Oligarkia po e shtrydh ekonominë e Kosovës
Ekonomia e tregut në letër, dominojnë monopolet e inkriminuara. Bizneset e lidhura me pushtetin e shkatërruan konkurrencën
Prej vitesh, Kosova është shndërruar në një vend ku e tërë ekonomia kryesore e vendit, ndonëse në gjendje të brishtë, është e koncentruar vetëm në një grup të vogël njerëzish dhe biznesesh që janë këmbë e krye të lidhura me pushtetarët e pasluftës, e në veçanti me ata të dekadës së fundit, që ndonëse formalisht ekzistojnë të gjitha institucionet, gjyqësia prokuroria inspektoratet , atyre askush nuk ua prish terezinë.
Sipas analistëve, nuk duhet të çuditemi që e kemi këtë gjendje të mjerë, me qindra e mijëra të papunë dhe me qindra e mijëra të ikur nga skamja e varfëria dhe dhjetëra e mijëra veta që mbijetojnë nga asistencat sociale.
Dyshohet se disa biznese të fuqishme në Kosovë veprimtarinë e tyre e zhvillojnë me ndihmën e zyrtarëve të institucioneve shtetërore. Në një studim të shoqërisë civile nga lëvizja, “FOL” lidhur me çështjen, thuhet se kompani të ndryshme mund të qëndrojnë në treg vetëm me mbështetjen e institucioneve publike, ndërsa ka raste kur disa biznese kapitalin e tyre e kanë rritur në kohën kur në Kosovë ka pasur investime në rindërtimin e vendit, si në infrastrukturë dhe objekte të shkollave. Por, me përfundimin e këtyre investimeve dhe mosmarrjen e tenderëve publikë këto kompani nuk janë të pranishme në tregun e Kosovës. Kompanitë fantome, të lidhura me politikën Eksperti i ekonomisë, Berim Ramosaj, profesor universitar i ekonomisë, thotë se disa biznese marrin projekte nga institucionet publike dhe kjo ndikon në rritjen e kapitalit të tyre.
Në çdo vend të botës ka biznese të tilla, por shpresojmë që mos të jenë biznese që pastrojnë para, që u ikin taksave dhe krijojnë evazion fiskal, sepse Kosova është vend i vogël dhe këto biznese sado të vogla që të jenë mund t’u shihet filli i lidhjes eventuale që kanë me politikën. “Dihet këtu se shumica e bizneseve marrin punë nga politika, nga institucionet publike dhe kur dihet se ka korrupsion të lartë në procesin e dhënieve të tenderëve dhe formave të ndryshme, atëherë pa dyshim se ndodhin edhe gjëra të tilla”, tha Ramosaj.
Ndërsa, Bali Muharremaj, deputet nga AAK-ja në Kuvendin e Kosovës, thotë se po bëhet një dekadë e më tepër që kur tregu i lirë i bërjes biznes në ekonominë e brishtë të Kosovës është prishur nga pushtetarët e kamufluar që kanë formuar bizneset e veta të pista me emra kompanish fantome, përmes së cilave ato jo vetëm që janë të privilegjuara, por edhe i mbajnë monopolet në shumë fusha, duke përfituar gjithnjë në kurriz të bizneseve të tjera të ndershme, por edhe që janë pa mbështetje të pushtetarëve, e madje edhe të diskriminuara./kosova sot/


