeveria e Serbisë, pa bërë të ditur se për çfarë mbahen takimet. /Indeksonline/


