Marrëveshja LVV – LDK sa afër, aq edhe larg
Oferta e fundit për bashkëqeverisje e LDK-së e ka përfshirë në negociata sërish edhe postin e kryeparlamentarit, i cili për Vetëvendosjen tash pas konstituimit të Kuvendit është i panegociueshëm.
Sipas analistëve, një ofertë e tillë nga LDK-ja mund ta zvarrisë ose edhe ta pamundësojë arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse. Kësisoj ata theksojnë se nëse nuk arrijnë dakordim LVV-ja e LDK-ja duhet të lëshojnë rrugë për zgjedhje të reja, shkruan sot gazeta Zëri.
Marrëveshja bashkëqeverisëse mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është stërzgjatur. Ndryshe prej deklaratave të liderëve të të dyja partive se qeveria do të formohet shpejt pas zgjedhjeve të 6 tetorit, LVV-së e LDK-së nuk i mjaftuan as 3 muaj kohë. Për shkak të mungesës së transparencës as pas këtyre muajve asgjë nuk është e qartë se në cilën fazë qëndron dakordimi për koalicionin qeverisës.


