Raka: Trendi i rritjes së numrit të rasteve në javën e fundit është shqetësues
Mikrobiologu Lul Raka, është shpreur i shqetësuar me numrin e personave të infektuar me COVID-19 gjatë javës që po e lëmë pas.
Raka, përmes një shkrimi në Facebook, ka ripërsëritur mesazhin e tij se virusi mund të prekë të gjithë dhe ka lutur qytetarët të respektojnë masat, pasi thotë se ditëve të fundit është ngarkuar sistemi shëndetësor në Kosovë nga numri në rritje i të infektuarve, transmeton Zeri.info
Shkrimi i plotë i Rakës:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
COVID-19 NUK është rrenë! Mund të prek TY ose më të dashurit Tuaj!
Trendi i rritjes së numrit të rasteve në javën e fundit është shqetësues. Shtylla kryesore e përgjigjes ndaj pandemisë është kapaciteti shëndetësor i Kosovës, i cili po ngarkohet disa ditës!
Kësaj rritje i kemi kontribuar të gjithë: qytetarët, të cilët nuk i përfillin fare masat parandaluese. Por, edhe politikanë, të cilët vazhdojnë ta përdorin COVID-19 si monetë për kusuritje të ndërsjelltë.
Qytetarë të dashur, Ju lutem t’i zbatoni këshillat sot, sepse nesër mund të jetë vonë:
1. Mbani distancën fizike kudo dhe gjatë tërë kohës. Kjo është komponenta kryesore në parandalim!
2. Në vendet ku nuk mund të mbahet distancë, vendosni maska!
3. Mbani higjienën e duarve!
Politikanë të nderuar: Ju lutemi kthjelluni, bashkohuni dhe tregoni lidership në këto kohë të vështira.
Parandalimi i sëmundjes është arma e vetme në duart tona!
Vetëm së bashku e përballojmë këtë sfidë!


