Uji Dea

Fondet të hetohen, përgjegjësit të ndëshkohen

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Drejtësia duhet t’i shkojë deri në fund zbardhjes së “3-Përqindëshit” dhe “Vendlindja thërret”.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, konsideron se është shumë e domosdoshme që të hetohen dy fondet, “3-Përqindëshi” dhe “Vendlindja thërret” nga të cilat, siç thotë ai, burojnë të gjitha krimet e tërë luftës dhe të pasluftës në Kosovë, pasi, sipas tij, pa hetimin e këtyre dy fondeve nuk mund të flitet për ndonjë hetim tjetër të krimeve të luftës dhe të pasluftës, pasi Spahiu nënvizon se thelbi i këtyre krimeve është pikërisht veprimtaria nga papërgjegjësia ndaj këtyre fondeve.

Pista e hetimeve për fondin e ‘3- Përqindëshit’, veç përfoljeve që janë bërë nga paslufta e deri më sot në Kosovë, tashmë është zgjeruar edhe në shtetin shqiptar, pasi Prokuroria e atjeshme ka nisur hetimet ndaj tre personave për keqpërdorimet e mundshme të këtij fondi.

Fundamenti

Kështu, të paktën, ka njoftuar shtypi shqiptar që, sipas tyre, veprimet hetimore në këtë rast janë adresuar te Prokuroria e Tiranës, pas kërkesës zyrtare që kësaj të fundit i ka bërë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për hetim të këtij fondi edhe në shtetin shqiptar. Në një përgjigje të mëhershme dhënë për gazetën “Kosova Sot”, Prokuroria e Shtetit të Kosovës pati dhënë përgjigje pozitive vetëm për fondin e Qeverisë “Bukoshi”. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve lidhur me rastin që keni pyetur, fondin ‘3%’. Këtë e ka bërë për shkak të disa veprimeve të dyshuara nga tre persona, të cilët kanë tërhequr disa shuma të parave, brenda 6-7 vjetëve të fundit dhe tani ende janë duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast. Pas grumbullimit të të gjitha provave, gjegjësisht pas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes vlerëson se a ka prova të mjaftueshme, të cilat paraqesin dyshim të bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer vepër penale apo jo dhe pastaj do të vendosë për ngritje ose jo të aktakuzës”, kishte thënë për “Kosova Sot” zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Liridona Kozmaqi, derisa për sa i përket fondit tjetër nuk ka asnjë lëvizje hetimore.

Zbardhja e së vërtetës Njohësit e kësaj fushe, ani pse e mirëpresin zgjerimin e hetimeve të këtyre rasteve që akoma mbetën enigmatike, janë skeptikë se e vërteta do të ndriçohet deri në fund. Analisti Shefqet Dibrani është skeptik dhe nuk beson në atë se Prokuroria Speciale do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së fondit të “3- Përqindëshit”, por as pjesës së Bujar Bukoshit që lidhet me kohën në Shqipëri. Kjo pasi, sipas tij, këto mjete janë tepër pak karshi milionave që janë keqpërdorur në kohë më të hershme, dhe që është lënë pa u hetuar pjesa më kriminale e keqmenaxhimit të atij fondi. Në këtë drejtim, Dibrani shtron edhe dilemën e tij, duke shtruar pyetjen se si mundet që Prokuroria Speciale ta bëjë këtë hetim kur, siç thotë ai, ministër i Financave në kohën kur ishin menaxhuar aq keq miliona e miliona, sot ai person është kryeministër i vendit, derisa në anën tjetër, Dibrani pyet po ashtu se si ka mundësi që të hulumtohet fondi tjetër, ‘Vendlindja thërret’, kur ishshefi i SHIK-ut është në krye të Parlamentit, dhe po ashtu gjasat janë të vogla, ngase, sipas Dibranit, në këtë aspekt njeriu i dyshuar si i involvuar në shumë afera kriminale për të cilat kanë shkruar edhe mediet botërore sot është president i Kosovës. “Skepticizmi shtohet kur e sheh sa e ngathët është opozita, ndërsa nëpër parti janë pushkatuar që moti mendimet ndryshe. Sqarimi dhe hetimi i shumë krimeve nuk mund të bëhet nga ata që i kanë bërë krimet, por bëhet vetëm kur oligarkët politikë prangosen brenda një nate, duke ua konfiskuar pasurinë atyre dhe të gjithë familjarëve të tyre që kanë qenë të involvuar në ato afera. Ndërsa, në Kosovë po ndodh e kundërta, të paktën deri më tash, pasi oligarkët politikë të involvuar në krim e kriminalitet janë shpërblyer nga populli i vet, andaj një pjesë e këtyre thashethemeve më duket se janë vetëm pjesë e marketingut politik, madje vetëm për konsum të brendshëm, por jo si një qasje e mirë- filltë e drejtësisë”, është shprehur analisti Shefqet Dibrani për gazetën “Kosova Sot.