Uji Dea

Kadriu: Gjilanasit kanë nevojë për zhvillim ekonomik

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Organizuar nga UNDP, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komunën e Gjilanit, si pilot projekt për parandalim të individëve që të marrin pjesë në lufta të huaja dhe përfshirjes në grupe radikale, për dy ditë me radhë është mbajtur konferencë shkencore për praktikat e trajtimit të personave të mundshëm që japin shenjat e radikalizmit dhe risocializimin e tyre në shoqëri.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues të Komunës së Gjilanit, MPB-së, bashkësive fetare, Policia e Kosovës, përfaqësues të EULEX-it dhe ekspertë të kësaj fushe nga Britania e Madhe.

Me këtë rast nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, ka thënë se është duke ndodhur një përmirësim shumë pozitiv, sepse për më shumë se gjashtë muaj nuk kemi qytetarë të Gjilanit që i është bashkuar grupeve radikale në luftën e shteteve të Lindjes.

“Kosova dhe Gjilani me kohë janë distancuar nga pjesëmarrja dhe përfshirja në këto luftëra. Vrasja e njeriut është e ndaluar përmes ligjit por edhe përmes religjionit. Angazhimi i Komunës do të jetë i vazhdueshëm në parandalim dhe këtë do të angazhohemi ta arrijmë përmes shumë debateve me target grupe të ndryshme, me fokus të veçantë në shkolla, ku kemi numrin më të madh të nxënësve, profesorëve dhe prindërve që kap një numër të madh të qytetarëve të Gjilanit ose mbi 30% të popullsisë së Gjilanit”, ka thënë nënkryetari Kadriu, duke ofruar bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe qytetarët e Gjilanit.

Hidromorava

Ai ka apeluar tek të gjitha institucionet relevante dhe ato fetare, që gjithandej të promovojnë atë që pjesëmarrja në grupe radikale të ndalohet, sepse kontributi mund të jepet në zhvillim të Gjilanit dhe Kosovës dhe askujt nuk i shërben pjesëmmarrja në lufta.

“Të angazhohemi që rinia dhe qytetarët e Kosovës kanë nevojë për zhvillim dhe assesi për përfshirje në luftëra të huaja, që askujt tjetër nuk i shërbejnë, përpos grupeve radikale si IS-is apo grupeve të ngjashme të cilat për vite me radhë kanë shkaktuar vdekje të shumë qytetarëve të pafajshëm”, përfundoi ai.

Ndryshe, grupi-Mekanizmi Referues i themeluar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për dy ditë me radhë kanë marrë pjesë në konferencën e organizuar nga UNDP dhe MPB, duke përfituar nga përvoja e ekspertëve se si të veprohet në parandalim të qytetarëve në përfshirjen e grupeve radikale./rajonipress/